Arbëri

Në Lipjan nis gjobitja e ndotësve të ambientit

Inspektorati në Komunën e Lipjanit ka nisur aksionin për parandalimin e ndotjes së ambientit në disa lokalitete, duke gjobitur në vlerë deri 500 eurosh bizneset e individët që kanë bërë shkelje.

Drejtori i Inspektoratit në këtë komunë, Flamur Sylejmani, ka thënë se aksionet kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve. Ai ka paralajmëruar se këto masa do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ndërkaq Komuna e Lipjanit nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se kanë bashkëpunim të mirë edhe me Policinë e Kosovës për ruajtjen e ambientit.

“Drejtoria e Inspekcionit, duke pasur parasysh ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tonë sikur edhe të mjedisit-ambientit në Komunën e Lipjanit, ditëve të fundit në bashkëpunim edhe me organet tjera kompetente ka ndërmarrë veprime duke zhvilluar aksione me kujdestari për të ndaluar hedhjeve-ndezjes së mbeturinave në natyrë dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat ndaj secilit që ka krijuar ndotje. Andaj, Komuna e Lipjanit kërkon nga të gjithë qytetarët që të ruajnë ambientin sepse ditëve në vijim Inspektoriati komunal do të vazhdojë me aksione akoma më të mëdha si dhe do të ndërmarrë veprime edhe më të ashpra të parapara me ligj për të ndaluar veprime të tilla të papërgjegjshme të atyre që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve tonë”, thuhet midis të tjerash në njoftimin e Komunës.

Image

Në një procesverbal të cilin e ka siguruar KOHA, midis të tjerash thuhet se njëri nga subjektet që ushtron veprimtari të restorantit dhe marketit ka hedhur sasi të konsiderueshme të mbeturinave në vende të ndaluara duke shkaktuar dëme të ambientit dhe natyrës.

“Janë hedhur rreth 3 kamionë me mbeturina duke shkaktuar ndotjeje të natyrës dhe ambientit. Mbeturinat janë hedhur në pronë private dhe është krijuar deponi pa leje e mbeturinave, ndërkohë nga erërat janë shpërndarë edhe në prona të tjera”, thuhet midis të tjerash në procesverbal.