Arbëri

Anulohet seanca për gazin në mungesë të Sveçlës, paraburgim për ata që mungojnë herën tjetër

Kuvendi

Foto: Arkiv

Në mungesë të ministrit në detyrë të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është shtyrë seanca gjyqësore për gazin lotsjellës në Kuvend më 2018.

Nga gjykata u tha se Sveçla e ka arsyetuar mungesën e tij paraprakisht, andaj në mungesë të kushteve për mbajtjen e seancës, seanca është shtyrë më 16 janar. Sveçla ishte urdhëruar të sillej në gjykatë me detyrim.

Gjyqtari Sabit Sadikaj ka thënë se ndaj secilit që mungon seancën e radhës, do të lëshohet urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

“Pasi i pandehuri Xhelal Sveçla e ka njoftuar gjykatën me shkrim duke arsyetuar mungesën, seanca e sotme nuk mbahet, e njëjta do të shtyhet për 16 janar. Te Sveçla gjykata dërgon ftesë të rregullt. Secila palë që mungon, ndaj asaj pale të lëshohet urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit", ka thënë gjyqtari Sabit Sadikaj.

Të pranishëm të premten kanë qenë Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi.  

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-s. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

Në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.