Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe Policia kanë realizuar të enjten një prej aksioneve më të mëdha që ka përfshirë shtatë komuna. Gjatë tij janë arrestuar 39 persona nën dyshimin për përfitim, nëpërmjet dallavereve në Byronë Kosovare të Sigurimeve
39 persona janë arrestuar të enjten në një aksion që ka përfshirë shtatë komuna dhe që është udhëhequr nga Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe Policia, nën dyshimin për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave në BKS, Valon Berisha.
Që të dy dyshohen se në kundërshtim me rregullat e brendshme të këtij institucioni kanë keqpërdorur autorizimet nga BKS-ja dhe ia kanë mundësuar vetes fitime të mëdha, ndërsa Byrosë i kanë shkaktuar dëm prej më shumë se 1 milion eurosh.
Në një konferencë për media pas aksionit, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka thënë se të dyshuarit këtë e kanë bërë nëpërmjet personave të ndryshëm.
“Po ashtu kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara dhe tani, deri në këto momente, në këtë fazë kemi vlerësuar që ato dokumente të dyshuara faktikisht i kanë përdorur si të mirëqena dhe përmes kësaj i kanë shkaktuar dëm Byrosë Kosovare të Sigurimeve në vlerë prej 1 milion e 43 mijë eurosh”, ka theksuar Kryeziu.
Në Byronë Kosovare të Sigurimeve kanë njoftuar se e kanë denoncuar vetë rastin pas gjetjeve të bëra nga procesi i auditimit të brendshëm.
E, sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”, “Keqpërdorim i besimit”, “Falsifikim i dokumenteve”, si dhe “Keqpërdorim i besimit në ndihmë”.
Kryeprokurori Kryeziu ka thënë se është gjurmuar edhe rrjedha e parasë tek të dyshuarit.
“Kemi arritur të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta, në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësore, kinse për përfaqësim si të autorizuar, përfaqësues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022 dhe 2023 përderisa persona të tjerë veçse kanë qenë të kompensuar qysh në vitet e mëhershme 2016 dhe 2017. Po ashtu kanë aplikuar edhe 141 transaksione të tjera te persona të ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm dhe kanë bartur shuma të ndryshme”, ka bërë të ditur Kryeziu.
Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë 6 mijë e 800 euro, ndërsa transaksioni më i lartë 68 mijë euro.
Kryeprokurori Kryeziu ka thënë se gjatë aksionit janë sekuestruar para në vlerë të 23 mijë e 700 eurosh, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme dhe pajisje elektronike, ndërsa janë bllokuar 1 milion e 300 mijë euro.
Ai ka shtuar se synohet kthimi i secilës para që është marrë nga Byroja.
“Ne do të kujdesemi që në kuadër të mandatit që kemi, në këtë rast palën e dëmtuar - Byronë Kosovare të Sigurimeve, të sigurohemi që ta kompensojmë cent më cent, çdo keqpërdorim që iu është bërë, jemi kujdesur dhe prandaj kemi sekuestruar dhe kemi ngrirë pasuri edhe më shumë saqë ata veçse e kanë keqpërdorur që i kemi provat”, ka thënë kryeprokurori i Themelores në Prizren.
Aksioni është kryer në shumë lokacione në Prishtinë, Prizren, Dragash, Gjilan, Pejë, Mitrovicë dhe Obiliq, ndërsa në të janë përfshirë rreth 400 zyrtarë policorë.