Në qershor, Agjencia e Statistikave planifikon t’i publikojë disa prej 25 raporteve tematike, përfshirë 6 sosh për dëmet e luftës. Zyrtarë të agjencisë arsyetuan mospublikimin e deritashëm të dokumenteve, duke theksuar se ka shumë informata që janë marrë gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë, e që kërkojnë përpunim
Edhe 25 raporte tematike të Agjencisë së Statistikave (ASK) që kanë të bëjnë me regjistrimin e popullsisë, nuk janë publikuar as pas gati 6 muajsh prej që janë shpallur rezultatet finale.
Demografi Sami Behrami thotë se target kryesor për ASK-në janë karakteristikat demografike, mirëpo këto raporte sipas tij, duhej të publikoheshin më parë.
“Meqë regjistrimi i popullsisë i vitit 2024, për dallim prej regjistrimeve të tjera është realizuar me tabletë, atëherë nuk ka arsye për shtyrje të publikimeve, meqë të dhënat janë nga regjistruesit dhe kanë kaluar menjëherë në platformën digjitale, kështu që mundësia e publikimit të këtyre të dhënave është shumë më e madhe dhe më shumë më e shpejtë. Pra, nuk ka arsye për shtyrje të publikimeve”, ka thënë Behrami.
Por, menaxheri i regjistrimit të popullsisë në ASK, Ylli Shala, thotë se të dhënat e siguruara kërkojnë kohë për përpunim.
“ASK-ja gjatë këtij viti ka planifikuar të publikojë disa raporte, diku 25 raporte tematike për të cilat është duke punuar intensivisht, sepse databaza e regjistrimit të popullsisë ka qenë një databazë me shumë informacione, me shumë të dhëna brenda saj, që kanë pasë nevojë për pastrim, modifikim dhe njëkohësisht jemi duke punuar për publikimin e tyre”, ka thënë Shala.
Shala thotë se deri në fund të muajit qershor do të publikohen një numër raportesh tematike, përfshirë ato që kanë të bëjnë me dëmet e luftës.
“Tash jemi duke punuar për 6 raporte me më shumë detaje për dëmet e luftës, por do të ketë raporte edhe për ndërtesa, banesave dhe demografi dhe publikime të tjera”, ka bërë të ditur ai.
Kanë kaluar më shumë se dy dekada prej luftës, dhe Kosova ende nuk i ka evidentuar krimet që Serbia i ka kryer. Referencë për shumë të dhëna, përfshirë edhe ato për vrasjet, janë kryesisht organizata ndërkombëtarë dhe jo ndonjë databazë shtetërore.
Agjencia e Statistikave është mandatuar që gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë të evidentojë edhe dëmet e luftës.
Dhjetorin e vitit të kaluar, kjo agjenci ka publikuar rezultatet përfundimtare të regjistrimit, sipas të cilave Kosova ka 1,6 milionë banorë rezidentë. Bazuar në to, janë rreth 150 mijë banorë rezidentë më pak krahasuar me regjistrimin e vitit 2011.
Kur janë publikuar rezultatet, janë bërë të ditura edhe disa informacione në lidhje me dëmet e luftës.
Bazuar në shifrat që ka dhënë drejtori i ASK-së, Avni Kastrati, janë vrarë 11.417 persona, ndërkaq janë zhdukur me forcë 1.047, janë plagosur 6.682 persona, kurse janë burgosur 3312 persona. Sipas tij, shifra alarmante janë ato në kategorinë tjera, ku përfshihen dhuna, tortura, pasojat psikologjike, e viktima të të cilave krime janë deklaruar 193.765 persona.
“Nga dëmet e luftës, gjithsej ekonomi familjarë të prekura janë 154 mijë e 272. Dëmet vetëm në ekonomi familjare, jo në institucione, është vlerësuar mbi 5 miliardë euro”, ka thënë ai.
Bazuar në këtë të dhënë, më shumë se gjysma e ekonomive familjare janë prekur nga lufta.
Kastrati pati treguar se për dëmet e luftës ka nënraportim pasi një pjesë e qytetarëve të prekur, janë jorezidentë, e për rrjedhojë nuk ka pasur kush t’i deklarojë.