Arbëri

Nesër shpallet rezultati i zgjedhjeve nga KQZ-ja, certifikimi mund të zgjasë disa ditë

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për KTV-në ka treguar se nesër do të bëhet shpallja e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit nga KQZ-ja.

Mirëpo, pas shpalljes së rezultateve do të vazhdojë procesi i certifikimit e që mund të zgjasë tetë apo nëntë ditë, varësisht ankesave nga subjektet politike.

“KQZ-ja do të dalë gjatë ditës së nesërme me shpalljen e rezultatit. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga KQZ-ja, subjektet politike kanë 24 orë kohë për të paraqitur ankesa në PZAP, e PZAP ka 72 orë kohë për të shqyrtuar ankesat. Në rast se refuzohen ankesat nga PZAP atëherë palët mund ta çojnë rastin në Gjykatën Supreme, e cila duhet të vendosë brenda tri ditëve. Në zgjedhjet e vitit 2014, certifikimi kishte ndodhur tetë ditë pas shpalljes së rezultateve e në vitin 2017 nëntë ditë pas shpalljes”, ka thënë Elezi.