Arbëri

Ngrihen dyshime për “investim” në përmbytjen e qendrës së Drenasit

Dhjetëra biznese në kompleksin e njohur si Qendra Tregtare në Drenas janë përmbytur të martën, ndërsa pronarët fajësojnë autoritetet lokale për mbylljen e pusetave dhe gypave të ujërave atmosferike. Një nga ta tha se veprimet mund të jenë marrë qëllimshëm. Zyrtarët komunalë mohuan pretendimet, e pronarët e lokaleve paralajmëruan padi

Rilind Podrimja është pronar i një biznesi për punimin e çelësave në kompleksin e njohur si Qendra Tregtare në Drenas. Lokali i tij, sikurse edhe i dhjetëra bizneseve të tjera në këtë kompleks, u përmbyt të martën.

Podrimja thotë se përgjegjësinë për vërshimet e mban Komuna e Drenasit e cila, sipas tij, ka shkaktuar mbylljen e pusetave dhe gypave që bartnin ujërat atmosferike drejt lumit Drenica.

“Problemi ka filluar prej kur është ndërtuar ky objekti prapa neve, sepse këtu ka qenë puseta për ujërat atmosferike edhe i kemi pasur gypat dhe janë shkuar atje. Tash këta e kanë ndërtuar objektin përmbi dhe më nuk di se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Podrimja të enjten.

Përballë Qendrës Tregtare është ndërtuar një kompleks afarist nga kompania IP-Kos, së cilës në 2020-n Komuna ia ka dhënë në shfrytëzim për 99 vjet hapësirën prej 1.7 hektarësh.

Në këtë hapësirë ka kaluar edhe rrjeti i kanalizimit të ujërave atmosferike, por të cilit pak metra pa mbërritur në lumin Drenica i është betonuar rrjedha. Tek të mërkurën është thyer një pjesë e betonit për ta rikthyer rrjedhën.

Podrimja thotë se pas ndërtimit të objektit nga IP-Kos problemi me vërshime është bërë shumë më intensiv. Si dëshmi për këtë përmendi faktin se niveli i ujit nisi të binte sapo të mërkurën u zhbllokua gypi.

Ai ka paralajmëruar hapa ligjorë.

“Duhet ta shqyrtojmë se çfarë mundësi kemi ose ta padisim komunën ose dikë, sepse dikush duhet ta marrë këtë përgjegjësi. Duhet të hetohet dikush, kush e ka bërë këtë gjë. Kjo nuk është në rregull, 70 biznese këtu janë, 70 familje, përmbi 100 punëtorë marrin rroga e të ardhura”, ka thënë Podrimja.

Version të njëjtë dha edhe Lulëzim Rrukiqi, i cili në Qendrën Tregtare ka një biznes rrobaqepësie. Edhe atij i është përmbytur lokali.

Ai konsideron që edhe me ndërtimin e parkingut në këtë kompleks janë mbuluar pusetat për kullimin e ujit.

Rrukiqi ka akuzuar Komunën se veprimet i ka ndërmarrë qëllimshëm.

“Neve po na bëhet dëm rregullisht. Ndërto diçka, prish diçka tjetër. A është duke i bërë qëllimshëm që të na detyrojë të heqim dorë nga këto lokale apo jo, atë nuk e di. Por ma merr mendja që veç ajo punë është duke u bërë. Po i konvenon vendi këtu, vend i mirë të ndërtojnë ndërtesa, të vijnë banditët shkurt dhe trup”, ka thënë Rrukiqi.

Pretendimeve nuk iu përgjigjën në kompaninë IP Kos.

E, në komunë i mohuan ato.

Nexhmedin Gruda, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, ka thënë se nuk qëndrojnë akuzat e pronarëve.

“Në lidhje me pretendimet se përmbytjet janë bërë më të shpeshta dhe më intensive pas ndërtimit të objektit afarist, deri më tani nuk ekziston asnjë vlerësim teknik që e konfirmon një ndërlidhje të tillë. Përkundrazi, ndërhyrjet tona të vazhdueshme në mirëmbajtjen dhe pastrimin e kanaleve dëshmojnë se sistemi ka qenë funksional kur nuk ka pasur bllokime nga mbeturinat”, ka thënë Gruda. “Po ashtu, hedhim poshtë kategorikisht pretendimet se mbyllja e kanaleve kulluese është bërë me qëllim për të detyruar pronarët aktualë t’i shesin lokalet. Këto pretendime nuk qëndrojnë, pasi gjatë verës kemi intervenuar dy herë në pastrimin e kanaleve kulluese dhe për këto ndërhyrje posedojmë edhe dokumentim fotografik si dëshmi”.

Ai ka insistuar se mbyllja e kanaleve kulluese ka ndodhur si pasojë e depërtimit të mbeturinave në to.

“Objekti afarist në fjalë është i pajisur me leje ndërtimore dhe i plotëson të gjitha kushtet teknike dhe ndërtimore, duke mos penguar funksionimin e sistemit të drenazhimit në këtë zonë. Gjatë realizimit të projekteve nuk ka pasur dëmtime apo ndryshime në infrastrukturën nëntokësore të drenazhimit”, ka thënë Gruda. “Bazuar në vlerësimet tona në terren, mbyllja e kanaleve kulluese ka ndodhur si pasojë e depërtimit të mbeturinave në to gjatë vërshimeve të fundit. Për këtë arsye ekipet tona kanë qenë të detyruara të intervenojnë në gypin kryesor, konkretisht në nyjën kryesore, të cilën e kemi liruar përkohësisht deri në rënien e nivelit të ujit”.

Gruda ka thënë se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë gjatë sezonit të verës ka realizuar dy herë pastrimin e kanaleve kulluese në trotuarin përkatës dhe tek Lokalet e Reja, duke i funksionalizuar ato.

“Me t’u evidentuar bllokimi i gypave, kemi intervenuar menjëherë me kapje mekanike, duke përdorur ekskavator dhe pajisje profesionale për pastrimin e kanalizimeve”, ka thënë ai.

Drenasi është në mesin e katër komunave prej më të prekurave nga vërshimet e kësaj jave. Përmbytjet kanë shkaktuar dëme në ekonomi familjare e në biznese.