Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, po qëndron për vizitë të hënën në Kosovë.
Ai është pritur nga homologia e tij, Albulena Haxhiu, e më pas është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë një komunikatë të Presidencës thuhet se në takim me Peleshin, Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllazërore e strategjike, të ndërtuara mbi themele të forta historike, kombëtare dhe shtetërore. “Presidentja Osmani falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe në çdo proces të rëndësishëm diplomatik, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit të rregullt politik dhe diplomatik në të gjitha nivelet”, thuhet në njoftim.
Osmani dhe Peleshi thuhet se kanë theksuar se forcimi i partneritetit vëllazëror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet thelbësor për avancimin e interesave të përbashkëta dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në familjen euroatlantike.

Ndërkohë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Peleshi e Kurit gjatë takimit theksuan rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy shteteve.
“U vlerësua se Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të një populli, ndajnë aspirata të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm, forcim të institucioneve demokratike dhe integrim euroatlantik. Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e koordinimit në politikën e jashtme, si dhe për avancimin e agjendës së integrimit drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.
Kurti thuhet se ka vlerësuar se Kosova dhe Shqipëria mbështesin dhe shtyjnë përpara njëra-tjetrën në proceset zhvillimore dhe integruese, duke i konsideruar arritjet si të përbashkëta dhe duke punuar me përkushtim për të ardhmen evropiane të qytetarëve të të dy vendeve.
“U ritheksua se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë mbetet prioritet strategjik dhe një garanci e rëndësishme për stabilitetin, zhvillimin dhe mirëqenien në rajon”, thuhet në njoftim.


Vizita e Peleshit po ndodh një javë pas asaj të Elisa Spiropalit. Spiropali vetëm një ditë pasi vizitoi Kosovën u largua nga posti i ministres së Jashtme të Shqipërisë. Ishte një nga shtatë ndryshimet që bëri kryeministri Edi Rama në ristrukturimin e Qeverisë. Në vend të saj ministër i Jashtëm u emërua Ferit Hoxha.