Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nis mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Abdixhikut

Lumir Abdixhiku

Prej të mërkurës, një grup delegatësh të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, në të cilën synohet të hidhet në rend dite kërkesa për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Siç mëson KOHA, për thirrjen e mbledhjes nevojiten nënshkrimet e një të tretës së delegatëve të Kuvendit, ndërsa më pas kërkesa për shkarkimin e kryetarit mund të vihet në votim. Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se deri më tani nuk janë siguruar 118 nënshkrimet e nevojshme nga gjithsej 355 delegatë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

KOHA ka tentuar të marrë përgjigje nga Abdixhiku por deri në momentin e publikimit të artikullit ai nuk është përgjigjur. 

Nisma pason pakënaqësitë e shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Javën e kaluar, dega e LDK-së në Pejë, ajo në Lipjan dhe Dega e II në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke e arsyetuar kërkesën me rezultatin e dobët zgjedhor. Kësaj thirrjeje iu bashkua edhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami.

E Abdixhiku kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri, dhe të kryetarit të Degës në Lipjan, Imri Ahmeti, për siç tha rezultatin e dobët në këto degë. Më pas, ai deklaroi se Kuvendi i LDK-së do të mblidhet në vitin 2027, në mbledhjen e rregullt.

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Abdixhiku kishte ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, por më 31 janar Kuvendi i LDK-së e refuzoi atë kërkesë.