Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nis tjetër gjykim në mungesë për krime lufte

Prokuroria Speciale e Kosoves

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka adresuar ftesë publike për paraqitje më 25 maj, Vitomir Naskoviqit, i cili është i akuzuar për krime lufte. Në bazë të aktakuzës së ngritur më 2024, ai ngarkohet për vrasje dhe maltretim fizik e psikik të popullsisë civile në komunën e Suharekës. E në rast të mosparaqitjes, është paralajmëruar se procesi ndaj tij do të zhvillohet në mungesë

Ftesë publike për paraqitje më 25 maj të këtij viti para Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka bërë ky institucion i drejtësisë të akuzuarit për krime lufte, Vitomir Naskoviq.

Ai akuzohet se gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, në bashkëkryerje ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E në rast të mospjesëmarrjes në shqyrtimin fillestar të procedurës penale ndaj tij, në Gjykatë kanë paralajmëruar veprim tjetër.

“Me këtë ftesë, i akuzuari Vitomir Naskoviq ftohet të paraqitet para Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, më datën 25.05.2026 në orën 09.00, në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtine, për pjesëmarrje në shqyrtimin fillestar në procedurën penale që zhvillohet ndaj tij. Në rast se i akuzuari nuk paraqitet para gjykatës, gjykata mund ta vazhdojë procedurën dhe ta zhvillojë gjykimin në mungesën e tij, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale te Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur gjykata.

Kundër Naskoviqit, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në vitin 2024. Bazuar në këtë aktakuzë, ai akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe ka kryer vrasje dhe maltretime fizike e psikike ndaj popullsisë civile shqiptare në komunën e Suharekës.

“Me datë 16.04.1999 në Suharekë, më saktësisht në vendin e quajtur ‘Te vreshtat’, i pandehuri Vitomir Naskoviq, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe formacioneve paramilitare serbe e me dashje, ka marrë pjesë në vrasjen e viktimave, tani të ndjerë S.A dhe M. A, si dhe plagosjen e të dëmtuarit Sh.S., në atë mënyrë që derisa qëndronte i armatosur dhe uniformë të policisë serbe, me mbishkrimin ‘Milicija’, në pikën e kontrollit në hyrje të qytetit, ka urdhëruar ndaljen e kolonës së popullatës civile shqiptare, e cila vinte kryesisht nga fshatrat e komunës së Gjilanit e të cilët ishin duke shkuar drejt kufirit të Shqipërisë”, thuhet në aktakuzë.

Në këtë dokument theksohet dëshmia e të plagosurit me inicialet SH.S., i cili ka treguar se gjatë ikjes nga fshati i tij është rrethuar nga forcat serbe dhe ka përfunduar në traktorin e nisur drejt Shqipërisë, që u pati ndaluar nga i akuzuari.

“Vitomiri e kishte ndaluar dëshmitarin dhe tani të ndjerët M.A. dhe SH.A., të cilët ishin nga fshati Livog i Epërm i Komunës së Gjilanit. Vitomiri, pasi u afrua te rimorkio e traktorit, i urdhëroi vëllezërit duke iu drejtuar me fjalët: ‘Zbritni poshtë’, dhe i ka goditur me kondak të automatikut. Më shumë e ka rrahur me kondak të pushkës SH.A’, derisa ka rënë në tokë dhe i ka dalë gjak nga goja e fytyra. Pastaj ka filluar ta godasë edhe M.A’ me kondak të pushkës. Të njëjtin e kanë rrahur edhe policët e tjerë që ishin me Vitomirin, duke e goditur me shkelma dhe duar në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në aktakuzë.

Ai në aktakuzë citohet të ketë thënë po ashtu se krahas këtyre dy viktimave, gjatë kësaj ngjarjeje janë vrarë edhe 37 civilë të tjerë shqiptarë.

Gjatë vitit 2024, për krime lufte të kryera në Kosovë janë ngritur 14 aktakuza ndaj 25 serbëve të dyshuar. Prej tyre, gjashtë janë ngritur në mungesë ndaj 11 serbëve, ndërsa shtatë të tjera janë ndaj 13 personave që janë arrestuar.