Nga tetë fëmijët e konfirmuar javën e shkuar me fruth, një ka përfunduar në Intensive, shkaku i gjendjes së rëndë. Mjekët janë duke trajtuar edhe mostrat e tre të tjerëve nën dyshimin se janë të prekur nga kjo sëmundje që do të mund të parandalohej. Në Klinikën Infektive kanë thënë se prindërit nuk i kanë vaksinuar fëmijët qëllimshëm, të ndikuar nga dezinformatat
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera Berisha-Ndrejaj, ka alarmuar se një fëmijë ka përfunduar në Intensive, shkaku që nuk është vaksinuar kundër fruthit, meqë prindërit e tij janë ndikuar nga dezinformatat për vaksinën.
Ajo ka treguar se edhe prindërit e shtatë fëmijëve të tjerë të hospitalizuar, por me simptoma më të lehta, kanë arsyetuar mosvaksinimin, duke thënë se janë frikësuar nga çrregullime të ndryshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Prej rasteve që janë trajtuar në Klinikën Infektive, një prej tyre ka shkuar me komplikime të rënda dhe është transferuar në Pediatrinë Intensive. Rastet e tjera janë trajtuar në klinikën tonë. Sot është liruar një fëmijë në gjendje të mirë, ndërkohë që vazhdojnë trajtimin edhe gjashtë raste të tjera”, ka thënë Berisha-Ndrejaj.
Drejtoresha Berisha-Ndrejaj ka bërë të ditur se të gjithë të prekurit me fruth janë fëmijët e lindur në vitin 2025.
Ajo ka thënë se të martën janë dërguar mostrat e tre fëmijëve të tjerë, për të konfirmuar nëse edhe ata janë prekur nga kjo sëmundje infektive, si dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë që numri i të prekurve të rritet.
“Duke pasur parasysh edhe kohën e inkubacionit, është e mundshme që të kemi edhe raste të tjera. Në këto dy-tri ditët e fundit nuk kemi pasur raste të reja, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë në vazhdim. E gjithë kjo do të varet nga burimi i infektimit, pasi nëse fëmijët vijnë nga komunitete të ndryshme, siç janë çerdhet, ku qëndrojnë në ambiente të mbyllura, atëherë mund të presim edhe raste të tjera”, ka thënë ajo.
Ka fushata globale kundër vaksinimit të fëmijëve, që kanë pasur ndikim edhe në Kosovë.
Sociologu Genc Xërca ka thënë se hezitimi te prindërit për të mos iu bindur obligimit për vaksinim, është pasojë e zhvillimit të teknologjisë informative, e cila bashkë me demokratizimin e informacionit e ka rritur edhe dezinformimin.
“Siç kemi parë edhe në kohën e pandemisë, ka ekzistuar një grup antivaksinuesish, të cilët kanë promovuar në masë të madhe përvoja të ndryshme personale. Në njëfarë forme, kjo i bën të tjerët të hezitojnë të ndryshojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre ndaj vaksinimit, i cili në të kaluarën nuk ka qenë fare problem. Pra, grupacione të tilla dhe shembuj të tillë në rrjetet sociale ndikojnë që të ndryshojë qasja dhe qëndrimi ndaj vaksinimit”, ka thënë Xërxa.
Një muaj më parë, KOHA ka raportuar se përhapja e dezinformatave për vaksinën kundër fruthit ka ulur besimin e prindërve, duke bërë që afro 3 mijë fëmijë të mos vaksinohen me kohë gjatë vitit 2025.
Fruthi mund të trajtohet me terapi sistematike, por te rastet më të rënda mund të lërë pasoja në sistemin respirator, nervor dhe kardiovaskular.