Arbëri

Njohësit: Zgjedhjet e reja ose aktgjykimi i ardhshëm i Kushtetueses zgjidhin ngërçin

Kuvendi të hënën pritet ta bëjë vazhdimin e 43-të të seancës konstituive. E njohësit e zhvillimeve politike, zgjidhjen e ngërçit politik e shohin përmes dakordimit për zgjedhje ose një aktgjykimi të ri e më të qartë nga Kushtetuesja.

Njohësit e zhvillimeve politike nuk janë optimistë për zgjidhjen e ngërçit politik, derisa taborët politikë i mbajnë qëndrimet e njëjta: njëri për të ecur përpara me votim të fshehtë e tjetri për votim të hapur.

E edhe vazhdimi i 42-të seancës konstituive pas paralajmërimit të rrejshëm për bombë në objektin e Kuvendit të Kosovës, rezultoi me dështim të sërishëm të themelimit të komisionit për votimin e fshehtë.

Politologu Artan Muhaxhiri ka vlerësuar se në situatën aktuale një aktgjykim i ri dhe i qartë i Gjykatës Kushtetuese do ta thyente bllokadën politike, meqë subjektet politike po tregohen të papërgjegjshme lidhur me obligimin e tyre për ta konstituuar Kuvendin.

“Ekziston një ide që politikanët tanë janë të gatshëm të shkojnë pafundësisht me këtë lojën e tyre, prandaj edhe Gjykata Kushtetuese duhet që të jetë domosdoshmërisht më e qartë, më e saktë në vendimet e ardhshme sesa që ishte në vendimin e fundit, pasi nuk guxon të bëjë më shumë dëm sesa dobi. Nuk mund t’ua japë edhe një kartë tjetër partive politike, në mënyrë që ato të vazhdojnë me këtë avaz të bllokimit, ndërkohë që i ka të gjitha kompetencat ligjore dhe morale që ta shohë rolin e saj si vendimmarrëse, pasi partitë politike janë tejet destruktive dhe realisht nuk kanë asnjë moral e as dhembshuri ndaj krizës të cilën e kanë shkaktuar e që nuk po dinë ta zgjidhin”, ka thënë ai.

Por situatën aktuale e sheh më ndryshe profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi.

Ai ka thënë se sjelljet e deputetëve po imponojnë zgjedhje të reja.

“Zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, për shkak të bllokadimit të palëve dhe sidomos të partisë së parë. Duhet potencuar se përgjegjësia më e madhe është vetëm e partisë së parë, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë kushtetues e juridik. Ata duhet t’i japin zgjidhje, pasi nuk janë të aftë për t’i dhënë zgjidhje. Kur kryeministri në tentativë nuk është i aftë për ta bërë një kryetar të Kuvendit, imagjino për gjëra të tjera komplekse. Mendoj se zgjedhjet nuk do të ndryshojnë shumë, por do ta japin një frymëmarrje më të lehtë”, ka deklaruar Arifi.

Përkundër që deri tash nuk i kanë numrat për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, partia fituese e zgjedhjeve insiston se i ka votat për formimin e qeverisë.

Pasi aktgjykimi i 26 qershorit nuk i dha zgjidhje ngërçit, Gjykatës Kushtetues përsëri i janë drejtuar PDK-ja dhe LDK-ja, e krahas tyre edhe presidentja Osmani e edhe LVV-ja kanë paralajmëruar që do t’i drejtohen kësaj gjykate.