Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është rrugës për një mandat të katërt të paprecedent në krye të qeverisë, pasi rezultatet e pjesshme thonë se Partia e tij Socialiste ndodhet në epërsi në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Partia Socialiste ka fituar 53% të votave nga 30% të votave të numëruara, tregojnë rezultatet e Komisionit Zgjedhor. Ajo ndodhet shumë përpara Partisë Demokratike të ish-kryeministrit Sali Berisha, e cila ka 34%.
Rama i cili ndodhet në pushtet që nga viti 2013, është favoriti për të fituar, i përforcuar pjesërisht nga një rrjet me ndikim i ndërtuar mbi 12 vjet në pushtet, një periudhë e fundit e rritjes së shëndetshme ekonomike dhe një imazh kryesisht popullor jashtë vendit, shkruan Reuters.
Nëse kryesimi vazhdon nga numërimi i votave të mbetura, kjo do t'i japë Ramës katër vjet të tjera për të vazhduar misionin e tij për të futur vendin ballkanik në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, një premtim në të cilin ai e ka përqendruar fushatën e tij, por që disa ekspertët thonë se është tepër optimist.
“Fituesi është ai që pritej”, ka thënë pensionisti Haxhi Koleci.
“Ata kanë bërë një punë të mirë deri më tani, ne kemi ecur shumë përpara nga ku ishim në vitin 2013”, ka shtuar ai.
Rreth 200,000 shqiptarë që jetojnë jashtë votuan të dielën, hera e parë që diaspora përfshihet në proces.
Rezultatet e plota priten të hënën ose të martën.
Numërohen 26.52% e kutive të votimit në Shqipëri
Deri në orën 4 të mëngjesit, numëruesit në të gjithë Shqipërinë kanë numëruar 1386 kuti votimi nga 5225 që janë në të gjithë Shqipërinë.
Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votat në çdo qark të përkthyera në mandate, japin një tablo ku Partia Socialiste kryeson thellë me numër mandatesh.
Kështu socialistët kanë deri tani 83 mandate, ku rezultatin më të mirë e kanë në Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan, shkruan Top Channel.
Nga ana tjetër, koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike është me 51 mandate.
Sa i përket partive të reja, PSD-ja e Tom Doshit është forcë e tretë politike në Kuvend me 3 mandate, koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” ka 3 mandate, ndërkohë që Partia Mundësia dhe Lëvizja Bashkë dhe Koalicioni Euroatlantik kanë nga një mandat.
Deri më tani janë numëruar 26.52% e kutive të votimit./KP