Me mungesë të mësimdhënësve është duke u përballur shkolla “Mihail Grameno” në Fushë-Kosovë. Nxënësit dhe prindërit thonë se që nga shtatori nuk janë mbajtur orë të rregullta në lëndët e historisë dhe fizikës. Drejtori i Arsimit, Fatlum Berisha, pohon se problemi është adresuar dhe mësimdhënësit janë rekrutuar, por thekson se mbetet sfiduese mungesa e kuadrove. Njohësit e arsimit theksojnë se profesioni i mësuesisë po bëhet gjithnjë e më pak atraktiv duke kontribuuar në mungesën e kandidatëve të kualifikuar për mësimdhënie
Shkolla e mesme e ulët “Mihail Grameno” në Fushë-Kosovë është duke u përballur me mungesë të mësimdhënësve. Disa nxënës të klasës së gjashtë në kushte anonimiteti kanë thënë se që nga shtatori nuk kanë mbajtur orë të rregullta të lëndëve të historisë dhe fizikës. Kjo për prindërit është shqetësuese. Edhe njëri nga prindërit ka folur për situatën në kushte anonimiteti nga frika se mund të penalizohet djali i tij.
“Djali im ndjek mësimin në shkollën ‘Mihal Grameno’ Fushë-Kosovë, objekti kryesor. Nga dita e parë e fillimit të këtij viti akademik e deri më sot asnjë orë mësimi nga lëndët e historisë dhe fizikës nuk e kanë mbajtur, pasi nuk kanë mësimdhënës. Djali im është i përkushtuar në mësime e kjo më brengos pasi mund të mbetet shumë mbrapa në këto dy lëndë”, ka thënë ai.
Drejtori i Arsimit, Fatlum Berisha, pohon se problemi është adresuar dhe mësimdhënësit janë rekrutuar. Sipas tij, mësimdhënësit kanë filluar procesin mësimor.
“Sa i përket lëndës së fizikës dhe asaj të historisë në këto momente që po flasim na, mësimdhënësit janë në proces mësimor, i kemi rekrutuar, konkurset kemi hapur edhe për këto lëndë. Kemi hapur edhe për lëndën e historisë, në afatin kur është dashur, por në momentin që mësimdhënësen e kemi pranuar në proces të mësimdhënies, është tërhequr për shkak që ka pasur ose ka fituar një vend të punës në një komunë tjetër, ku ju ka përshtatur mësueses më afër”, ka thënë ai.
E nxënësit kanë thënë se ende nuk kanë mbajtur mësim me mësimdhënësit e rinj.
“Ne kemi të mërkurën, e ndoshta të mërkurën vijnë arsimtarët e rinj, por deri më tani nuk kemi mbajtur me ndonjë arsimtar që është punësuar tani mësimin”, ka thënë një nxënës i klasës së gjashtë.
Humbja e orëve mësimore për shkak të mungesës së mësimdhënësve është problem në të gjitha komunat. KOHA ka raportuar në qershor për mungesë të mësimdhënësve, veçanërisht të atyre të shkencave matematike-natyrore.
E, sipas Berishës, kjo çështje vazhdon të jetë problematike.
“Ne kemi probleme për shembull edhe në lëndën e matematikës nuk kemi kandidatë të cilët janë të interesuar të vijnë që të bëhen pjesë e sistemit arsimor”, ka thënë ai.
Sipas njohësi të çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, problemi qëndron pasi profesioni i mësuesisë nuk është atraktiv.
“Mësimdhënia pa dyshim është profesion për të cilin interesimi është në rënie dhe kjo na dëshmohet nga statistikat e nxënësve të regjistruar ndër vite në Fakultetin e Edukimit në gjitha institucionet publike të arsimit të lartë dhe kjo pa dyshim paraqet një trend shqetësues”, ka thënë ai.
KOHA ka raportuar se në mungesë të kuadrove komunat kanë punësuar mësimdhënës të pakualifikuar, e kjo është vlerësuar e dëmshme për procesin mësimor.
Profilizimi i mësimdhënësve tregon për shpërputhje të programeve mësimore me tregun e punës. Përderisa në lëndët shkencore ka mungesë të kuadrit, në nivelin fillor ka mbingarkesë të stafit. Afro dy mijë mësimdhënës konsiderohen tepricë teknologjike për shkak të rënies së vazhdueshme të numrit të nxënësve, e kjo është e theksuar në klasat e nivelit fillor.
Mosndjekja e ritmit të tregut të punës vërehet edhe në regjistrimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës, i cili është i vetmi institucion i arsimit të lartë publik që prodhon kuadro për mësimdhënësit lëndorë.
Mundësinë për t’u kualifikuar si mësimdhënës lëndorë e ofron Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore. Në regjistrimin e fundit të studentëve për vitin akademik nuk u plotësuan vendet e hapura.
Këtë vit është zvogëluar mundësia për t’u kualifikuar si mësimdhënës i fizikës në Fakultetin e Edukimit. KOHA ka raportuar se këtë vit ky program nuk ka regjistruar studentë pasi konkursi i hapur vitin e kaluar për të angazhuar një profesor në drejtimin Mësimdhënia e Fizikës në nivelin master përfundoi pa asnjë rekomandim. Dy kandidatët që aplikuan sipas anëtarëve të komisionit vlerësues nuk i plotësuan kriteret. Ky departament që nga janari i vitit 2023 ka mbetur pa profesorë për këtë drejtim.