Arbëri

Oborri i sallës së sporteve në Ferizaj shndërrohet në deponi për mbeturina

Qytetarët në Ferizaj po ankohen se afër sallës së sporteve është krijuar një deponi e mbeturinave dhe se askush nuk po merret me pastrimin e saj.

Me kundërmimin që lirohet nga deponia po përballen më së shumti qytetarët të cilët e frekuentojnë oborrin e sallës së sporteve për të marrë ujë të pijshëm.

Leotrim Krasniqi, nga rrethi i Ferizajt, ka thënë se sa herë që vjen të mbushë ujë të pijshëm në këtë vend, përballet me kundërmim të mbeturinave. “Nuk e di se kush duhet t’i pastrojë këto mbeturina, por siç po shihet aty ka kundërmim dhe kjo gjendje po thuajse është me javë të tëra. Është mirë që edhe qytetarët të vetëdijesohen dhe mos të hedhin mbeturina sa herë që vijnë të marrin ujë të pijshëm, andaj kjo parandalohet vetëm me shqiptim të gjobave nga institucionet kompetente”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër sipas Kompanisë rajonale për menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj, ky lokacion nuk është nën menaxhimin e tyre, andaj deri më tash nuk janë njoftuar për gjendjen në këtë lokacion.

Por drejtori i kësaj kompanie Basri Syla, është zotuar se të enjten do ta pastrojnë oborrin e sallës së sporteve, për sië ka thënë ai, hir të qytetarëve që mbushin ujë të pijshëm aty.

“Deri më tash nuk kemi qenë në dijeni për këtë gjendje në oborrin e sallës së sporteve, por sidoqoftë ne do ta pastrojmë që nga dita e nesërme në mëngjes për hir të qytetarëve që mbushin ujë të pijshëm në oborrin e sallës. Ndryshe atë zonë nuk e kemi nën menaxhim për mbeturina sepse aty është oborri i sallës së sporteve dhe nuk është dashur të lejohen qytetarët të hedhin mbeturina aty. Ne do të kërkojmë edhe nga inspektorati komunal që të dalin në vendin e ngjarjes dhe ta mbrojnë ambientin duke shqiptuar gjoba për individët e caktuar”, ka thënë Syla.

Sipas tij, Kompania gjithmonë është në shërbim të qytetarëve, andaj ka kërkuar bashkëpunimin e tyre për raste të tilla pavarësisht lokacionit.