Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Oda Amerikane: Qeverisja e dobët ekonomike, kombinuar me pasigurinë politike, minon momentumin e reformave

cmime

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin për ngecjen e reformave dhe krizën ekonomike, duke theksuar se brishtësia institucionale dhe kriza politike minon momentumin e reformave. 

Pas gati një viti të reformave të ndaluara, sipas Odës, ekziston rreziku real që edhe viti 2026 mund të jetë një vit i progresit të kufizuar në aspektin e reformave. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në kohën kur Kosova mbetet ndër ekonomitë më së paku të zhvilluara të Evropës, vonesat e tilla nuk janë vetëm procedurale, por bartin edhe kosto të lartë ekonomike”, thuhet në deklaratën e OEAK-ut.

Oda Amerikane ka shprehur tutje shqetësim lidhur me “mungesën e konsideratës” nga ana e Qeverisë për të rishikuar regjimin fiskal për karburantet. 

“Në disa shtete anëtare dhe joanëtare të Bashkimit Evropian, qeveritë kanë ndërmarrë masa për të zbutur efektet e goditjeve të jashtme. Mungesa e rishikimeve të ngjashme të politikave në Kosovë rrezikon të rrisë presionin e kostove mbi bizneset, të dëmtojë aftësinë konkurruese, si dhe të rris barrën e konsumatorëve”, thuhet në deklaratë.

Oda ka theksuar se qeverisja e dobët ekonomike, e kombinuar me pasigurinë politike, minon momentumin e reformave, vonon transformimin strukturor dhe dobëson besimin e investitorëve. 

“Kosova nuk mund të përballojë vazhdimin e një ngërçi institucional, derisa përballet me sfida të brendshme e me pasoja nga ndikimet e jashtme”.

Oda vlerëson se ruajtja e stabilitetit makroekonomik duhet të jetë e bashkërenduar me përshpejtimin e reformave strukturore, përmirësimin e konkurrueshmërisë, duke siguruar që reagimet institucionale të bëhen në kohë dhe të jenë në proporcion me sfidat aktuale.

“Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se forcimi i dialogut të strukturuar publiko–privat është thelbësor për qeverisje të efektshme ekonomike, duke mundësuar zhvillim gjithëpërfshirës të politikave, parashikueshmëri më të madhe për bizneset dhe një përgjigje të koordinuar ndaj sfidave urgjente ekonomike të vendit”, thuhet në fund të reagimit të Odës.