Oda Ekonomike e Kosovës e ka cilësuar goditje në mënyrë të ulët për bizneset, ndërprerjen e energjisë elektrike për bizneset që nuk kanë nënshkruar kontratë për dalje në treg të lirë energjetik.
Në një komunikatë për media, kjo Odë ka njoftuar se bizneset janë ankuar edhe në praninë e policisë gjatë aksionit të zyrtarëve të KEDS-it për ndërprerje të energjisë.
“Prania e policisë ka krijuar një imazh shumë negativ tek kompanitë, sidomos tek investitorët e huaj. Qëndrimi prapa i aparaturës policore në ekzekutimin e këtij vendimi paraqet jo vetëm humbje shprese për të sjellë investime të huaja, por edhe humbje të mundësive për zgjerimin e investimeve të bizneseve vendore”, thuhet në reagim.
Sipas reagimit, ka pasur raste kur edhe bizneset me kontrata të lidhura janë përballur me zyrtarë që kanë shkuar për t’ua ndërprerë energjinë elektrike, por edhe bizneseve që s’e plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në treg të lirë.
“Kjo e tregon më së miri se procesi i daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka qenë fare i përgatitur”, thuhet në reagim.
Oda Ekonomike e Kosovës i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji që t’i ndalë këto veprime, të cilat i ka quajtur të dhunshme, dhe që të kthehet në dialog me bizneset për të organizuar transicion të mirëplanifikuar për dalje në treg të lirë.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohen bizneset të cilat përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës, kanë të punësuar 143 mijë qytetarë të vendit dhe janë më meritorët për stadin ku ka arritur zhvillimi i shtetit të Kosovës. Një vendimi të tillë si sot, të vetmit që iu janë gëzuar janë armiqtë e Kosovës”, përfundon reagimi.
ZRRE-ja në mars kishte njoftuar se bizneset me mbi 50 të punësuar apo mbi 10 milionë euro qarkullim do të dalin në treg të hapur të energjisë. Ky njoftim është kundërshtuar nga biznese të ndryshme, të cilat kanë ngritur lëndë të veçanta në gjykatë.
E, javë më parë Komercialja pati anuluar njoftimin për dalje në treg të lirë.
Vendimi i Komerciales për anulim të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të njërës pikë të vendimit për liberalizimin e tregut, sipas juristëve, qe i vlefshëm për të gjitha bizneset dhe nënkupton se ato nuk janë të detyruara që të dalin në treg të hapur të energjisë. Vendimi i ZRRE-së ishte dërguar për trajtim në Gjykatën Komerciale nga kompania “Proex”, nën pretendimet se është i paligjshëm.
Por, pas apelimit në shkallë të dytë nga ZRRE-ja, vendimi i shkallës së parë është anuluar.
Në Kosovë liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Në vendet e Bashkimit Evropian procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim të rritjes së konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.
