Artikull i përditësuar (12:41) - Pak orë pasi Oda Ekonomike e Kosovës njoftoi se Gjykata Komerciale ka vendosur për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, ZRRE-ja ka thënë se bëhet fjalë për vetëm një biznes dhe jo për pezullim të plotë.
Në njoftim, OEK-ja ka kërkuar nga ZRRE-ja që të ndalë veprimet “që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e bizneseve”.
“OEK fton ZRrE-për bashkëpunim të ngushtë për të hartuar së bashku një fazë tranzitore të drejtë dhe të zbatueshme, duke theksuar se OEK nuk është kundër daljes në tregun e lirë, por ka kërkuar vazhdimisht që ky proces të realizohet me një plan të qartë tranzicioni, që siguron stabilitet për bizneset dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.
E i kontaktuar nga KOHA, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se bëhet fjalë për një rast të një biznesi.
“Ky është vetëm një rast dhe nuk vlen për të gjitha vendimi i njëjtë. Ky është një prej rasteve”, ka thënë ai.

Bizneset patën kërkuar që të shtyhet dalja në treg të lirë të energjisë, për shkak se siç kanë thënë, rryma në treg të lirë po u kushton qindra për qind më shumë se deri tash.
Madje bizneset patën organizuar edhe protesta në kundërshtim të vendimit të ZRRE-së, që ka hyrë në fuqi më 1 qershor.
Sipas vendimit, kompanitë me mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim janë të obliguar të dalin në treg të lirë të energjisë elektrike.