Arbëri

Opozita alarmon se Fushë-Kosovës pritet t’i mbesin rreth 8 milionë euro të pashpenzuara

Komuna e Fushë-Kosovës ka arritur të shpenzojë vetëm dy për qind të buxhetit për projekte kapitale, për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Zyrtarët komunalë arsyetuan këtë mungesë performance e në opozitë alarmuan se me këtë trend Komunës do t’i mbesin në fundvit rreth 8 milionë euro të pashpenzuara.

Dy për qind të buxhetit për projekte kapitale ka arritur t’i shpenzojë në gjashtë muajt e parë të vitit qeverisja komunale në Fushë-Kosovë.

Sipas raportit financiar për këtë periudhë, i publikuar në seancën e fundit të Kuvendit, janë shpenzuar gjithsej 200 mijë euro për këtë kategori buxhetore.

Autoritetet komunale u arsyetuan se kjo ka ndodhur për shkak të krizës energjetike, inflacionit dhe mosefikasitetit të OSHP-së, dhe shfaqën shpresën se situata do të ndërrojë.

“Duke filluar nga kriza energjetike, inflacioni, por që gjithashtu kësaj iu ka shtuar edhe mosefikasiteti i Organit Shqyrtues të Prokurimit në nivel qendror. Pra, këto kanë qenë problemet kryesore me të cilat është ballafaquar Komuna e Fushë-Kosovës dhe shpenzimi i buxhetit për këtë vit ka qenë mjerisht vetëm 2 për qind për gjashtëmujorin e parë. Por, ne shpresojmë që deri në fund të vitit do të arrijmë deri në 40 për qind të shpenzimit të buxhetit për investime kapitale”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi.

Por, përfaqësues të opozitës në këtë komunë thonë se me ritmin e tashëm nuk do të mund të shpenzohen më shumë se 6 deri në 7 për qind të buxhetit për projekte kapitale. Ata alarmojnë se Komunës së Fushë-Kosovës do t’i mbesin si suficit në këtë kategori shpenzimesh 7 ose 8 milionë euro.

“Jemi prej komunave që bëjmë bartjen më të madhe të mjeteve e që vetëm në bartjen e fundit janë bartur afër 48 për qind të buxhetit e që kryesisht kanë qenë investime kapitale”, ka deklaruar Durim Hajra, shef i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovë.

“Qëndrimi i gjatë në pushtet ua ka krijuar zonën komfor dhe si duket po punojnë me këtë ritëm. Siç e dini, edhe ne i kemi pasur pikërisht 5 milionë bartje, nëse vazhdohet me këtë ritëm gjasat reale janë që të ketë edhe një 5 tjetër, ose mos edhe në 7-8”, ka deklaruar shefi i grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike, Mirsad Qyqalla.

Sipas përfaqësuesve të opozitës, ky nivel i shpenzimeve të buxhetit për projekte kapitale tregon mospunë, keqmenaxhim e keqplanifikim nga ekzekutivi komunal.