Anëtarët e Kuvendit Komunal të Shtimes kanë debatuar të premten në një pikë të veçantë lidhur me organizimin e 24-vjetorit të masakrës së Reçakut pasi që më 15 janar gjatë ceremonisë së akademisë iu pamundësua fjalimi përfaqësuesit të fshatit, shoqatave të dala nga lufta dhe ish-komandantit të zonës së Nerodimes.
Po ashtu sipas kuvendarëve është shqetësuese se në këtë ceremoni janë lëshuar edhe këngë korale e krishtere para familjarëve të të masakruarve.
Organizimin e 15 janarit, kuvendarët e kanë cilësuar si dështim për qeverisjen lokale dhe atë qendrore dhe kanë kërkuar llogaridhënie për mohimin e drejtës së fjalës për disa persona të cilët janë caktuar nga Këshilli Organizativ për shënimin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut.
Në mbledhjen e së premtes para kuvendarëve nuk ka marrë pjesë kryetari i Komunës Qemajl Aliu, por as drejtorët përkatës që ishin pjesë e organizimit të masakrës së Reçakut.

Përparim Ramusa, kuvendar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ky organizim ka filluar dhe ka përfunduar keq. Ka kritikuar mospraninë e kryetarit të komunës në këtë mbledhje.
“Mosprezenca e kryetarit dhe drejtorëve të ekzekutivit në këtë mbledhje krijon hapësirë për të dyshuar se nuk ka argumente se çfarë të thotë lidhur me organizimin për shënimin e përvjetorit të masakrës së Reçakut. Pra, një organizim i cili ka filluar vetëm 8 ditë para ditës së përvjetorit është shqetësues dhe cilësohet si i dështuar. Pastaj si kanë mundur t’i anashkalojnë shoqatat e dala nga lufta sepse janë injoruar të gjithë ish-ushtarët, veteranët e invalidët e UÇK-së”, ka thënë Ramusa, duke shtuar se në këtë përvjetor i është mohuar e drejta e fjalës së lirë edhe ish-komandantit të zonës operative të Nerodimës, Shukri Buja, i cili sipas tij, gjithmonë e ka prezantuar në mënyrë kronologjike masakrën e Reçakut.
“Në këtë përvjetor janë injoruar të gjithë banorët e Reçakut sepse i është mohuar fjala kryetarit të tyre, Adem Ramadani, i cili po ashtu e di komplet ngjarjen e Reçakut dhe e prezanton kronologjinë e asaj dite. Po ashtu është ofenduar edhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Shtime dhe të cilët kanë reaguar pasi që në ceremoninë përkujtimore janë interpretuar këngë korale e krishtere para familjarëve të të masakruarve derisa e dimë se gjithë ata banorë e të gjithë ata të masakruar i përkasin komunitetit mysliman”, ka shtuar Ramusa.
Reshat Mujota, asamblist i pavarur, ka thënë se është shqetësuese se si iu pamundësua fjala përfaqësuesit të fshatit dhe përfaqësuesve të tjerë të cilët janë dëshmitarë të asaj dite.
“Kryetari i Reçakut ka qenë edhe pjesë e këshillit organizativ, andaj ka qenë mirë të dimë se sa mbledhje janë mbajtur, çfarë debatesh ka pasur dhe ku ka qenë problemi që kryetari i fshatit mos të ketë fjalime. Po ashtu duhet ta dimë se a ka insistuar kryetari që të ketë fjalim ndonjë banor i Reçakut sepse ne duhet ta dimë se kujt t’i adresohemi për këtë çështje”, ka thënë Mujota.
Kadri Emini, kuvendar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka sqaruar se ky debat ka nisur me qëllim që të marrin përgjigje nga ekzekutivi lidhur me menaxhimin e shënimit të përvjetorit të masakrës së Reçakut, mirëpo ai ka propozuar që rreth kësaj pike të debatohej edhe në mbledhjen e ardhshme shkaku i mungesës së kryetarit të Komunës.
“Në rastin konkret mua po me intereson ta di se kush ia ka pamundësuar fjalën kryetarit të Reçakut, Adem Ramadanit sepse për mendimin tim ai është dashur të flasë atë ditë. Ne në kuvend mund të debatojmë gjithë ditën, por nuk mund të marrim përgjigje se kush ia ka pamundësuar Ademit fjalën dhe kush e ka lëshuar atë muzikë për të cilën ka pasur vërejtje dhe ka reaguar bashkësia islame. Pra, duhet të vijë kryetari aty dhe të tregojë se kush ia ka pamundësuar fjalën kryetarit të fshatit e kush ia ka pamundësuar fjalën edhe Shukri Bujës”, ka thënë midis të tjerash Emini.
Kryetari i Reçakut, Adem Ramadani, ka sqaruar se që në mbledhjen e parë të këshillit organizativ kanë nisur vërejtjet sepse, sipas tij, ishte shqetësuese të nisë një organizim i tillë vetëm pak ditë para ceremonisë.
“Kemi mbajtur disa mbledhje si këshill organizativ. Ndërkohë i kam ngritur shqetësimet e mia se nuk është përgatitur një logo e veçantë për shënimin e kësaj dite ashtu siç ka ndodhur në vitet e kaluara, pastaj nuk ka pasur as ftesa. Ndërkohë në mbledhjet tjera ka pasur debate edhe për fjalime dhe është kërkuar që dikush nga fshati Reçak duhet të flasë më 15 janar në ceremoni dhe më kanë caktuar mua”, ka thënë Ramadani.
Ai ka thënë se një ditë para ceremonisë përkujtimore dikush nga Zyra e Kryeministrit e kishte thirrur dhe ia kishte kërkuar fjalimin e përgatitur për ta lexuar para mysafirëve në ceremoni.
“Pas disa orëve që ua dërgova fjalimin më kanë thirrur dikush nga Qeveria dhe më ka njoftuar se unë nuk mund të flas me arsyetim se i kanë pranuar dy propozime të tjera për të folur. Unë mendoj se fjala më është pamundësuar sepse në fjalimin e përgatitur janë përmendur krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë derisa kriminelët serbë është dashur të jenë në vendin e tyre. Andaj kjo është arsyeja kryesore që ne si përfaqësues të Reçakut nuk e kemi pasur mundësinë të mbajmë ndonjë fjalim në këtë ceremoni”, ka thënë Ramadani.
Ai ka shtuar se gjatë mbledhjeve si këshill organizativ janë propozuar të flasin edhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta por edhe ish-komandanti i zonës operative Shukri Buja, mirëpo askujt nuk iu dha fjala.
Me gjithë insistimin e KOHËS, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, nuk ka qenë i qasshëm për të komentuar këtë çështje.