Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita refuzon të takohet me Kurtin përpara se Kushtetuesja të vendosë për dekretin

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka dërguar ftesa të reja për përfaqësues të partive opozitare, për të diskutuar rreth çështjes së presidentit. Ai është refuzuar, meqë në PDK dhe LDK theksuan se nuk mund të ketë takime pa e dhënë verdiktin Gjykata Kushtetuese

Ndonëse rasti për zgjedhjen e presidentit është në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Albin Kurti i ka ftuar partitë opozitare për takim në fillim të javës së ardhshme.

E nëse do të vazhdojë procedura për zgjedhjen e kreut të shtetit nga legjislatura aktuale, do të vendosë Gjykata Kushtetuese, e cila ka caktuar masë të përkohshme deri më 31 mars për dekretin që shpërndau Kuvendin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, pavarësisht kësaj, Kurti theksoi se përpjekjet për të gjetur një zgjidhje i ka nisur që nga e mërkura, me ftesat ndaj partive opozitare.

“Është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin prej nesh stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura, pra nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri tha se konsensusi politik varet prej bashkëpunimit që mund ta ofrojnë partitë opozitare.

“Gjasa për konsensus përcaktohet vetëm nga të tjerët, për shkak se gatishmëria jonë për konsensus është e plotë”, është shprehur ai.

Përfaqësuesit e partive në opozitë nuk kanë shprehur gatishmëri të flasin për presidentin, përpara se Kushtetuesja të vendosë në çështjen që i është adresuar javën e shkuar.

Në një komunikatë të lëshuar nga Partia Demokratike është shprehur gatishmëri për takime, por jo në kohën kur ka kërkuar Kurti.

“Në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Në këtë frymë është edhe përgjigjja e kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.

“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj”, ka thënë Abdixhiku.

Por, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thanë se Kurti ka qëllim ta çorientojë opozitën.

“Ftesa e Kurtit për takime me opozitën është përpjekje për ta përmbysur narrativën e bllokadës që e ka krijuar vetë dhe njëkohësisht për të dërguar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese. Në pamje të parë duket konstruktiv, por në fakt po e përgatit terrenin që, nëse nuk ka epilog pozitiv, sipas tij, fajin ta hedhë mbi opozitën dhe Gjykatën”, ka deklaruar Tahiri.

Njohës të çështjeve kushtetuese kanë dhënë interpretime të ndryshme sa i përket verdiktit që do ta nxjerrë Gjykata.

Disa nga ta kanë vlerësuar se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është antikushtetues dhe se do të jepet sërish mundësi për zgjedhjen e presidentit, brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës.

E të tjerë kanë vlerësuar se më 5 mars është konsumuar afati 30-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe se Kushtetuesja do ta validojë dekretin që u hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Më 5 mars, për mungesë kuorumi prej 80 deputetësh, Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin, në mesin e kandidatëve Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku.

Një ditë pas, presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin me dekret.