Zyrtarët opozitarë të Fushë-Kosovës thonë se nga 60 vendimet që i ka marrë Kuvendi i ri Komunal gati gjysma e tyre janë kthyer si të paligjshme nga niveli qendror. Sipas tyre, kjo gjë është bërë gati normale për pushtetin në këtë komunë, ku vetëm tash së fundmi u janë kthyer pesë vendime që ishin marrë në mbledhjen e fundit. Zyrtarët komunalë thonë se niveli qendror tash po i këqyr më preciz vendimet por, sipas tyre, ka edhe raste kur vlerësimet janë të ndikuara politikisht.
Pesë vendime të mbledhjës së fundit të Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës janë kthyer mbrapsht nga niveli qendror, për shkak të mospërputhjeve ligjore.
Opozitarët në këtë komunë thonë se kjo gjë është bërë gati normale për qeverisjen në Fushë-Kosovë, pasi në këtë mandat nga 60 vendime që janë marrë rreth 50 për qind janë kthyer si të paligjshme.
“Pothuajse nuk ka mbledhje të nivelit lokal të Asamblesë Komunale ku nuk kthehen vendimet prej nivelit qendror për faktin që po gjejnë shkelje në ato vendime dhe shumicën prej tyre ne si opozitë kemi provuar me ua tërheq vërejtjen për faktin që po vijnë shumëherë edhe të zbrazëta dhe siç e thatë edhe ju kjo ka tendencë të rritjes për faktin që në mbledhjen e fundit edhe ne e kemi informatën që diku nga 15 pika 4 veç janë kthyer si të paligjshme”, ka thënë shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Mirsad Qyqalla.
“Në legjislaturën e re nga 18 mbledhjet e Kuvendit Komunal kemi marrë afërsisht 60 vendime dhe afërsisht gjysma e tyre janë kthyer qoftë për plotësim-ndryshim, qoftë si në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Por, ka edhe vendime të cilat nuk u janë referuar ligjeve ose udhëzimeve administrative siç janë edhe katër vendimet e fundit”, ka thënë shefi i Grupit të Këshilltarëve të VV-së, Durim Hajra.
Hajra ka theksuar se kthimi mbrapsht i kaq shumë vendimeve të Kuvendit të Fushë-Kosovës po bëhet edhe për shkak se niveli qendror po i shqyrton më me seriozitet vendimet e kuvendeve komunale.
Këtë e pranon edhe nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, por, sipas tij, ka edhe raste kur vendimet u nënshtrohen edhe ndikimeve politike.
“Unë mendoj se ndoshta janë duke bërë vlerësime shumë precize do të thotë që në një mënyrë duhet ta pranojnë vlerësimin që e bëjnë ministritë përkatëse për vendimet që merren në Kuvendin Komunal. Megjithatë, ne prapë do t’i shqyrtojmë dhe do ta gjejmë mënyrën se si duhet prap të vlerësohen ato vendime te ministitë përkatëse që janë”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi.
Vendimet që i janë kthyer Kuvendit të Fushë-Kosovë të miratuar në mbledhjen e fundit janë: ai për qendrën multifunksionale, vendimi për ndërtimin e objekteve me karakter të përkohshëm për persona fizikë dhe juridikë, vendimi për hapjen e konkursit për projektin arkitektonik dhe urbanistik të bulevardit në rrugën “Dardania” etj.