Arbëri

Oravi u bën thirrje partive të bëhen bashkë për progresin e Kosovës

Aivo Orav

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, u ka bërë thirrje partive politike të vendit që të bashkohen përtej ndasive dhe të krijojnë një shumicë të fuqishme që do të mundësojë zbatimin e reformave dhe ratifikimin e marrëveshjeve të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.

“Jemi në një kohë vendimtare për Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian. Për BE-në, zgjerimi është një imperativ strategjik – një investim në stabilitet, siguri dhe prosperitet”, ka thënë Orav gjatë konferencës për media të martën bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ku po prezantohen të gjeturat e Raportit të Progresit.

Ai theksoi se fqinjët e Kosovës, Shqipëria dhe Mali i Zi, janë në rrugën e duhur drejt integrimit evropian, ndërsa vlerësoi se për Kosovën ky vit ka qenë “një hap mbrapa”. Sipas tij, përparimi në rrugën evropiane kërkon partnerë të qëndrueshëm dhe qeveri me shumicë solide që mund të zbatojë Planin e Rritjes dhe të përmbushë obligimet nga dialogu me Serbinë.

Ambasadori evropian përmendi se Kosova ka shënuar përparim në gjashtë fusha kryesore: funksionimin e gjyqësorit, zhvillimin social, politikat e transportit, sigurinë e ushqimit, marrëdhëniet e jashtme dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale. Ai vlerësoi se zgjedhjet e fundit janë mbajtur në përputhje me standardet evropiane, por paralajmëroi se nevojitet më shumë punë në ndërtimin e një ekonomie konkurruese dhe në rritjen e efikasitetit të administratës publike.

Orav kërkoi përmirësim të lirisë së shprehjes dhe të ambientit mediatik, duke dënuar sulmet ndaj gazetarëve dhe gjuhën fyese që përdoret, përfshirë nga politikanët. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të kornizës ligjore për RTK-në dhe KPM-në, si dhe përafrimin e strategjisë kundër korrupsionit me standardet evropiane.

Duke folur për masat e BE-së ndaj Kosovës, ambasadori ka thënë se janë ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes së tyre, por theksoi se procesi mbetet i kushtëzuar me deeskalimin e situatës në veri dhe transferimin e pushtetit pas zgjedhjeve lokale.

“Shpresoj që Kosova shumë shpejt do të ketë një qeveri me të cilën mund të punojmë”, përfundoi ambasadori Orav.

Lexo përditësimet tjera
eu flamur ilustrim flamuri i be be

Raporti i Progresit: Kosova me progres të kufizuar, Mali i Zi prin në rrugën drejt BE-së