Arbëri

Organizatat e dala nga lufta: Vizita e Trendafilovas, e papranueshme dhe fyerje

Ekaterina Trendafilova

Organizatat e dala nga lufta kanë reaguar sërish për vizitën e paralajmëruar në Kosovë të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe organizata të tjera thanë se vizita e saj është e papranueshme dhe fyerje e rëndë ndaj “të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi”.

“E paralajmëruar të mbahet nën një perde të trashë të fshehtësisë, pa praninë e qytetarëve dhe kamerave, kjo vizitë nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë apo transparencë, përkundrazi, është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Sipas organizatave, kjo qasje arrogante dhe fyese s’është tjetër veçse vazhdim i padrejtësisë “që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë”.

“E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër! Ne, OVL, SHIL dhe SHFD, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët”, thuhet në reagim.

Organizatat shtuan se “historia nuk fshihet me dyer të mbyllura, po ashtu as e vërteta nuk trembet nga sytë e publikut”.