Organi Shqyrtues i Prokurimit ka thënë se është jashtë juridiksionit të tij ankesa e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi” për Komunën e Prishtinës, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Menaxhimi i mbeturinave”.
Në vendimin e tij, OSHP ka thënë se ankesa e “Pastrimit” mund t'iu drejtohet institucioneve të tjera kompetente, mirëpo, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, këtë vendim e ka cilësuar si fitore, pasi tha se nëpërmjet këtij po merr fund sabotimi.
Rama ka shkruar në Facebook se OSHP-ja ka vendosur që "Komuna ka të drejtë të vazhdojë me procedurat për përzgjedhjen e kompanisë që do t'i menaxhojë mbeturinat në kryeqytet".
“Pas një sërë pengesash të qëllimshme nga kompania rajonale “Pastrimi” SH.A – përfshirë greva, bllokime dhe ankesa të njëpasnjëshme – Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka vendosur qartë: Komuna e Prishtinës ka të drejtë të vazhdojë me procedurat për përzgjedhjen e kompanisë që do të menaxhojë mbeturinat në kryeqytet. Kjo është një fitore për interesin publik dhe për të gjithë qytetarët që meritojnë një qytet të pastër dhe një shërbim të mirëfilltë. Me këtë vendim, i jepet fund një bllokade të padrejtë që kishte për qëllim sabotimin e procesit të prokurimit, i zhvilluar me procedurë të hapur dhe në përputhje të plotë me ligjin”, ka shkruar kryetari Rama.
Ndaj deklarimit të Ramës ka reaguar drejtoresha e organizatës INPO, Albulena Nrecaj, që tha se ai po e manipulon opinionin publik.
“Kryetari i Kryeqyteti Prishtina manipulon (me thënë më së lehti) opinionin publik, duke thënë se OShP-ja qartazi i ka dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës në rastin e kontestit me kompaninë Pastrimi. Kryetar, OShP ka thënë që nuk është juridiksion i imi lënda. Këtë qarte e ka thënë në dispozitiv të vendimit. Askund në vendim nuk thuhet se ju keni të drejtë dhe mund të vazhdoni me procedura. ndaj mos manipuloni!”, ka shkruar drejtoresha e INPO.
Por, ndaj vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit të hënën ka reaguar edhe rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET, ku tha se ky vendim bie ndesh me qëllimin e ekzistencës së Organit.
“Vendimi i OSHP-së bie ndesh me vetë qëllimin e ekzistencës së këtij institucioni, që është mbrojtja e interesit publik dhe ligjshmërinë e procedurave të prokurimit. Duke mos e vlerësuar në asnjë moment pretendimin për shkeljen e nenit 9 të Ligjit për Prokurim Publik, që ankuesi kishte si pretendim, OSHP ka kryer një shkelje të rëndë procedurale, pasi ka dështuar të adresojë një prej çështjeve kyçe të ngritura në ankesën e KRM ‘Pastrimi’. Ky nen obligon autoritetet publike që para çdo procedure tenderimi të shqyrtojnë nëse shërbimi mund të ofrohet nga një autoritet tjetër publik. Në rastin konkret, ekziston një autoritet publik, KRM “Pastrimi”, i cili tashmë ofron shërbimin, Komuna e Prishtinë posedon 77.4% të aksioneve dhe ka kapacitete të dëshmuara për ta kryer atë shërbim në mënyrë efikase. Fakti që OSHP e ka injoruar këtë detyrim ligjor, duke mos e shqyrtuar fare thelbin e problemit, përbën një dështim institucional”, thuhet në reagim.
Kompania “Pastrimi” tha se vendimi i OSHP-së që s’ka juridiksion ta shqyrtojë çështjen është i paprecedentë dhe i pajustifikueshëm “duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një kontest të prokurimit publik, që hyn drejtpërdrejt në fushëveprimin e këtij institucioni”.
Sipas “Pastrimit”, vendimi i Organit s’i jep të drejtë veprimeve të Komunës së Prishtinës “duke ia lënë në kompetencë gjykatave dhe organeve tjera që mbikëqyrin kundërligjshmëritë”.
“Aktgjykimi i Gjykatës Supreme i ka dhënë përgjigjen përfundimtare Komunës së Prishtinës në ndalimin ligjor për angazhimin dhe tenderimit për çështjen e mbeturinave, dhe për këtë edhe ky qëndrim i OSHP-së nuk ka trajtuar çështjen sipas parimit bazë nga ajo çka ka vendos Gjykata Supreme. KRM ‘Pastrimi’ do të dorëzojë ankesë ndaj këtij vendimi dhe do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtën e saj dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe të paanshëm, siç e garanton ligji. Çdo veprim tjetër i Komunës së Prishtinës nga ajo çka përcakton Vendimi i Gjykatës Supreme është i jashtligjshëm. Nuk do të lejojmë falimentimin e KRM ‘Pastrimi’ Sh.A. për të cilën Komuna qëllimisht po insiston për gjë të tillë”, thuhet tutje në reagim.