Arbëri

Osmani: Aganin e vrau makineria gjenocidale serbe që frikësohej nga mençuria e tij

Fehmi Agani

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar akademik Fehmi Aganin në përvjetorin e 26-të të vrasjes së tij. 

Agani është vlerësuar si një prej mendjeve më të ndritura të rezistencës paqësore. 

Osmani ka thënë se Aganin e ka vrarë makineria gjenocidale serbe që frikësohej nga mençuria e tij.

“Ai besoi te fuqia e vlerave njerëzore edhe në kohën kur bota heshti përballë krimeve të Serbisë në Kosovë. E vrau pikërisht ajo makineri gjenocidale serbe e cila frikësohej nga mençuria e tij që ngjallte shpresë. Kujtimi dhe vizioni i tij mbetet udhërrëfyes për brezat që besojnë se liria dhe dinjiteti mbrohen me çdo kusht”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Agani është përkujtuar edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se profesor Agani mbetet një prej figurave kryesore në hartimin e strategjisë paqësore të rezistencës kosovare, duke u bërë zëri i arsyes dhe urtësisë në ditët më të errëta për vendin. 

“Vrasja e tij, ishte përpjekje për të goditur boshtin politik dhe intelektual të Kosovës. Sot, në 26 vjetorin e vrasjes së tij, e kujtojmë me pietet figurën e tij madhore dhe veprën e tij. Trashëgimia që ai la pas është udhërrëfyes i përhershëm në rrugëtimin tonë për ndërtimin e një Kosove me një të ardhme më të mirë, të drejtë dhe të denjë për sakrificat e bijve më të mirë të saj”, ka shkruar ai.