Arbëri

Osmani: Çështja e personave të zhdukur të prioritizohet në takimin e radhës për Procesin e Berlinit

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe presidentja Vjosa Osmani

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe presidentja Vjosa Osmani

Osmani: Çështja e personave të zhdukur të prioritizohet në takimin e radhës për Procesin e Berlinit

Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar rëndësinë që çështja e personave të zhdukur me dhunë të zë vend qendror në agjendën e Procesit të Berlinit gjatë takimit të ardhshëm që do të mbahet në Britaninë e Madhe në vjeshtë, gjatë një takimi me ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Në takim me Hargreavesin, sipas njoftimit të Presidencës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në domosdoshmërinë e konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt. Të dy palët rikonfirmuan përkushtimin për forcimin e raporteve bilaterale dhe bashkëpunimin në fusha të interesit të përbashkët si ekonomia dhe mbrojtja, në vazhdën e dakordimeve të arritura gjatë vizitës së fundit në Kosovë të sekretarit të Jashtëm britanik, David Lammy.

Osmani kërkoi që në kuadër të Procesit të Berlinit të prioritizohet çështja e personave të zhdukur me dhunë, duke e cilësuar këtë si detyrim moral dhe ligjor, të domosdoshëm për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajon.

Gjithashtu, u diskutua edhe për zhvillimet politike në Kosovë, ku u dakordua se duhet sa më parë të formohen institucionet.

U fol edhe për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), me synimin për një rol më aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në përkrahje të përfshirjes së grave në proceset paqësore dhe në vendimmarrje.

“Në fund të takimit, Osmani shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, si dhe për ndihmën në avancimin e proceseve demokratike dhe të integrimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet tutje në njoftim.

Procesi i Berlinit si iniciativë diplomatike u nis në vitin 2014 nga Gjermania, me qëllim të përshpejtimit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Synon të forcojë bashkëpunimin rajonal, të promovojë stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe pajtimin mes shteteve të rajonit, si dhe të përgatitë më mirë këto vende për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në kuadër të këtij procesi janë zhvilluar një sërë nismash, përfshirë: krijimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), që promovon shkëmbimin dhe mirëkuptimin mes të rinjve të rajonit; mbështetjen për projekte infrastrukturore dhe ndërlidhëse në transport e energji; nënshkrimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime, si dhe njohjen reciproke të diplomave universitare dhe profesionale, si hapa drejt krijimit të një tregu të përbashkët rajonal. Kosova e ka akuzuar vazhdimisht Serbinë se nuk i ka zbatuar marrëveshjet e arritura në këtë proces.