Arbëri

Osmani ia kërkon Papa Leonit njohjen e pavarësisë së Kosovës

Vjosa Osmani (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Papa Leonit që Selia e Shenjtë ta njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, gjatë një takimi të zhvilluar në Vatikan, të cilin e cilësoi si shumë domethënës për marrëdhëniet mes dy palëve.

Pas takimit të shtunën, në një video të postuar në Facebook, Osmani ka thënë se kjo ishte një ditë e rëndësishme për raportet ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit, duke bërë të ditur se, përveç takimit me Papën, kishte zhvilluar bisedime edhe me kardinalin Pietro Parolin.

“Në takimin me Shenjtërinë e Tij, paraqita shpresën dhe besimin e të gjithë popullit të Kosovës se Vatikani më në fund do ta marrë vendimin e shumëpritur për ta njohur Republikën e Kosovës, duke njohur edhe vuajtjet e gjata të popullit tonë për të jetuar i lirë dhe i pavarur”, u shpreh Osmani.

Ajo theksoi se një vendim i tillë do të kishte ndikim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien në rajon.

Presidentja Osmani vuri në pah edhe lidhjet historike të Kosovës me krishterimin, duke theksuar se toka dardane i ka dhënë botës figura të shquara si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Shën Nënë Tereza, Perandorin Konstantin dhe Justinianin, si dhe personalitete të tjera të rëndësishme për historinë e humanizmit dhe qytetërimit evropian.