Arbëri

Osmani në Japoni: Mbështetja juaj nuk do të harrohet kurrë

Vjosa Osmani

Fotot: Arben Llapashtica

Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Japoni ka thënë se mbështetja e këtij shteti për popullin e Kosovës, pas luftës dhe në faza të rindërtimit, nuk do të harrohet kurrë.

Osmani po qëndron në Japoni për shënimin e Ditës së Kosovës në Ekspozitën Botërore Expo 2025 në Osaka. Atje është pritur nga ministri Naoki Okada, përgjegjës për Expo Osaka 2025.

“Mbështetja e Japonisë për popullin tonë, veçanërisht pas luftës dhe në shumë faza të rindërtimit, nuk do të harrohet kurrë. Ajo ka formuar një themel të fortë miqësie dhe partneriteti që gëzojmë sot, një miqësi, një miqësi që mbështetet në vlera të përbashkëta, por edhe në vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen. Ndërsa Kosova vazhdon rrugën e saj të zhvillimit në angazhimin ndërkombëtar, do të presim me padurim të kemi partneritet të thellë, në të gjitha institucionet, akademitë, biznese, si dhe në kulturë”, u shpreh Osmani.

Pos Osmanit, fjalim mbajti edhe ministri Okada, i cili ka thënë se relacionet me Kosovën vazhdimisht po forcohen dhe ka përmendur edhe medaljet që Kosova ka fituar në xhudo.

“Që nga njohja e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran nga Japonia në vitin 2008, Japonia e ka mbështetur vazhdimisht shtetin, veçanërisht që nga viti 2018 Japonia është angazhuar në bashkëpunime të ndryshme ekonomike me Kosovën dhe përpjekjet e saj për një zhvillim kombëtar, paqe dhe stabilitet në rajon, dhe rrugën drejt BE-së”, ka thënë Okada, transmeton Ekonomia Online.

Me Osmanin, në Osaka është edhe një delegacion biznesor nga Kosova e përfaqësues të Filharmonisë. Osmani ka thënë se zëri i Kosovës si zë i rinisë, qëndresës, inovacionit, kulturës dhe vlerave që nuk zbehen është dëgjuar sot në zemër të Japonisë.