Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar fotografi me liderë botërorë, të cilët i ka takuar në pritjen që ua ka bërë presidenti amerikan, Donald Trump, në New York, në kuadër të javës së Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ajo ka publikuar fotografi me sekretarin amerikan Marco Rubio, kryeministrin e Kanadasë Marc Carney, presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan, e udhëheqësit e Polonisë, Australisë, Argjentinës, Zvicrës e të shteteve të tjera.
“Në pritjen e Presidentit Trump në New York, krah liderëve të tjerë botërorë – diskutime të rëndësishme në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë!” ka shkruar ajo në Facebook.
Osmani, që ka qëndruar në SHBA gjatë kësaj jave në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më herët gjatë ditës ka njoftuar edhe për takimin me presidentin Trump. Osmani ka shpërndarë fotografinë me Trumpin, ku shihen edhe bashkëshortët e të dyve. Ajo ka thënë se ka pasur “bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtjesore” me homologun amerikan.
“Një takim i planifikuar si protokollar me presidentin Trump u shndërrua në një bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtjesore. Faleminderit presidentit Trump për interesimin e veçantë që tregoi rreth rolit të pazëvendësueshëm të Amerikës në Kosovë dhe në rajonin tonë, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Këtë muaj, Ambasada e SHBA-së në Kosovë njoftoi se ka pezulluar dialogun e planifikuar strategjik, me arsyetimin se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”. Më pas, një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit i tha KOHËS se “vija e kuqe” u shkel, me përpjekjen për t’ia pamundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.
Por, Kurti ka thënë se Qeveria ka dallime me SHBA-në vetëm për çështje që lidhen me Serbinë dhe me veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Ndërkaq, ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë dhe të zhvillimit.
E, presidentja Osmani, pas takimit me presidentin Trump, ka folur për raporte të forta mes të dyja shteteve.
“Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm”, ka shkruar Osmani. “Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-në, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”.
Gjatë vizitës në New York, presidentja ka mbajtur fjalim në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane, ku ka folur për rrugëtimin e Kosovës nga mbijetesa në liri, për kontributin e ushtarëve amerikanë dhe për aleancën historike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara. Gjatë fjalimit, Osmani tha se ishte SHBA-ja dhe NATO-ja, që Kosovën e çuan në liri dhe në shtet të sigurt.
Presidentja ka njoftuar se, gjatë vizitës në New York, ka marrë pjesë edhe në takimin e Fondit Global për Angazhim dhe Qëndrueshmëri të Komunitetit (GCERF). Në këtë takim, ajo tha se ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës për të luftuar terrorizmin dje ekstremizmin e dhunshëm.