Arbëri

Osmani: Serbia në vazhdimësi bën përpjekje për dëmtim të sovranitetit të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur të enjten fjalim para studentëve në Universitetin e Berlinit në Gjermani. Atyre u ka folur për përpjekjet e Serbisë për dëmtim të Kosovës, si dhe për rrugën e shtetit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia në vazhdimësi është duke bërë përpjekje për dëmtimin e sovranitetit të Kosovës.

Në fjalimin e mbajtur të enjten para studentëve në Universitetin e Berlinit, Osmani është shprehur se këto përpjekje të shtetit serb bëhen nëpërmjet destabilizimit të situatës, dezinformimit, por edhe duke përkrahur grupe terroriste kriminale.

“Qëllimi është të kthehet prapa verdikti i historisë për të zhbërë çdo gjë të demokracive. Kosova nuk do të frikësohet. E dimë sesi veprojnë agresorët, se çfarë bëjnë dhe çka do të bëjnë nëse nuk i ndalim ne së bashku. Përfundimisht, përgjigjja ndaj dhunës është sundimi i së drejtës. Përgjigjja ndaj propagandës është e vërteta. Përgjigjja ndaj frikës është guximi i përbashkët dhe i ringjallur. Më me rëndësi, përgjigjja ndaj agresorit që maskohet si paqebërës është të kesh aleanca të forta”, ka theksuar ajo.

Osmani ka folur edhe për synimin e Kosovës që të bëhet sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian (BE) teksa ka shtuar se zgjerimi i bllokut nuk duhet të vonohet.

“Çdo vonesë trimëron ata që nuk e kanë të njëjtën vlerë që e kemi ne. Kosova nuk kërkon privilegje. Kosova kërkon drejtësi për proces meritor dhe as shkurtesa. Një rrugë, shteg i qartë, kredibil, por respekt për punën që kemi bërë dhe reformat që vazhdojmë t’i ndërmarrim”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar po ashtu se ka ardhur koha që Ballkani Perëndimor të shihet nga BE-ja si potencial e jo si barrë.

“Sa më shumë që rajoni ynë lëviz drejt BE-së, aq më shumë do të ketë paqe dhe siguri. Dhe kjo është e mirë për gjithë BE-në dhe kontinentin”, ka thënë Osmani.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova është prapa në rrugën evropiane, pasi është vendi i vetëm që nuk e ka as statusin e vendit kandidat. Prishtina zyrtare e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithëkëtë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian (KE).