Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

OVL-UÇK: Kurti po i bën kompromiset për të cilat të tjerët i akuzonte për tradhti

Kurti OVL Veteranet UCK Kurti - UCK

Foto-ilustrim: KOHA

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka cilësuar hipokrizi politike të kryeministrit Albin Kurti për dakordimin që zbatimi i Ligjit për të huajt dhe për automjete të nisë me lehtësira për serbët që punojnë në institucionet paralele apo që studiojnë në universitetin në veri.

Në një komunikatë për media, OVL-UÇK-së e ka cilësuar këtë vendim si “skandal të rëndë politik dhe moral”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës reagon ashpër ndaj hipokrizisë politike të kryeministrit Albin Kurti, i cili për vite me radhë ka ndërtuar karrierën e tij mbi retorikë patriotike, ndërsa sot po konfirmohet sërish se në prapaskenë ka negociuar hapësira të reja për strukturat ilegale të Serbisë brenda shtetit të Kosovës. Është skandal i rëndë politik dhe moral që Kurti para qytetarëve dhe para botës deklaron se strukturat paralele të Serbisë janë shuar, ndërkohë që në realitet po krijon mekanizma që u japin atyre rol në zbatimin e ligjeve të Republikës së Kosovës. Kjo nuk është politikë shtetformuese, por mashtrim i pastër ndaj qytetarëve dhe ndaj vetë shtetit tonë”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK ka thënë se Qeveria Kurti po i bën kompromiset për të cilat të tjerët i ka akuzuar për tradhti kombëtare.

“Qeveria Kurti po e rikonfirmon vazhdimisht se e gjithë retorika e saj për “sovranitet” dhe “mbrojtje të shtetit” ka qenë vetëm propagandë për konsum politik. Në praktikë, kjo qeveri e ka izoluar Kosovën nga aleatët e saj kryesorë dhe tani po përfundon duke bërë pikërisht kompromiset për të cilat për vite të tëra i ka akuzuar të tjerët për tradhti kombëtare”, thuhet më tej në reagim.

Veteranët kanë thënë se nuk do të heshtin “përballë politikave të Qeverisë Kurti që relativizojnë sakrificën e luftës çlirimtare dhe që hapin derën për ndikimin e Serbisë brenda institucioneve të Kosovës”.

“Shteti i Kosovës nuk është pronë e asnjë qeverie dhe nuk do të lejojmë që ai të përdoret si instrument propagande për pushtet. Kosova është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së dhe jo mbi pazare politike në prapaskenë. Çdo përpjekje për ta cenuar këtë sakrificë do të përballet me reagimin e veteranëve të UÇK-së dhe të të gjithë atyre që e konsiderojnë këtë shtet si amanet të luftës çlirimtare”, thuhet në reagim.

Të shtunën në mëngjes, Qeveria është pajtuar që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri. Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj. Vendimi nxiti reagimin e opozitës, por u mirëprit nga ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Lexo përditësimet tjera
Albin Kurti - Peter Sorensen

Ligji për të huajt nis së zbatuari me masa lehtësuese