Arbëri

Palokaj: Komisioni Evropian po bën lojë të dyfishtë me masat ndaj Kosovës

Lojë të dyfishtë me Kosovën e ka cilësuar zvarritjen e heqjes së masave të Bashkimit Evropian, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, në ditën kur në Bruksel u miratuan konkluzat për shtetet që janë pjesë e procesit të zgjerimit, e që për Kosovën përshëndetet heqja e masave të BE-së. Edhe pse nuk sqarohet se kur do të hiqen në tërësi, Palokaj ka kujtuar se për dallim nga tash, ato ishin vendosur me shpejtësi.

Në “60 Minuta” në KTV, Palokaj ka thënë se konkluzat u miratuan në emër të Presidencës së BE-së, në mënyrë që të evitohet bllokada që e ka bërë Hungaria për shkak se nuk u pajtuar me konkluzat që kanë të bëjnë me Ukrainën.

“Janë miratuar konkluzat në emër të presidencës së Bashkimit Evropian. Ky formulim i konkluzave është bërë në mënyrë që të evitohet bllokada që ka bërë Hungaria për shkak se nuk është pajtuar me pjesën e konkluzave që ka të bëjë me Ukrainën. Konkluzat në tërësi kanë mbi 30 faqe dhe përfshijnë të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit. Prandaj ato janë miratuar si konkluza të presidencës së Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Palokaj.

Palokaj po ashtu ka thënë se ndonëse jepen shenja se mund të hiqen të gjitha masat, megjithatë nuk sqarohen të gjitha procedurat dhe tashmë gjithçka është në dorë të Komisionit Evropian.

“Në ato konkluza, përshëndetet heqja e masave të mbetura ndaj Kosovës dhe ky formulim është bërë pasi është konstatuar se është bërë transferimi i duhur u pushtetit lokal në katër komunat në veri të Kosovës. Ky formulim ndonëse jep shenja se mund të hiqen të gjitha masat nuk i sqaron deri në fund të gjitha procedurat pasi që tash gjithçka është në dorë të Komisionit Evropian. Komisioni Evropian tani pritet t’i heqë masat. Disa shtete do të donin të hiqen të gjitha, disa shtete nuk do të donin të hiqen një pjesë dhe heqja të bëhet në mënyrë graduale. Ka edhe shtete që insistojnë që masat të mos hiqen deri në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare më 28 dhjetor”, ka deklaruar Palokaj.

Palokaj ka deklaruar po ashtu se është duke u parë qartë që nuk ka vullnet të plotë nga Komisioni Evropian që masat të hiqen tërësisht sepse po të donte Komisioni Evropian nuk do të kishte nevojë as për konkluzat e sotme. Palokaj kujtoi se masat u vendosën me shpejtësi, por për heqjen e tyre Komisioni Evropian po “fshihet” prapa shteteve që nuk kanë pajtueshmëri për heqjen e këtyre masave. Kësisoj Komisioni Evropian, sipas tij, po bën lojë të dyfishtë.

“Po të donte Komisioni Evropian, nuk do të kishte nevojë as për konkluzat e sotme që të heqë masat sepse kur u desh të vendosen masat ato u vendosën nga Komisioni Evropian me shpejtësi të madhe. Tash për heqjen e tyre po diskutohet tash e një vit dhe akoma nuk janë hequr. Janë hequr vetëm në mënyrë simbolike disa siç është zhbllokimi i punës së nënkomisionit nga marrëveshja e stabilizim asociimit. Mirëpo është e qartë se disa vende si Franca e Italia, të mbështetura nga disa të tjera si Greqia, Spanja e Sllovakia nuk duan të hiqen masat në tërësi në mënyrë që të kenë një vegël për ta mbajtur nën presion Kosovën. Është e qartë se nuk ka vullnet të plotë nga Komisioni Evropian që masat të hiqen tërësisht. Mendoj se Komisioni Evropian po bën lojë të dyfishtë, në një anë shpreh gatishmërinë për të hequr 50% të masave që do të ishte në vlerë prej 200 milionë eurosh fondesh që do të hapeshin e kanë qenë të pezulluara, e në anën tjetër fshihet prapa këtyre vendeve që kundërshtojnë duke thënë se nuk kanë pajtim të plotë të gjitha vendet”, ka deklaruar Palokaj.