Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Parlamenti Evropian shumë qartë dhe ashpër ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Derisa ka folur të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së për miratimin e raportit të Kosovës nga Parlamenti Evropian, ai ka thënë se të rëndësishme janë porositë kryesore politike në këtë proces.
Ai ka përmendur edhe rastin e Banjskës si një ndër shqetësimet dhe porositë e dhëna për Serbinë.
“Parlamenti Evropian shumë qartë dhe mjaft ashpër ka kërkuar që masat të hiqen menjëherë sepse thuhet edhe në këtë rezolutë që ato më nuk mund të justifikohen sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për heqjen e tyre... Rëndësi kanë porositë kryesore politike. Porosia e parë është që mbështetet fuqishëm aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE. Parlamenti Evropian kërkon nga Këshilli që ta mandatojë Komisionin Evropian për të nisur punën për dërgimin e pyetësorit dhe për përpilimin e përgjigjes rreth dhënies së statusit të kandidatit për Kosovën. Shprehet keqardhje për keqësimin e gjendjes së mediave në Kosovë sipas raporteve ndërkombëtare. Kërkohet vazhdim i reformave dhe shprehet keqardhje pse nuk ka pasur avancim nga ana e Serbisë, sidomos për ndjekjen e atyre që janë përgjegjës për sulmet në Banjskë”, ka thënë ai.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Palokaj ka thënë se porosia e PE-së ka qenë që të dyja vendet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë për të normalizuar raportet përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese por të bazuar në njohje të ndërsjellë.
Sipas tij, nuk pritet të ketë hapa në këtë proces pa stabilitet politik brenda të dyja vendeve, marrë parasysh mosformimin e institucioneve në Kosovë, si dhe përballjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me protesta brenda vendit.