Qeveria është përballur me reagime të shumta pas vendimit për mbështetje financiare prej 100 eurosh për disa kategori të shoqërisë, pak para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Partitë opozitare, përfaqësues të punëtorëve dhe organizata të shoqërisë civile kanë vlerësuar se kjo masë ka karakter elektoral dhe kanë ngritur dyshime për bazën ligjore të saj. Ndërkohë, nga komuniteti i biznesit janë kërkuar politika më afatgjata ekonomike në vend të pagesave të njëhershme
Vendimi i Qeverisë që në prag të zgjedhjeve të ndajë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, punëtorët e sektorit privat dhe studentët u kritikua si masë për blerje votash nga opozita, sindikatat e shoqëria civile.
Ky vendim u kontestua edhe nga ana ligjore me meqë ndarja e këtyre mjeteve nuk ishte paraparë me buxhetin e vitit 2026.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë organizatën Demokracia në Veprim kanë thënë se vendimi duhet të jetë subjekt i trajtimit nga mekanizmat përgjegjës për mbrojtjen ligjshmërisë së procesit zgjedhor dhe administrimit të parasë publike.
“DnV rikujton që Kuvendi i Kosovës nuk kishte miratuar iniciativën për plotësim-ndryshimin e ligjit për buxhetin, në kuadër të së cilit ishin paraparë mjete për një pako të tillë financiare. Prandaj, në këtë drejtim ky vendim paraqet edhe tejkalim të dispozitave të Ligjit për Qeverinë, i cili kufizon qartazi mandatin e një qeverie në detyrë në marrjen e vendimeve me implikime financiare, sidomos kur ato nuk burojnë nga planifikimi i rregullt vjetor dhe nga buxheti aktual”, thuhet në reagim.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të datës 25 prill pati dështuar rishikimi i Buxhetit, me të cilin Qeveria kërkoi autorizim që me Ligj të mundësohet ndarja e 122 milionë eurove për mbështetje të qytetarëve.
Këto mjete, nga Ekzekutivi ishte thënë se do ta kompletonin pakon mbështetëse për përballje me inflacionin prej 200 milionë eurove.
Këtë pako Qeveria e pati dërguar në Kuvend dy muaj e gjysmë pas formimit, e tri ditë para përfundimit të afatit kushtetues për funksionim të Kuvendit, megjithëse pati qenë një ndër pesë vendimet e para që Qeveria Kurti ishte zotuar t’i merrte sapo të formohej.
Në reagimin e tij të premten, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Vetëvendosje po përdor çdo mjet të mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet.
“Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit! Populli i Kosovës nuk blihet”, deklaroi Abdixhiku.
Ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e ka vlerësuar si vepër penale këtë ndarje të mjeteve dhe i ka kërkuar Prokurorisë që të nisë hetime.
“Prokuroria duhet tani të zbarkojë në Qeverinë e Kosovës. Kjo është blerje klasike e votës, është ndikim i drejtpërdrejtë te votuesit. Sipas Kodit Penal të Kosovës: “keqpërdorimi i varësisë ekonomike/profesionale ndikon te votuesi për të votuar në një mënyrë të caktuar ose të mos votojë, dënohet me 1 deri në 5 vjet burgim””, ka theksuar Behrami.
Për këtë ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili e ka akuzuar Qeverinë se vendimi për këto shtesa prej 100 eurosh është marrë për arsye elektorale dhe jo për mbështetje reale të punëtorëve.
“Qeveria nuk e ka bërë nga vullneti, po e ka bërë nga përfitimet e saj personale, sepse ju e dini që jemi në prag të zgjedhjeve. Unë kam menduar që minimumi çka do të bëhej do të ishte së paku ndarja e një gjysmë page për punëtorët e sektorit privat, por të bien në nivelin e 100 eurove, kjo me të vërtetë është qesharake dhe jo njerëzore”, ka deklaruar Azemi.
Ndërkaq Oda Ekonomike Amerikane ka shprehur shqetësim se me masat që ka marrë Qeveria ofrohen lehtësira afatshkurtra por nuk adresohen faktorët e nevojshëm strukturorë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
“Në vend të pagesave të përkohshme dhe të njëhershme, fokusi duhet të zhvendoset drejt investimeve në infrastrukturë dhe në politika që forcojnë ekosistemin e sektorit privat”, ka vlerësuar Oda Ekonomike.
Edhe vjet, 3 ditë para rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, Qeveria pati ekzekutuar 100 euro për grupin e parë të studentëve.
Ndërkaq 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, pati ekzekutuar 100 euro për grupin e dytë të studentëve.
E një ditë pas, kryeministri Albin Kurti, e pati dhënë paralajmërimin se në ditën e parë pas zgjedhjeve do të ndajë nga 100 euro për fëmijë dhe pensionistë.