Arbëri

Partitë politike e qytetarët harruan për disa orë pandeminë

Derisa shumë shtete të rajonit janë duke u përballur me valë të re infektimesh me COVID-19, Kosova në ditën e zgjedhjeve e shpërfilli këtë fakt.

Mbrëmjen e së dielës, menjëherë pas publikimit të rezultateve të para, qytetarë të shumtë u mblodhën në qendra të shumicës së komunave, të cilat u ballafaquan me raundin e dytë të zgjedhjeve.

Prishtina, Prizreni, Podujeva e Drenasi ishin ndër komunat ku qindra qytetarë festuan pa distancë e pa maskë, madje edhe në sy të zyrtarëve policorë e të kryetarëve, që për shumë kohë po përpallen me pandeminë.

Nga Agjencia e Ushqimit e Veterinarisë kanë thënë se nuk kanë gjobitur ndonjë parti politike, sepse këtë do të duhej ta bënte Policia e Kosovës dhe se inspektorët e këtij institucioni kanë inspektuar respektimin e masave gjatë ditës në qendrat e votimit.

Derisa nga Policia e Kosovës nuk kanë treguar nëse kanë gjobitur ndonjë parti politike apo organizatorët e festave, duke thënë se policia në baza ditore gjobat për mosrespektim masash anti-COVID, përfshirë edhe ato të së dielës, ajo publikon raportin 24 orësh, ku për atë kohë kanë qenë 263 gjoba.

Masat anti-COVID nuk u respektuan as gjatë kohës së fushatës 5-ditore, në sy të atyre që vetë votuan pro masave.

Megjithatë, ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, nuk pati ndonjë koment për këtë, derisa vetë kryeministri i Kosovës u mundua ta arsyetojë këtë me numrin e të vaksinuarve.
“Është tejet e rëndësishme që edhe më tutje të mbajmë distancën fizike të ruajmë higjienën, e të mbajmë maskën”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Në Prishtinë kam ardhur pardje, në ditën kur është mbaru fushata, ne duhet të ruhemi, koronavirusi nuk ka shkuar askund”, tha ministri Latifi.

Grumbullimet e shumë personave Kosovës i kushtuan me valë të re infektimesh edhe gjatë verës, kur mijëra bashkatdhetarë erdhën në Kosovë, e po ashtu edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve nacionale të shkurtit.