Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Partitë i publikojnë listat e kandidatëve për deputetë

Më 2025, qytetarëve u është dashur 4 herë t’ua mësyjnë kutive të votimit. Dy herë për zgjedhje nacionale dhe në dy runde të zgjedhjeve lokale

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëri të Kosovës kanë publikuar listat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. 

Të martën ishte afati i fundit për dorëzimin e listës së kandidatëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Albin Kurti do t’i prijë listës së Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Top 10 janë edhe Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla, Mimoza Kusari Lila, Hajrulla Çeku e Shqipe Memeti Selimi. 

Në listë nuk janë emra si Besnik Bislimi e Hysen Durmishi. Durmishi në një postim në Facebook tha se vetë ka vendosur të mos jetë pjesë e listës. Në listën e Vetëvendosjes me numër 15 është Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushevci.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëri të Kosovës kanë publikuar listat e kandidatëve për deputetë me të cilat do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. 

Bartëse e listës së LDK-së është ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa në Top 10 në listë nuk janë emrat si Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami. Hoti do të mbajë numrin 11 e Bajrami 12. Në krye të listës është Vjosa Osmani, teksa numri dy do të jetë Lumir Abdixhiku. Dhjetëshen e parë e kompletojnë Kujtim Shala, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku-Sadriu, Albena Reshitaj, Ukë Rugova, Jeta Statovci e Anton Quni.

“Numri i vetëm që ka rëndësi është numri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Numrat e tjerë i përcaktojnë qytetarët”, ka shkruar Hoti.

“Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale. Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret; për qytetarin që kërkon llogari nga qeveria; për biznesin që nuk pengohet nga politika dhe për institucione që nuk kapen nga partitë.  Kauza ime është Kosova shtet i fortë dhe këtë kauzë mund ta çojë përpara vetëm LDK-ja, me njerëzit e saj, LDK-ja që i mbron parimet e veta dhe nuk harron pse ekziston”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka proklamuar “bashkimin e madh”. Në listë është kthyer Osmani dhe me vete ka sjellë edhe disa emra nga ish-partia e saj Guxo. Por, "bashkimi  i madh" ka hasur në rezistencë nga brenda LDK-së. Të hënën dega e LDK-së në Podujevë e nominoi ish-kryetarin e Podujevës, Agim Veliu, si kandidat për deputet. Por, Veliu nuk e pranoi nominimin ndërsa kritikoi Abdixhikun. 

E kritika të martën ka pasur edhe Melihate Tërmkolli. 

“Dmth, unë Melihate Tërmkolli, ndër të parët e LDK-s, në temele të saj e para saj, me një jetë të tërë plot sakrifica, punë e kontribute për liri e shtet, me plot rreziqe jetësore në të gjitha fazat politike, gjithherë me qëndrime të qarta politike kombëtare, me punu sot për zuzen e sorosave që e kanë grabitë LDK-n, për Lulmira, Vjosa, e krejt udhëheqjen e saj, për tuxharitë e multi milionat e tyre a?! E valla jo!” – ka shkruar Tërmkolli në Facebook.

Te AAK-ja bartës i listës është Ardian Gjini, ndërsa Ramush Haradinaj garon me numrin 11. Sot është afati i fundit për dorëzimin e listave nga partitë politike.

Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se s'do të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit. E Partia Socialdemokrate në këto zgjedhje do të garojë me 6 kandidatë. 

PDK-ja publikon listën

1 muaj më parë / 13 maj 2026 12:24
Bedri Hamza

Bedri Hamza

Photo: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka publikuar listën me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit të mërkurën në mesditë. Ishte partia e vetme që nuk e publikoi listën dje.

Listës do t’i prijë kandidati për kryeministër Bedri Hamza, ndërsa pas tij do të renditen Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Përparim Gruda e Arian Tahiri që në zgjedhjet e kaluara ishte i 30-i. Dhjetëshja kompletohet Besa Kabashi-Ramaj, Rrahman Rama, Arben Mustafa, Sala Jashari e Enver Hoxhaj.

Pjesë e listës do të jetë edhe Nait Hasani, i cili ishte prej më të përfolurve për manipulime me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Bashkë me Fetah Paçarizin, ishin dy kandidatët me më së shumti vota që dyshohet të jenë të manipuluara.

Për të ka reaguar kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili ka thënë se dega nuk e ka propozuar asnjë që është i dyshuar për manipulime me vota, por është vendim i Kryesisë në qendër. 

Totaj: Në listën e PDK-së janë përfshirë kandidatë që u komprometuan më 28 dhjetor

1 muaj më parë / 13 maj 2026 09:53
Shaqir Totaj

Edhe pse Partia Demokratike e Kosovës ende nuk e ka publikuar zyrtarisht listën e kandidatëve për deputetë, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka zbuluar se në listën përfundimtare janë përfshirë edhe kandidatë emrat e të cilëve janë përmendur në procesin e komprometuar të numërimit të votave në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit 2025. Këtë vendim, sipas tij, e ka marrë Kryesia e partisë në qendër. 

Në një reagim në Facebook, Totaj ka thënë se pas deklaratës së kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili kishte kërkuar reflektim dhe përgjegjësi politike pas zhvillimeve që shoqëruan zgjedhjet, dega e PDK-së në Prizren ka reflektuar dhe ka vepruar me përgjegjësi morale dhe politike.

Sipas tij, personat që u përmendën në procesin e numërimit të kontestuar nuk janë propozuar nga dega e Prizrenit për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa disa prej tyre janë tërhequr publikisht nga gara deri në përfundimin e procedurave ligjore.

“Megjithatë, në listën përfundimtare të PDK-së janë përfshirë kandidatë emrat e të cilëve janë përmendur në procesin e komprometimit të numërimit të votave”, ka shkruar Totaj në Facebook.

Dy nga emrat e propozuar nga dega e PDK-së në Prizren, Nait Hasani dhe Fetah Paçarizi, rezultuan ndër kandidatët me më së shumti vota të vjedhura në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Totaj theksoi se dega e PDK-së në Prizren do ta vazhdojë garën zgjedhore me përkushtim dhe kontribut maksimal.

Ai publikoi edhe listën e kandidatëve të propozuar nga dega e Prizrenit për zgjedhjet e 7 qershorit: Faruk Bojaxhiu, Jona Hoxhaj, Shkelzen Kastrati, Endra Luzha-Pula, Adelina Beqiri-Minci, Betim Ramadani, Lumnije Rakaj, Xhafer Hoxha dhe Lajde Kolgjeraj.

PDK-ja mbetet deri tani partia e vetme e madhe në vend që ende nuk e ka publikuar zyrtarisht listën e kandidatëve për deputetë.