Pas paralajmërimeve për përkeqësim të motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve të sektorit me rrezikshmëri të lartë, që të ndërmarrin të gjitha masat për garantim të sigurisë në vend të punës.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) dhe Organizata Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX), kanë paralajmëruar për reshje intensive, stuhi, breshër dhe erëra të forta në Kosovë.
Inspektorati ka kërkuar nga punëdhënësit sidomos të sektorit të ndërtimtarisë që të kontrollojnë qëndrueshmërinë fizike të kranëve dhe pajisjeve të tjera ngritëse.
“Punëdhënësit duhet të kryejnë kontrollin e pajisjeve dhe mjeteve të punës, ndërsa në mënyrë të veçantë, ata që operojnë në sektorin e ndërtimtarisë duhet të sigurohen për gjendjen teknike dhe qëndrueshmërinë fizike të kranëve dhe pajisjeve të tjera ngritëse në vendpunishte, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe garantimit të sigurisë së punëmarrësve”, thuhet mes tjerash në kërkesat e publikuara në Facebook.
Sipas IHMK-së gjatë orëve të mesditës dhe pasdites do të zhvillohen vranësira konvektive, të cilat vende-vende do të shoqërohen me reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh.
Instituti bën të ditur se në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e rrebesheve më intensive, erërave të përkohshme të fuqishme dhe paraqitjes së breshrit.
Edhe
Kosova nën alarm për mot të ashpër
Paralelisht me këtë paralajmërim, Organizata Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX), e cila monitoron motin e ashpër në Evropë, ka lëshuar një alarm të nivelit 3, niveli më i lartë i rrezikut, për Kosovën dhe disa vende të rajonit.
Sipas ESTOFEX, përfshirja e Kosovës në zonën me nivelin 3 të rrezikut nënkupton një potencial të lartë për mot ekstrem, me mundësi për breshër shumë të madh dhe erëra të forta.