Arbëri

Pasoja milionëshe nga mosbindja ndaj Kushtetueses

Ngërçi në konstituimin e Kuvendit ka prodhuar edhe pasoja për buxhetin. Vetëm nga mosmiratimi i ndryshimeve në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, të cilin e ka kërkuar Gjykata Kushtetuese, kostot në procedura gjyqësore pas padive të mijëra punëtorëve, pritet t’i kushtojnë shtetit 35 milionë euro

Që nga gushti i vjetëm Kuvendi i Kosovës nuk i është bindur vendimit të Kushtetueses për të bërë ndryshime në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, me qëllimin për t’i rikthyer shtesat për përvojë të punës që u përgjysmuan.

Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se të drejtën që ua ka njohur Kushtetuesja, mijëra punonjës të sektorit publik e kanë kërkuar përmes gjykatave.

“I kemi mbi dy mijë padi të deponuara në gjykatë deri më tani dhe shpenzimet procedurale në një masë të konsiderueshme vetëm se janë krijuar. Ajo çfarë duhej të ndodhte në rastin konkret është që Kuvendi i Kosovës ta ndalte krijimin e mëtejmë të shpenzimeve të panevojshme procedurale. Kjo është edhe arsyeja pse është e domosdoshme që Kuvendi sa më parë ta rregullojë këtë çështje dhe që ndër punët e para të Kuvendit pas konstituimit duhet të jetë edhe adresimi i kësaj çështjeje në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik”, ka thënë Shala

Ligji për Pagat në Sektorin Publik uli përqindjen e shtesës për përvojën e punës nga 0.5 për qind në 0.25 për qind për secilin nga 15 vjetët e parë të punës. Më 1 shkurt 2024, Gjykata konstatoi se kjo ulje është në kundërshtim me Kushtetutën dhe obligoi Kuvendin që deri më 1 gusht 2024 ta ndryshojë dispozitën, duke e kthyer përqindjen e shtesës në të paktën 0.5 për qind.

Por rreth 15 muaj pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit dhe 9 muaj pas afatit kushtetues për plotësim të ligjit, Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe aktualisht është pa fuqi legjislative meqë nuk është i konstituuar.

Shala thotë se nëse nuk konstituohet shpejt, buxheti i shtetit mund të dëmtohet për dhjetëra miliona euro, shkaku i kostos që buron nga shpenzimet procedurale në gjykata.

“Në bazë të analizës së Institutit të Kosovës për Drejtësi, minimalisht nëse rastet shkojnë në këtë mënyrë përmes gjykatës, vetëm shpenzimet procedurale, pa llogaritur kërkesat kryesore janë rreth 35 milionë euro”, ka theksuar ai.

E Vjollca Shala, nënkryetare e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës tha se secili mësimdhënës, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, është dëmtuar afro 600 euro.

“Është dashur që nga 5 shkurti 2024 në mënyrë retroaktive atyre që i kanë deri në 15 vjet përvojë. Kështu që i ka dëmtuar punëtorët e arsimit, shkencës dhe kulturës pothuajse me një pagë për këtë periudhë që nuk është paguar”, ka thënë Shala.

Shala ka theksuar se afro 35 mijë punonjës të arsimit i kanë të deponuara diku 60 mijë padi aktive nëpër gjykata, kryesisht me pretendime që lidhen me kontratën kolektive. Ajo tha se ekziston mundësia që të shtohen edhe 30 mijë padi të tjera nga mësimdhënës, për realizimin e së drejtës që buron nga Ligji për Pagat.