Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se do ta çojë në gjykatë vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili detyron mbi 1,300 biznese të kalojnë në tregun e hapur të energjisë elektrike.
Sipas PDK-së, ky vendim rrezikon mijëra vende pune dhe dëmton rëndë stabilitetin ekonomik të vendit.
Në një reagim të premten, PDK-ja ka akuzuar ZRRE-në për vendim “të padrejtë, joprofesional dhe politik në thelb”, duke theksuar se ky institucion ka injoruar pasojat që kalimi në treg të lirë mund të ketë për sektorin privat – të cilin e cilëson si shtyllë të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në Kosovë.
“ZRRE ka zgjedhur t’i mbyllë sytë para pasojave katastrofike të këtij vendimi për sektorin privat”, thuhet në deklaratën e PDK-së.
Partia ka paralajmëruar vazhdimin e betejës ligjore duke dorëzuar rastin në gjykatë, pas refuzimit të kundërshtimit administrativ që kishte paraqitur ndaj këtij vendimi te ZRRE-ja.
“Lufta jonë nuk ndalet me një letër refuzuese. Lufta jonë është për të drejtat e bizneseve që mezi mbijetojnë në një klimë të vështirë ekonomike”, thuhet tutje në njoftim.
PDK-ja e ka cilësuar vendimin e ZRRE-së si pa ndjeshmëri sociale dhe pa përgjegjësi shtetërore, ndërsa ka kërkuar nga institucionet që të reflektojnë mbi ndikimin që do të kenë çmimet e tregut të hapur te bizneset dhe punëtorët e sektorit privat.
“Zëri ynë është zëri i më shumë se 150 mijë punëtorëve të sektorit privat, të cilët përballen sot me rrezikun e humbjes së vendeve të punës për shkak të faturave të papërballueshme të energjisë”, ka përfunduar reagimi.
Dalja në treg të hapur të energjisë nga 1 qershori ka nxitur protesta edhe nga bizneset. Fillimisht, bizneset bllokuan pjesërisht hyrjet e Prishtinës për dy orë, ndërsa të mërkurën mbajtën protestë para objektit të Qeverisë.