Prokuroria ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër ish-ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për grantet në bujqësi, ka njoftuar vetë Peci në Facebook.
Ai ka thënë se sa ishte ministër askush nuk ka “më haraç për të përfituar grant”, se askush nuk përfitoi jashtë kritereve sipas ligjit dhe se nuk është gjetur asnjë dëshmi se ndikoi në përfitimin e vëllait të Fitore Pacollit, atëkohë deputete.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIsh-deputeti i LDK-së, Paris Guri, pati dorëzuar kallëzim penal ndaj Peci me arsyetimin se vëllai i Pacollit kishte marrë grante nga Ministria.
E, Peci ka thënë të premten se do të paraqesë kallëzim penal për kallëzim të rremë penal kundër Gurit, kryetarit të LDK-së dhe deputetes Hykmete Bajrami.
“Ndërkohë, gjatë intervistimit tim në prokurori, “mijushi” i LDK-së, Guri, kishte deklaruar se mezi pret të shihemi në gjykatë. Po, në gjykatë do të shihemi, sepse nga sot fillon përgatitja e kallëzimit penal për kallëzim të rremë penal, të ideuar nga Lumir Abdixhiku, të nënshkruar nga Hykmete Bajrami dhe propaganduar me shpifje e paturpësi nga “tellalli” i tyre, Guri, shkroi ai.
Peci ka mohuar keqpërdorimin me grante teksa ka theksuar se në asnjë rrethanë nuk ka rekomanduar askënd për subvencione a grante.
Prokuroria i reagon Pecit: Hedhja poshtë e kallëzimit penal s’ka lidhje me grantet në bujqësi
Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se hedhja poshtë e kallëzimit penal të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndaj kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci, nuk ka lidhje me grantet në bujqësi, por lidhet me çështjen e ushtrimit të dy funksioneve njëkohësisht – në Kuvend dhe Qeveri.
Gjatë ditës së sotme, Peci në një shkrim në Facebook njoftoi se Prokuroria kishte hedhur poshtë kallëzimin e LDK-së ndaj tij për dyshimet mbi dallaveret me dhënien e granteve sa ishte ministër i Bujqësisë. Madje, u shpreh se do t’i denonconte deputeten e LDK-së Hykmete Bajrami dhe ish-deputetin Paris Guri për kallëzim të rremë. Ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri, pati dorëzuar kallëzim penal ndaj Pecit me arsyetimin se vëllai i Fitore Pacollit kishte marrë grante nga Ministria. Peci vazhdimisht ka mohuar se ka ndikuar në dhënien e granteve.
Por Prokuroria ka thënë se hetimet për grantet janë ende duke u zhvilluar.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se rasti për të cilin po raportohet se është hedhur kallëzimi penal ndaj F.P., nuk ndërlidhet me hetimet që janë duke u zhvilluar lidhur me dyshimet për keqpërdorim të granteve në sektorin e bujqësisë. Rasti në fjalë ka të bëjë me një kallëzim penal të paraqitur nga subjekti politik LDK, i cili ndërlidhet me çështjen e ushtrimit të dy funksioneve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Prokuroria Speciale theksoi se mbetet e përkushtuar për të informuar drejt opinionin publik, duke respektuar parimin e transparencës dhe duke ruajtur integritetin e procedurave hetimore.
LDK-ja pati kallëzuar në Prokurori ministrat në Qeverinë Kurti II që njëkohësisht ishin edhe deputetë, duke pretenduar se kjo përbën konflikt interesi.