Arbëri

Përhapen zjarret në disa komuna, cilësohet situatë alarmante

zjarre

Zjarret kanë përfshirë disa pjesë të komunave të Kosovës, ku kryesisht po digjen tokat e mbjella me grurë, por jo vetëm.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës ka njoftuar se aktualisht situata paraqitet alarmante për shkak të numrit të madh të zjarreve në territorin e kryeqytetit dhe më gjerë.

Bëhet e ditur se deri në këtë moment janë regjistruar 12 raste zjarresh, ndërsa 7 ekipe të Brigadës së Zjarrfikësve janë aktualisht në terren duke ndërhyrë në vatra aktive.

“BPZ ka bërë mobilizim të plotë të personelit, duke angazhuar 15 zjarrfikës shtesë. Gjithashtu, për shkak të situatës së rënduar në Komunën e Podujevës, është dërguar një ekip ndihmës, ndërsa në fshatin Krojmir të Komunës së Lipjanit, janë angazhuar dy ekipe zjarrfikësish nga Kryeqyteti. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca po e ndjek nga afër gjendjen dhe do të vazhdojë të reagojë në kohë reale sipas nevojës. Ftojmë të gjithë qytetarët të tregohen maksimalisht të kujdesshëm, pasi rreziku për shpërthime zjarresh është shumë i lartë si pasojë e temperaturave të larta dhe kushteve të thata atmosferike”, thuhet në njoftim.

 

Në Llapashticë të Podujevës zjarret e nisura sot kanë marrë hov për shkak edhe të kushteve atmosferike.

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se pamjet janë të dhimbshme, të rënda dhe krejtësisht të papranueshme.

“Bashkë me zjarrfikësit dhe policinë tonë, e përcolla nga afër situatën, të cilët po bëjnë të pamundurën për menaxhimin e saj. Për fat të mirë, falë reagimit të shpejtë u evitua një dëm edhe më i madh”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai tutje ka thënë se djegia e hamulloreve gjatë kësaj periudhe të verës është një praktikë shumë e dëmshme. Sipas tij, përveç rrezikut të përhapjes së zjarrit dhe dëmtimit të pronës, kjo sjellje shkatërron gjallesat që jetojnë në këto hapësira dhe dëmton rëndë pjellorinë e tokës.

“Bëj thirrje që kjo praktikë e rrezikshme të ndalet menjëherë, pasi përbën kërcënim serioz për jetën, pronën dhe mjedisin. Në këto ditë me temperatura të larta, kërkoj nga qytetarët vigjilencë dhe kujdes të shtuar, duke vepruar me përgjegjësi të plotë ndaj mjedisit, pronave dhe sigurisë së përbashkët”, thuhet në postimin e tij.

Por, zjarret kanë përfshirë edhe zonat tjera.

Kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka thënë se pas situatës së krijuar nga zjarret në fshatrat Kovragë, Veriq, Osojan dhe Gurrakoc, situata është alarmante, duke kërkuar vëmendje dhe kujdes maksimal nga të gjithë.

“Së bashku me ekipet e zjarrfikësve, Policinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse, jemi në terren dhe po punojmë me të gjitha kapacitetet tona për të lokalizuar dhe shuar vatrat e zjarrit, me qëllim që të parandalojmë përhapjen e tyre dhe të mbrojmë pronat, tokat bujqësore dhe sigurinë e banorëve tanë. Apeloj te çdo qytetar i Istogut që të tregojë kujdes maksimal, veçanërisht në zonat bujqësore dhe pyjore dhe të mos djegin barishte, mbeturina apo sende të tjera, pasi edhe një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe të pakthyeshme”, ka thënë ai.

Ndërkaq zjarre ka edhe në fshatrat Carralevë e Pjetërshticë të Komunës së Shtimës. Komandanti i Brigadës për Zjarrfikje dhe Shpëtim, Bajram Gashi, ka thënë se në të dyja fshatrat, reagimi ka qenë i shpejtë.

“Si rezultat i reagimit tonë kemi arritur që dy vatra zjarri t’i vëmë nën kontroll. Era e fortë po e favorizon përhapjen e shpejtë të zjarrit dhe tereni i thyeshëm dhe qasje e vështirë për automjetet e zjarrfikësve me ç ‘rast po e vështirëson edhe më shume reagimin tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, 3 shtëpi banimi i janë shpëtuar në Carralevë dhe Pjetërshticë sepse zjarri ka kaluar edhe nëpër vendbanime.

Gjendje e rënduar me zjarret, vetëm sot janë raportuar 57 raste

57 min. më parë / 7 kor 2025 19:01
zjarre

Agjencia për Menaxhimin Emergjent njofton se gjendja me zjarret është rënduar ndjeshëm si pasojë e temperaturave si dhe erërave të forta.

Sipas njoftimit në 24 orët e fundit janë shënuar gjithsej 66 raste të zjarreve.

Vetëm gjatë pasdites së sotme janë raportuar 57 raste.

Bëhet e ditur se njësitet zjarrfikëse kanë intervenuar me efikasitet dhe kanë arritur të shuajnë shumicën e tyre.

Theksohet se aktualisht janë aktive 8 vatra zjarri në këto komuna: Pejë, Lipjan, Shtime, Malishevë, Skenderaj, Istog, Ferizaj, Gjilan.

“Gjatë ditës është shënuar rritje e vatrave të zjarrit në disa rajone të vendit. Disa nga këto zjarre kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme të tokës dhe pyjeve dhe janë të vështira për t’u lokalizuar për shkak të terrenit dhe përhapjes së shpejtë të flakëve”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se ekipet zjarrfikëse janë në terren me kapacitete të plota, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe strukturat lokale.

“Rreziku nga zjarret mbetet i lartë. Agjencia u bën thirrje qytetarëve që: Të shmangin ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura. Të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar në numrat emergjentë 112, 193, 192. I lusim qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe, në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje të raportojnë çdo person të dyshuar për shkaktim të zjarreve. Agjencia për Menaxhimin Emergjent po monitoron situatën në vazhdimësi dhe do të informojë publikun me njoftime të rregullta”, thuhet tutje në njoftim.