Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përhapja e fruthit në Kosovë, Ferizaj me më së shumti raste

IKSHPK

Rastet me fruth janë rikthyer në disa komuna të Kosovës. Ferizajn ka numrin më të madh të të infektuarve. Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kanë thënë se po vazhdon monitorimi aktiv i situatës epidemiologjike, si dhe aktivitetet për vaksinimin e fëmijëve. E në dy komuna kanë mohuar të dhënat e IKSHPK-së

Brenda dy javësh, në Kosovë janë konfirmuar tetë raste me fruth në pesë komuna, derisa numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Raste, sipas këtij instituti, janë regjistruar edhe në Prishtinë, Drenas, Kaçanik dhe Podujevë.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Ferizajt, Kemal Emini, ka thënë për KOHËN se rastet e konfirmuara janë identifikuar në një kopsht fëmijësh.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Një kopsht i Ferizajt ka pasur tre raste të pavaksinuara me vaksinën MMR, mosha 15 deri 18 muaj. Të tre rastet janë hospitalizuar në Infektivë në QKUK. Për veprimet që do të merren, do të zbatohen vendimet e IKSHPK-së në nivel Republike, pra po monitorohet vazhdimisht situata e përhapjes së fruthit. Identifikimi i fëmijëve të pavaksinuar, po targetohen konkretisht rastet me rrezik më të lartë dhe kontaktim aktiv i prindërve për t’i nxitur që t’i vaksinojnë fëmijët”, ka thënë Emini.

E drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka deklaruar se është identifikuar vetëm një rast dhe se ai nuk është banor i kryeqytetit.

“Ky është banor i Drenasit, sipas të gjitha gjasave, por me banim të përkohshëm në Prishtinë, sepse banorë të Prishtinës nuk ka”, ka thënë ai. 

Por të dhënat e IKSHPK-së se ka raste të regjistruara edhe në Kaçanik dhe Drenas janë mohuar nga përfaqësues lokalë në këto komuna.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Kaçanik, Lumnije Damnika-Selmanaj, është shprehur se në QKMF-në e kësaj komune nuk është raportuar asnjë rast. 

Sipas saj, personi mund të jetë i regjistruar si banor i Kaçanikut, por të mos jetojë aty.

Edhe drejtoresha e Shëndetësisë në komunën e Drenasit, Kaltrina Qerkinaj, ka theksuar se nuk ka ndonjë rast të konfirmuar, por sipas saj, janë duke ndërmarrë masa parandaluese.

E, në IKSHPK, kanë thënë se po vazhdon vlerësimi i gjendjes epidemiologjike në nivel shteti.

“Po vazhdon monitorimi aktiv i situatës epidemiologjike, si dhe aktivitetet për vaksinimin e fëmijëve që, për arsye të ndryshme, nuk kanë marrë kryesisht dozën e parë të vaksinës MMR. Prindërve u bëhet thirrje t’i vaksinojnë fëmijët, sepse fruthi është sëmundje serioze dhe mund të shkaktojë komplikime serioze”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.

Një muaj më parë, KOHA ka raportuar se përhapja e dezinformatave për vaksinën kundër fruthit ka ulur besimin e prindërve, duke bërë që afër 3 mijë fëmijë të mos vaksinohen me kohë gjatë vitit 2025. 

Edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, e ka paraqitur si problem dezinformimin.

“Hezitimi dhe konspiracioni janë prej pandemisë e tutje. Ne gjithmonë kemi marrë masa edhe vitin e kaluar, i kontaktojmë prindërit që nuk i kanë marrë vaksinat, i thërrasim dhe ua shpjegojmë se duhet t’i marrin. E gjatë Javës së Vaksinimit në të gjitha qendrat kemi mbajtur ligjërata, thjesht për t’i siguruar prindërit që vaksina është ajo që i mbron dhe jo që i dëmton”, ka thënë Gashi.

Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse që prek kryesisht fëmijët dhe përhapet përmes ajrit, kollitjes apo teshtimës së personave të infektuar, duke shkaktuar simptoma si temperaturë e lartë, kollë, skuqje të syve dhe puçrra në lëkurë.