Përfaqësuesi i Shoqatës për persona të zhdukur dhe viktima të luftës “Përkorë”, Latif Mehmeti, ka thënë se familjarët e të pagjeturve janë të zhgënjyer se nuk po trajtohet më me seriozitet çështja e të zhdukurve.
Nëpërmjet një reagimi dërguar mediave, Mehmeti ka thënë se kjo çështje nuk përmendet as në planin franko-gjerman që po qarkullon këto ditë për marrëveshjen Kosovë-Serbi.
“Nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës ishte premtuar se pika e parë në bisedime me palën serbe do të jetë çështja e të zhdukurve. Po ashtu edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kishin premtuar se do të punojmë edhe për çështjen e të zhdukurve. Madje kishte deklarata se marrëveshja për zbardhjen e fatit të të zhdukurve është e gatshme dhe vetëm pritet të nënshkruhet. Tek familjarët këto deklarata dhe premtime kishin ngjallë optimizmin se pas 23 vjetëve më në fund do të zbardhet fati i familjarëve të tyre të zhdukur”, thuhet në reagimin e përfaqësuesit të Shoqatës “Përkorë”. “Mirëpo, zhvillimet e fundit kanë treguar se çështja e të zhdukurve nuk është as në pikën e parë, e as nuk përmendet fare si problem. Ky është zhgënjim i madh për familjarët që i kanë varur shpresat në adresa dhe persona të cilët kanë premtuar për zgjidhjen e këtij problemi jetik si pikë e parë e bisedimeve. Po ashtu zhgënjyese është se si një plan, qe po thuhet se është franko-gjerman, që po diskutohet në media, por që ende s’ka konfirmim zyrtar, nuk përmendet fare çështja e të zhdukurve”.
Sipas Latif Mehmetit, gjatë bisedimeve deri tash është thënë se marrëveshja për persona të zhdukur ka mbetur pa u nënshkruar pasi që pala serbe nuk po e pranon termin “zhdukje e dhunshme”.
“Jemi dëshmitarë se Serbia deri më tani nuk ka pranuar edhe shumë çështje tjera, që tashmë dihen dhe jo vetëm nga ne, por nga e gjitha bota. Serbia s’ka pranuar se me dhunë ka bartur njerëz të gjallë dhe të vdekur nga Kosova për në Serbi duke ua humbur gjurmët në mënyra të ndryshme apo edhe duke i djegur. Serbia kurrë se ka pranuar e as nuk e pranon se trupat e shqiptarëve i ka bartur me nga 500-600 km për ta fshehur krimin. Serbia nuk pranon se ka bartur trupa nga Kosova në Peruqac në kufi me Bosnjen dhe i ka hedhur në lumnajë”, ka deklaruar Mehmeti. “Serbia nuk e pranon se trupat e shqiptarëve i ka varros në Petrovo Sello në kufi me Hungarinë. Serbia nuk e pranon se në Batajnicë e në shumë varreza masive, varrosi shumë trupa të shqiptarëve, varrosja u bë në mënyrë të dhunshme duke i shkelur trupat e shqiptarëve me makina të rënda deri te djegiet e trupave (shih dëshmitë: Raporti ndërkombëtar për persona të zhdukur). Serbia nuk pranon se trupat e shqiptarëve u varrosën në gropë të gurthyesit dhe mbi trupat e tyre ndërtuan objekt banimi”.
Përfaqësuesi i Shoqatës për persona të zhdukur dhe viktima të luftës ka theksuar se Serbia nuk e pranon se trupa e shqiptarëve i hodhi në gropa të minierave dhe i mbuloi me mbeturina dhe mbetje të minierës.
“Serbia nuk pranon se me dhunë i barti 83 shqiptarë të gjallë nga Kosova në Serbi e që akoma nuk dihet për fatin e tyre sikurse edhe rasti tashmë i njohur i vëllezërve Bytyqi. Nëse gjithçka ka ngecur për një fjalë ‘zhdukje me forcë’, është e udhës që të bëhet një zgjidhje që të kalojmë në hapin tjetër, gjetjen e kufomave, që familjarët ta kenë një lehtësim për të afërmit e tyre që i kanë pa varre. Familjarët e të zhdukurve meritojnë që ta kenë një përgjigje nga shteti, sepse ata meritojnë ta jetojnë pjesën tjetër të jetës pa brengën që familjari i tij s’ka as varr”.
Sipas Latif Mehmetit, familjarët çdoherë kanë kërkuar se çështja e të pagjeturve duhet të ndahet nga çështjet politike.
“Prandaj ky problem meriton më shumë të trajtohet si çështje humanitare e jo politike”, ka thënë ai.