Mbrojtja e pacientëve me kancer nuk përfundon me qasjen në trajtim. Përballja me sëmundjen shoqërohet shpesh me humbje të të ardhurave, pasiguri në vendin e punës dhe vështirësi gjatë rikthimit në jetën profesionale. Për këtë arsye, shumica e vendeve evropiane kanë zhvilluar mekanizma që synojnë të zbusin pasojat sociale dhe ekonomike të sëmundjes përmes mbështetjes financiare, masave të riintegrimit dhe mbrojtjes juridike. Kjo pjesë analizon këta mekanizma dhe shqyrton pozitën e Kosovës në raport me praktikat e vendeve të tjera evropiane
Ky projekt është financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, në kuadër të projektit Human Rightivism të zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF). Përgjegjësia për përmbajtjen i takon plotësisht autorit/krijuesit. Sida, Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe CDF nuk i ndajnë domosdoshmërisht pikëpamjet dhe interpretimet e shprehura.
Për pacientët me kancer, trajtimi nuk përbën sfidën e vetme. Në shumë raste, periudhat e gjata të trajtimit dhe rikuperimit ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë për të punuar dhe për të siguruar të ardhura të qëndrueshme. Për këtë arsye, mbrojtja e kësaj kategorie kërkon më shumë sesa pushim mjekësor - ajo kërkon mekanizma që garantojnë siguri financiare gjatë trajtimit, mbështetje gjatë rikthimit në punë dhe mbrojtje nga diskriminimi në vendin e punës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAnaliza e 17 shteteve evropiane tregon se këto elemente janë bërë pjesë e rëndësishme e politikave moderne të punës dhe mbrojtjes sociale. Megjithëse qasjet ndryshojnë nga një shtet në tjetrin, shumica e vendeve kanë zhvilluar forma të ndryshme të mbështetjes që synojnë të lehtësojnë barrën ekonomike dhe profesionale të pacientëve me sëmundje të rënda. Në vijim paraqiten praktikat kryesore që lidhen me mbështetjen financiare gjatë trajtimit, riintegrimin profesional dhe mbrojtjen juridike të pacientëve me kancer.
Kur trajtimi rrezikon sigurinë financiare
Mbështetja financiare gjatë trajtimit përbën një nga elementet më të rëndësishme të mbrojtjes së pacientëve me kancer në marrëdhëniet e punës. Për dallim nga sëmundjet afatshkurtra, trajtimi onkologjik zakonisht shtrihet në periudha të gjata kohore dhe shpesh përfshin ndërhyrje kirurgjikale, kimioterapi, radioterapi, terapi hormonale, kontrolle të vazhdueshme dhe periudha rikuperimi fizik dhe psikologjik. Për këtë arsye, aftësia e pacientit për të vazhduar punën mund të kufizohet për muaj të tërë, ndërsa në raste të caktuara edhe për periudha më të gjata. Në mungesë të mbështetjes adekuate financiare, pacientët përballen jo vetëm me pasojat e sëmundjes, por edhe me pasiguri ekonomike, humbje të të ardhurave dhe rrezik të varfërimit.
Analiza krahasuese e shteteve evropiane tregon se shumica e vendeve kanë zhvilluar mekanizma për ta reduktuar barrën financiare mbi pacientët gjatë trajtimit. Megjithatë, mënyra se si organizohet kjo mbështetje ndryshon dukshëm ndërmjet shteteve. Në disa vende, përgjegjësia fillestare bie mbi punëdhënësin, ndërsa më pas përfshihen fondet publike të sigurimeve shoqërore ose sigurimet shëndetësore. Në vende të tjera, sistemi mbështetet më shumë në sigurimet publike që nga fazat e hershme të sëmundjes.
Shtetet e Evropës Perëndimore kanë ndërtuar modele më të avancuara dhe më të qëndrueshme të mbrojtjes financiare. Holanda paraqet një nga shembujt më të fuqishëm në këtë drejtim. Sipas Kodit Civil Holandez, punëdhënësi obligohet të paguajë së paku 70% të pagës për deri në 104 javë gjatë periudhës së sëmundjes. Ky model reflekton njohjen institucionale se sëmundjet e rënda, si kanceri, nuk mund të trajtohen me periudha të shkurtra pushimi mjekësor. Për pacientët me kancer, një periudhë dyvjeçare e mbrojtjes financiare krijon siguri më të madhe dhe ul presionin për rikthim të parakohshëm në punë.
Edhe Gjermania ka ndërtuar një sistem relativisht të fortë të mbështetjes financiare. Përmes Ligjit për vazhdimin e pagesës gjatë sëmundjes, punëdhënësi paguan pagën e plotë për gjashtë javët e para të mungesës nga puna. Pas kësaj periudhe, përgjegjësia kalon te sigurimi shëndetësor përmes pagesës për sëmundje, e cila zakonisht mbulon 70% të pagës bruto, por jo më shumë se 90% të pagës neto, dhe mund të zgjasë deri në 78 javë për të njëjtën sëmundje. Ky sistem e ndan barrën ndërmjet punëdhënësit dhe sigurimit shëndetësor, duke e bërë mbështetjen më të qëndrueshme për pacientët që kanë nevojë për trajtim afatgjatë.
Franca po ashtu ka zhvilluar mekanizma specifikë për sëmundjet e rënda përmes regjimit të sëmundjeve afatgjata. Ky regjim i lejon pacientët me kancer të përfitojnë mbështetje dhe mbulim më afatgjatë sesa pushimet e zakonshme mjekësore. Në praktikë, kjo tregon se sistemi francez e trajton kancerin si gjendje që kërkon mbështetje të posaçme dhe jo si sëmundje të zakonshme afatshkurtra.
Një model tjetër i rëndësishëm është ai i Suedisë, ku mbështetja financiare ndahet ndërmjet punëdhënësit dhe shtetit. Gjatë 14 ditëve të para të pushimit mjekësor, punëdhënësi paguan zakonisht rreth 80% të pagës, me një zbritje fillestare nga pagesa e sëmundjes. Nga dita e 15-të, punonjësi mund të aplikojë për pagesë sëmundjeje nga institucioni shtetëror i sigurimeve shoqërore. Ky model siguron vazhdimësi të mbështetjes dhe shmang ndërprerjen e menjëhershme të të ardhurave për pacientët me sëmundje të rënda.
Në anën tjetër, shtetet e Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor kanë sisteme më të kufizuara. Në Poloni, punëdhënësi mbulon 33 ditët e para të sëmundjes, ndërsa për punonjësit mbi 50 vjeç kjo periudhë është 14 ditë; më pas pagesa kalon te institucioni i sigurimeve shoqërore. Në Çeki, punëdhënësi paguan 14 ditët e para, ndërsa më pas kompensimi kalon te sigurimi shtetëror dhe mund të zgjasë deri në 380 ditë kalendarike, të llogaritura nga dita e parë e paaftësisë së përkohshme për punë. Në Rumani, punëdhënësi paguan pesë ditët e para, ndërsa më pas përgjegjësia kalon te sistemi publik shëndetësor; për paaftësinë e përkohshme për punë, kompensimi zakonisht mund të zgjasë deri në 183 ditë, ndërsa për sëmundje të rënda mund të zbatohen rregulla më të favorshme.
Në Ballkanin Perëndimor, mbrojtja financiare mbetet më e kufizuar sesa në modelet më të zhvilluara evropiane, por ka dallime të rëndësishme ndërmjet shteteve. Në Shqipëri, 14 ditët e para të paaftësisë së përkohshme për punë paguhen nga punëdhënësi, ndërsa pas kësaj pagesa kalon te sigurimet shoqërore; përfitimi zakonisht mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, me mundësi zgjatjeje në raste të veçanta. Në Maqedoninë e Veriut, punëdhënësi zakonisht mbulon 30 ditët e para, ndërsa më pas pagesa kalon te Fondi i Sigurimit Shëndetësor; paaftësia e përkohshme për punë mund të zgjasë deri në 12 muaj, pas së cilës personi referohet për vlerësim të aftësisë për punë. Në Mal të Zi, punëdhënësi mbulon 60 ditët e para, ndërsa më pas kompensimi kalon te Fondi i Sigurimit Shëndetësor; për sëmundjet malinje, përfshirë kancerin, ligji parashikon kompensim në nivelin 100% të bazës së kompensimit gjatë periudhës së paaftësisë së përkohshme për punë. Në Serbi, punëdhënësi paguan 30 ditët e para, ndërsa nga dita e 31-të pagesa kalon te Fondi Republikan i Sigurimit Shëndetësor; për sëmundjet e zakonshme kompensimi nuk mund të jetë më i ulët se 65% e bazës së kompensimit. Në Bosnje dhe Hercegovinë, sistemi është i fragmentuar: në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës punëdhënësi zakonisht mbulon 42 ditët e para, ndërsa në Republikën Srpska punëdhënësi mbulon 30 ditët e para dhe më pas pagesa kalon te fondi shëndetësor.
Në krahasim me këto modele, Kosova mbetet një nga shtetet me mbrojtjen më të kufizuar financiare për pacientët me kancer. Sipas Ligjit të Punës Nr. 03/L-212, punonjësi ka të drejtë në pushim mjekësor të kompensuar deri në 20 ditë pune brenda një viti, me kompensim që mbulohet nga punëdhënësi. Legjislacioni i Kosovës nuk parashikon një regjim të veçantë të pushimit mjekësor ose kompensimit financiar për pacientët me kancer. Pas përfundimit të periudhës së kompensuar prej 20 ditësh pune, nuk ekziston një skemë funksionale e sigurimit të sëmundjes që garanton vazhdimin e mbështetjes financiare për punonjësit që mbeten të paaftë për punë për periudha më të gjata.
Një nga problemet kryesore të sistemit kosovar është pikërisht mungesa e një skeme funksionale të sigurimeve shoqërore për sëmundje afatgjata. Pas përfundimit të periudhës së kompensuar nga punëdhënësi, pacientët shpesh mbeten pa mbështetje të qartë financiare. Kjo krijon rrezik të lartë që pacientët me kancer të detyrohen të rikthehen para kohe në punë ose të humbin të ardhurat në periudhën kur kanë më së shumti nevojë për stabilitet ekonomik dhe social.
Analiza krahasuese tregon qartë se modelet më efektive të mbështetjes financiare janë ato që kombinojnë tri elemente kryesore: periudhë të mjaftueshme të pushimit të paguar, përfshirje të sigurimeve publike pas fazës fillestare dhe mekanizma të posaçëm për sëmundjet afatgjata. Në këtë aspekt, Kosova mbetet dukshëm prapa standardeve evropiane dhe ka nevojë për reforma që do të krijonin mbrojtje më të qëndrueshme për pacientët me kancer gjatë trajtimit dhe rikuperimit.
Shteti | Sa kohë paguan punëdhënësi? | Çka ndodh më pas? |
Holanda | Punëdhënësi paguan së paku 70% të pagës deri në 104 javë. | Pas 104 javëve, punonjësi mund të kalojë në skema të paaftësisë për punë sipas Ligjit për punën dhe të ardhurat sipas aftësisë për punë (Wet werk en inkomen naar arbeidsvermogen - WIA). |
Gjermania | Punëdhënësi paguan 100% të pagës për 6 javët e para. | Pagesa kalon te sigurimi shëndetësor përmes pagesës për sëmundje (Krankengeld) deri në 78 javë; më pas mund të shqyrtohet pensioni invalidor ose rehabilitimi profesional. |
Franca | Afati fillestar varet nga sektori dhe kontratat kolektive. | Pacientët me kancer përfitojnë nga regjimi për sëmundje afatgjata (ALD), i cili garanton mbulim afatgjatë të trajtimit dhe kompensim gjatë paaftësisë për punë; kohëzgjatja përcaktohet sipas gjendjes shëndetësore dhe nuk kufizohet nga një afat i vetëm standard për të gjitha rastet. |
Suedia | Punëdhënësi paguan periudhën fillestare të pushimit mjekësor, zakonisht deri në 14 ditë. | Nga dita e 15-të pagesa kalon te Agjencia Suedeze e Sigurimeve Shoqërore (Försäkringskassan). Sistemi parashikon rivlerësime të aftësisë për punë pas 90, 180 dhe 365 ditëve. Nuk u identifikua një kufi maksimal unik kohor i zbatueshëm për të gjitha rastet e paaftësisë për punë. |
Danimarka | Punëdhënësi zakonisht paguan deri në 30 ditët e para të paaftësisë për punë. | Pas ditës së 30-të kompensimi kalon te komuna përmes përfitimit për sëmundje (sygedagpenge). Përfitimi zakonisht mund të paguhet deri në 22 javë brenda 9 muajve; para përfundimit të kësaj periudhe bëhet rivlerësimi i rastit dhe, nëse plotësohen kushtet ligjore, kompensimi mund të zgjatet. |
Spanja | Për sëmundjet e zakonshme, punëdhënësi paguan kompensimin nga dita 4 deri në ditën 15 të paaftësisë së përkohshme për punë. | Nga dita e 16-të pagesa kalon te Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore (Instituto Nacional de la Seguridad Social – INSS) ose fondet përkatëse. Paaftësia e përkohshme për punë mund të zgjasë deri në 365 ditë, me mundësi zgjatjeje edhe 180 ditë shtesë (deri në 545 ditë gjithsej); më pas mund të shqyrtohet paaftësia e përhershme |
Italia | Punëdhënësi zakonisht mbulon 3 ditët e para të paaftësisë së përkohshme për punë , ndërsa më pas kompensimi paguhet përmes Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore (Istituto Nazionale della Previdenza Sociale -INPS), sipas rregullave dhe marrëveshjeve kolektive. | Kompensimi nga INPS zakonisht mund të zgjasë deri në 180 ditë në vit. Mbrojtja e vendit të punës varet nga periudha e ruajtjes së vendit të punës gjatë sëmundjes (periodo di comporto), e cila zakonisht është rreth 180 ditë, por mund të jetë më e gjatë sipas marrëveshjeve kolektive. Pas përfundimit të kësaj periudhe, mund të shqyrtohen masa të tjera të mbrojtjes sociale, rehabilitimi ose statusi i invaliditetit, sipas rrethanave të rastit. |
Polonia | Punëdhënësi paguan kompensimin gjatë 33 ditëve të para të paaftësisë së përkohshme për punë, ndërsa për punonjësit mbi 50 vjeç gjatë 14 ditëve të para. | Pas kësaj periudhe, Institucioni i Sigurimeve Shoqërore (Zakład Ubezpieczeń Społecznych - ZUS) paguan përfitimin për sëmundje deri në 182 ditë. Nëse pas kësaj periudhe ekziston mundësi reale rikuperimi dhe rikthimi në punë, mund të jepet përfitim rehabilitues (świadczenie rehabilitacyjne) deri në 12 muaj. Pas përfundimit të këtyre periudhave mund të shqyrtohen përfitimet e invaliditetit ose forma të tjera të mbrojtjes sociale. |
Çekia | Punëdhënësi paguan kompensimin e pagës gjatë 14 ditëve të para të paaftësisë së përkohshme për punë. | Nga dita e 15-të kompensimi paguhet nga Administrata Çeke e Sigurimeve Shoqërore (Česká správa sociálního zabezpečení – ČSSZ). Përfitimi për sëmundje mund të paguhet deri në 380 ditë kalendarike nga dita e parë e paaftësisë për punë. Në raste të veçanta mund të jepet zgjatje e jashtëzakonshme; më pas mund të shqyrtohet invaliditeti ose forma të tjera të mbrojtjes sociale. |
Rumania | Punëdhënësi paguan kompensimin gjatë 5 ditëve të para të paaftësisë së përkohshme për punë. | Nga dita e 6-të, pagesa merret përsipër nga sistemi publik i sigurimeve shëndetësore përmes Shtëpisë Kombëtare të Sigurimeve Shëndetësore (Casa Națională de Asigurări de Sănătate – CNAS). Për paaftësinë e përkohshme për punë, kompensimi zakonisht mund të zgjasë deri në 183 ditë brenda një periudhe 12-mujore. Pas ditës së 90-të kërkohet vlerësim dhe miratim nga mjeku ekspert i sigurimeve shoqërore për zgjatjen deri në 183 ditë. Për disa sëmundje të rënda, përfshirë neoplazitë (kancerin), legjislacioni parashikon mundësi të periudhave më të gjata të pushimit mjekësor dhe kompensimit. |
Mbretëria e Bashkuar | Punëdhënësi paguan pagesën statutore për sëmundje (Statutory Sick Pay - SSP) deri në 28 javë. | Pas përfundimit të SSP-së, personi mund të aplikojë për përfitime sociale si Ndihma për Punësim dhe Mbështetje (Employment and Support Allowance - ESA) ose Kredia Universale (Universal Credit), të cilat mund të vazhdojnë për sa kohë plotësohen kushtet ligjore. Për pacientët me kancer, mbrojtja kundër diskriminimit sipas Ligjit për Barazi 2010 (Equality Act 2010) zbatohet që nga momenti i diagnostikimit dhe vazhdon edhe pas përfundimit të trajtimit ose kur sëmundja nuk shfaq më shenja aktive. |
Shqipëria | Punëdhënësi mbulon 14 ditët e para të paaftësisë së përkohshme për punë. | Nga dita e 15-të kompensimi paguhet nga sistemi i sigurimeve shoqërore. Sipas Ligjit nr. 7703/1993 për Sigurimet Shoqërore, periudha e përfitimit për paaftësinë e përkohshme për punë fillon nga dita e 15-të e certifikimit mjekësor dhe zgjat jo më shumë se 6 muaj nga fillimi i pagesës së përfitimit. Në rastet kur paaftësia vazhdon, mund të shqyrtohen procedurat për invaliditet ose forma të tjera të mbrojtjes sociale. |
Maqedonia e Veriut | Punëdhënësi paguan kompensimin gjatë 30 ditëve të para të pushimit mjekësor. | Nga dita e 31-të pagesa kalon te Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Sipas Nenit 22 të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, “në rast të kohëzgjatjes më të gjatë të paaftësisë së përkohshme për punë deri në 12 muaj, komisioni mjekësor e referon të siguruarin te organi kompetent për vlerësimin e aftësisë për punë sipas rregullave të sigurimit pensional dhe invalidor |
Mali i Zi | Punëdhënësi paguan 70% të pagës gjatë 60 ditëve të para të pushimit mjekësor. | Pas 60 ditëve kompensimi financohet përmes sistemit të sigurimit shëndetësor. Sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, kur paaftësia e përkohshme për punë zgjat 10 muaj pa ndërprerje ose 10 muaj brenda 12 muajve, personi referohet për vlerësimin e mëtejshëm të aftësisë për punë ose invaliditetit. |
Serbia | Punëdhënësi paguan kompensimin gjatë 30 ditëve të para të pushimit mjekësor, zakonisht jo më pak se 65% e pagës mesatare. | Nga dita e 31-të kompensimi merret përsipër nga Fondi Republikan i Sigurimit Shëndetësor (Republic Health Insurance Fund - RFZO). Për rastet e zgjatura, vazhdimi i paaftësisë së përkohshme për punë varet nga vlerësimet dhe vendimet e komisioneve mjekësore. Për personat me sëmundje malinje (kancer), mjeku mund të përcaktojë paaftësinë për punë deri në 60 ditë para referimit te komisioni mjekësor. Nuk u identifikua në burimet ligjore të konsultuara një afat maksimal i përgjithshëm i përcaktuar shprehimisht për të gjitha rastet e paaftësisë së përkohshme për punë |
Bosnja dhe Hercegovina | Sistemi ndryshon ndërmjet entiteteve. Në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës (FBiH) punëdhënësi zakonisht paguan 42 ditët e para, ndërsa në Republika Srpska (RS) 30 ditët e para të paaftësisë së përkohshme për punë. | FBiH: pas 42 ditëve kompensimi kalon te fondet kantonale të sigurimit shëndetësor; pas 12 muajve bëhet vlerësimi i aftësisë për punë. RS: pas 30 ditëve kompensimi kalon te Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe mund të vazhdojë deri në 12 muaj; më pas shqyrtohet invaliditeti ose aftësia për punë. |
Kosova | Punëdhënësi paguan deri në 20 ditë pune pushim mjekësor të kompensuar brenda një viti, sipas Ligjit të Punës Nr. 03/L-212. | Pas përfundimit të kësaj periudhe, legjislacioni nuk parashikon një skemë të qartë dhe funksionale të kompensimit të pagës për paaftësinë afatgjatë për punë. Në rastet kur gjendja shëndetësore vazhdon, personi mund të kërkojë vlerësim për pension invalidor ose forma të tjera të mbështetjes sociale sipas legjislacionit përkatës. |
Kohëzgjatja e pushimit mjekësor sipas shteteve
Tabela e mësipërme tregon dallime të konsiderueshme ndërmjet shteteve evropiane sa i përket mënyrës së organizimit të mbështetjes financiare gjatë sëmundjes dhe mekanizmave që aktivizohen pas përfundimit të periudhës fillestare të pushimit mjekësor.
Në shumicën e shteteve të Evropës Perëndimore, periudha fillestare e kompensimit nga punëdhënësi pasohet nga një sistem i strukturuar i sigurimeve shoqërore ose shëndetësore, i cili vazhdon mbështetjen financiare për pacientët me sëmundje afatgjata. Në vende si Holanda dhe Gjermania, mbrojtja financiare nuk përfundon me pushimin mjekësor, por lidhet me mekanizma të rehabilitimit profesional, rikthimit gradual në punë dhe, në raste të caktuara, me skema të paaftësisë për punë ose pensionit invalidor.
Analiza gjithashtu tregon se në disa shtete, si Franca, Suedia dhe Danimarka, sistemi mbështetet më shumë në sigurimet publike dhe në ndërhyrjen aktive të institucioneve shtetërore sesa vetëm në përgjegjësinë e punëdhënësit. Kjo qasje synon të shmangë humbjen e menjëhershme të të ardhurave dhe të krijojë vazhdimësi të mbrojtjes sociale gjatë trajtimit dhe rikuperimit.
Në shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinën, ekzistojnë mekanizma të sigurimeve shoqërore ose shëndetësore që marrin përsipër kompensimin pas periudhës fillestare të paguar nga punëdhënësi. Megjithatë, këto sisteme zakonisht janë më të kufizuara dhe më pak të zhvilluara sesa modelet e Evropës Perëndimore.
Kosova mbetet dukshëm prapa në këtë aspekt. Ndryshe nga shumica e shteteve të analizuara, pas përfundimit të periudhës prej 20 ditësh të pushimit mjekësor të kompensuar nga punëdhënësi, nuk ekziston një skemë funksionale e sigurimit të sëmundjes që garanton vazhdimësi reale të të ardhurave për pacientët me kancer. Edhe kur mund të aplikohen skema të ndihmës sociale ose pensionit invalidor, ato nuk funksionojnë si zëvendësim i pagës gjatë sëmundjes afatgjatë dhe nuk ofrojnë siguri ekonomike të krahasueshme me standardet evropiane.
Në praktikë, kjo krijon rrezik të lartë që pacientët me kancer në Kosovë të përballen me pasiguri financiare, humbje të të ardhurave dhe presion për rikthim të parakohshëm në punë gjatë periudhës së trajtimit ose rikuperimit.
Rikthimi në punë nuk përfundon me shërimin
Për pacientët me kancer, sfidat nuk përfundojnë me sigurimin e mbështetjes financiare gjatë trajtimit. Në shumë raste, rikthimi në vendin e punës është proces gradual, që kërkon fleksibilitet nga punëdhënësi, përshtatje të orarit dhe, në disa raste, ndryshim të përkohshëm të detyrave të punës.
Trajtimi onkologjik shpesh shoqërohet me lodhje kronike, kufizime fizike, nevojë për kontrolle të vazhdueshme dhe periudha të përsëritura rikuperimi. Për këtë arsye, modelet më të avancuara evropiane nuk e trajtojnë kthimin në punë si kthim të menjëhershëm me orar të plotë, por si proces të menaxhuar gradualisht.
Shteti | Mekanizmi kryesor | Si funksionon? |
Holanda | Plan i detyrueshëm ri-integrimi sipas Ligjit për përmirësimin e procesit të ri-integrimit në punë (Wet verbetering poortwachter) | Punëdhënësi dhe punonjësi janë të detyruar të bashkëpunojnë në hartimin dhe zbatimin e një plani individual ri-integrimi. Procesi përfshin vlerësime të rregullta të aftësisë për punë, mundësi për orar të reduktuar, përshtatje të detyrave, transferim në një pozitë tjetër ose rikthim gradual në punë. |
Gjermania | Menaxhimi i integrimit në ndërmarrje (Betriebliches Eingliederungsmanagement - BEM) | Punëdhënësi duhet t’i ofrojë punonjësit procesin e integrimit në ndërmarrje kur ai ka munguar më shumë se gjashtë javë brenda një periudhe 12-mujore. Procesi synon të lehtësojë rikthimin gradual në punë përmes përshtatjes së orarit, detyrave, kushteve të punës dhe masave rehabilituese, në bashkëpunim me punonjësin dhe institucionet përkatëse. |
Franca | Rikthim terapeutik me kohë të pjesshme (temps partiel thérapeutique) | Punonjësi mund të rikthehet gradualisht në punë me orar të reduktuar, kur gjendja shëndetësore nuk lejon ende punë me kohë të plotë. Masa zbatohet me rekomandim mjekësor dhe miratimin e sigurimeve shoqërore, duke mundësuar kombinimin e punës me trajtimin ose rikuperimin. |
Suedia | Zinxhiri i rehabilitimit (Rehabiliteringskedjan) | Aftësia për punë vlerësohet në faza të ndryshme gjatë mungesës për shkak të sëmundjes. Sistemi kombinon rehabilitimin, përshtatjen e punës dhe rikthimin gradual në punë, duke shqyrtuar fillimisht mundësinë e vazhdimit të punës te i njëjti punëdhënës dhe më pas mundësi të tjera punësimi nëse rikthimi i plotë nuk është i mundur. |
Danimarka | Rehabilitim dhe menaxhim komunal i rastit | Komuna koordinon procesin e rehabilitimit, mbështetjen sociale dhe rikthimin në punë. Për personat me sëmundje afatgjata mund të hartohen plane individuale rehabilitimi, të kombinuara me orar të reduktuar, përshtatje të detyrave ose rikthim gradual në punë. |
Spanja | Përshtatje e kushteve të punës dhe vlerësim mjekësor | Pas rikthimit nga paaftësia për punë, punonjësi mund të përfitojë përshtatje të detyrave, orarit ose kushteve të punës në përputhje me gjendjen shëndetësore dhe rekomandimet mjekësore. Në rastet e kufizimeve afatgjata, mund të shqyrtohen masa të rehabilitimit profesional ose statusi i paaftësisë për punë. |
Italia | Përshtatje përmes statusit të aftësisë së kufizuar dhe Ligjit 104/1992 | Punonjësit që njihen me statusin përkatës mund të përfitojnë lehtësira në punë, fleksibilitet organizativ dhe masa mbështetëse gjatë trajtimit ose rikuperimit. Në rastet kur gjendja shëndetësore kufizon aftësinë për punë, mund të shqyrtohen përshtatje të detyrave ose forma të tjera mbrojtjeje sipas legjislacionit të punës dhe sigurimeve shoqërore. |
Polonia | Përfitim rehabilitues (świadczenie rehabilitacyjne) | Personat që, pas përfundimit të periudhës së kompensimit për sëmundje, mbeten të paaftë për punë por kanë gjasa të rikuperohen, mund të përfitojnë periudhë shtesë rehabilitimi dhe mbështetje financiare para rikthimit në punë. |
Çekia | Rehabilitim profesional dhe vlerësim i aftësisë për punë | Personat me kufizime afatgjata shëndetësore mund t’i nënshtrohen vlerësimit të aftësisë për punë dhe të përfitojnë masa rehabilituese ose mbështetje për ruajtjen ose rikthimin në punë, në përputhje me gjendjen e tyre shëndetësore. |
Rumania | Ri-integrim profesional dhe detyra të përshtatura | Në bazë të vlerësimit mjekësor, punonjësit me kufizime shëndetësore mund të përfitojnë përshtatje të detyrave ose të kushteve të punës. Ri-integrimi profesional mbështetet kryesisht në masat e përgjithshme të rehabilitimit dhe mbrojtjes sociale, pa një mekanizëm të posaçëm kombëtar për pacientët me kancer. |
Mbretëria e Bashkuar | Përshtatje të arsyeshme (reasonable adjustments) sipas Ligjit për barazi (Equality Act 2010) | Punëdhënësi ka detyrim ligjor të ndërmarrë përshtatje të arsyeshme për punonjësit me kancer, si orar fleksibil, punë nga shtëpia, ndryshim të detyrave ose përshtatje të vendit të punës, me qëllim lehtësimin e qëndrimit ose rikthimit në punë. |
Shqipëria | Nuk ka mekanizëm të posaçëm për pacientët me kancer | Rikthimi në punë mbështetet kryesisht në dispozitat e përgjithshme të legjislacionit të punës, sigurimeve shoqërore dhe mbrojtjes së personave me aftësi të kufizuara. Nuk u identifikua një sistem i strukturuar dhe i detyrueshëm i rikthimit gradual në punë pas sëmundjeve të rënda. |
Maqedonia e Veriut | Mundësi për detyra më të lehta me rekomandim mjekësor | Punonjësit me kufizime shëndetësore mund të transferohen në detyra më të lehta ose të përshtatura në bazë të vlerësimit dhe rekomandimeve mjekësore. Megjithatë, nuk u identifikua një sistem i strukturuar dhe i detyrueshëm i rikthimit gradual në punë për pacientët me kancer. |
Mali i Zi | Masa të përgjithshme rehabilitimi dhe vlerësim shëndetësor | Rikthimi në punë mbështetet në vlerësimet mjekësore, rehabilitimin dhe rregullat e përgjithshme të legjislacionit të punës dhe sigurimeve shëndetësore. Nuk u identifikua një mekanizëm i posaçëm dhe i detyrueshëm i rikthimit gradual në punë për pacientët me kancer. |
Serbia | Rehabilitim profesional dhe vlerësim mjekësor | Masa të përgjithshme rehabilitimi profesional dhe vlerësim mjekësor | Rikthimi në punë mbështetet kryesisht në vlerësimet mjekësore dhe mekanizmat e përgjithshëm të rehabilitimit dhe sigurimeve shoqërore. Nuk u identifikua një mekanizëm i posaçëm dhe i strukturuar i rikthimit gradual në punë për pacientët me kancer. |
Bosnja dhe Hercegovina | Masa të fragmentuara sipas entiteteve/kantoneve | Bosnja dhe Hercegovina është ndoshta rasti më i fragmentuar në të gjithë kampionin e vendeve që po analizon. Problemi kryesor nuk është vetëm mungesa e mekanizmave të posaçëm, por edhe fakti që të drejtat dhe procedurat mund të ndryshojnë sipas entitetit ose kantonit. Për këtë arsye, pacientët me kancer mund të përballen me nivele të ndryshme mbështetjeje varësisht nga vendi ku jetojnë dhe punojnë. |
Kosova | Nuk ka mekanizëm të posaçëm të ri-integrimit profesional për pacientët me kancer | Legjislacioni nuk parashikon sistem të strukturuar dhe të detyrueshëm të rikthimit gradual në punë pas sëmundjeve të rënda. Për zyrtarët publikë, Rregullorja (QRK) Nr. 04/2024 mundëson orar të ndryshëm, orar jo të plotë ose orar të shkurtuar në raste të caktuara shëndetësore, por këto masa nuk përbëjnë mekanizëm të posaçëm rehabilitimi ose ri-integrimi profesional për pacientët me kancer. |
Mekanizmat e rikthimit gradual në punë dhe rehabilitimit profesional
Tabela tregon se shtetet më të avancuara evropiane kanë mekanizma të strukturuar për rikthimin gradual në punë, sidomos Holanda, Gjermania, Franca dhe Suedia. Në këto vende, rikthimi pas një sëmundjeje të rëndë nuk varet vetëm nga vullneti i punëdhënësit, por mbështetet në procedura të qarta ligjore dhe institucionale.
Kosova ka disa elemente fleksibiliteti për zyrtarët publikë përmes Rregullores (QRK) Nr. 04/2024. Konkretisht, neni 5 lejon orar të ndryshëm pune “për shkaqe shëndetësore apo rrethana të tjera objektive”, ndërsa neni 6 rregullon orarin jo të plotë dhe neni 7 orarin e shkurtuar në rastet kur detyrat e punës mund të kenë ndikim të dëmshëm në shëndetin e zyrtarit publik.
Megjithatë, këto dispozita nuk janë të hartuara posaçërisht për pacientët me kancer dhe nuk krijojnë një sistem të detyrueshëm të riintegrimit profesional, siç ekziston në Holandë apo Gjermani.
Mbrojtja ligjore kundër diskriminimit
Përveç mbështetjes financiare dhe mekanizmave të rikthimit në punë, mbrojtja kundër diskriminimit përbën një element thelbësor të sigurisë juridike për pacientët me kancer. Në praktikë, pacientët me sëmundje të rënda shpesh përballen me rrezik të humbjes së vendit të punës, trajtim të pabarabartë, refuzim të përshtatjeve të nevojshme në punë ose pengesa gjatë rikthimit pas trajtimit.
Për këtë arsye, shumë shtete evropiane kanë zhvilluar mekanizma ligjorë që e lidhin kancerin ose sëmundjet afatgjata me mbrojtjen nga diskriminimi në marrëdhëniet e punës. Megjithatë, qasjet ndryshojnë ndjeshëm. Disa shtete e trajtojnë kancerin drejtpërdrejt si kategori të mbrojtur, ndërsa shtete të tjera e mbrojnë përmes koncepteve më të përgjithshme të aftësisë së kufizuar ose gjendjes shëndetësore.
Shteti | Baza kryesore ligjore | Si mbrohen pacientët me kancer? |
Holanda | Ligji për trajtim të barabartë për shkak të sëmundjes kronike ose aftësisë së kufizuar (Wet gelijke behandeling op grond van chronische ziekte of handicap) | Pacientët me kancer mund të mbrohen si persona me sëmundje kronike ose, në rastet kur sëmundja shkakton kufizime afatgjata, si persona me aftësi të kufizuar. Punëdhënësi ka detyrim të shmangë diskriminimin dhe të shqyrtojë përshtatje të arsyeshme në vendin e punës. |
Gjermania | Ligji i përgjithshëm për trajtim të barabartë (Allgemeines Gleichbehandlungsgesetz - AGG); Kodi Social IX (Sozialgesetzbuch IX) | Pacientët me kancer mbrohen nga diskriminimi kur sëmundja shkakton kufizime afatgjata që mund të konsiderohen aftësi e kufizuar sipas legjislacionit gjerman dhe standardeve evropiane. Personat me aftësi të kufizuar ose me status të barasvlershëm gëzojnë mbrojtje shtesë në punësim dhe mund të përfitojnë masa mbështetëse për ruajtjen ose rikthimin në punë. |
Franca | Kodi i Punës (Code du travail) | Ndalohet diskriminimi për shkak të gjendjes shëndetësore. Pacientët me kancer mund të përfitojnë mbrojtje shtesë përmes regjimit për sëmundjet afatgjata (ALD), i cili njeh nevojat specifike të personave me sëmundje të rënda dhe afatgjata. Punëdhënësi duhet të marrë parasysh rekomandimet e mjekësisë së punës dhe mund të kërkohen përshtatje të kushteve të punës gjatë rikthimit në punë. |
Suedia | Ligji kundër diskriminimit (Diskrimineringslagen) | Pacientët me kancer mund të mbrohen përmes kategorisë së aftësisë së kufizuar kur sëmundja shkakton kufizime afatgjata funksionale. Diskriminimi për shkak të aftësisë së kufizuar është i ndaluar dhe mungesa e masave të arsyeshme të përshtatjes mund të konsiderohet diskriminim |
Danimarka | Ligji për ndalimin e trajtimit të pabarabartë në tregun e punës (Act on the Prohibition of Differential Treatment in the Labour Market) | Pacientët me kancer mund të mbrohen kur sëmundja shkakton kufizime afatgjata që konsiderohen aftësi e kufizuar. Diskriminimi në punësim është i ndaluar dhe punëdhënësi mund të ketë detyrim të ndërmarrë masa të arsyeshme përshtatjeje për të mundësuar vazhdimin ose rikthimin në punë. |
Spanja | Ligji 15/2022 për trajtim të barabartë dhe mosdiskriminim (Ley 15/2022 integral para la igualdad de trato y la no discriminación) | Diskriminimi për shkak të sëmundjes ose gjendjes shëndetësore është i ndaluar me ligj. Pacientët me kancer mbrohen kundër diskriminimit në punësim, ndërsa në rastet e kufizimeve afatgjata mund të përfitojnë edhe mbrojtje sipas legjislacionit për aftësinë e kufizuar. |
Italia | Legjislacioni kundër diskriminimit dhe legjislacioni për aftësinë e kufizuar | kufizuar Pacientët me kancer mund të mbrohen kur sëmundja shkakton kufizime afatgjata që konsiderohen aftësi e kufizuar. Diskriminimi në punësim është i ndaluar dhe mund të kërkohen masa të arsyeshme përshtatjeje. Personat që njihen me statusin përkatës mund të përfitojnë gjithashtu mbrojtje dhe lehtësira sipas legjislacionit për aftësinë e kufizuar. |
Polonia | Kodi i Punës (Kodeks pracy) dhe legjislacioni për aftësinë e kufizuar. | Diskriminimi në punësim është i ndaluar, përfshirë diskriminimin për shkak të aftësisë së kufizuar. Pacientët me kancer mund të përfitojnë mbrojtje kur sëmundja shkakton kufizime afatgjata që njihen si aftësi e kufizuar, duke mundësuar mbrojtje shtesë dhe masa të caktuara mbështetëse në punë. |
Çekia | Ligji kundër diskriminimit (Zákon 198/2009) | Pacientët me kancer mund të mbrohen përmes kategorisë së aftësisë së kufizuar kur sëmundja shkakton kufizime afatgjata funksionale. Diskriminimi në punësim është i ndaluar dhe zbatohet parimi i trajtimit të barabartë. |
Rumania | Ordonanca Qeveritare Nr. 137/2000 dhe legjislacioni për aftësinë e kufizuar | Pacientët me kancer mund të mbrohen kur sëmundja shkakton kufizime afatgjata që njihen si aftësi e kufizuar. Diskriminimi në punësim është i ndaluar dhe personat me aftësi të kufizuara mund të përfitojnë mbrojtje dhe masa mbështetëse sipas legjislacionit përkatës. |
Mbretëria e Bashkuar | Ligji për barazi (Equality Act 2010) | Kanceri konsiderohet automatikisht aftësi e kufizuar që nga momenti i diagnozës. Pacientët mbrohen nga diskriminimi në punësim dhe punëdhënësi ka detyrim të ndërmarrë masa të arsyeshme përshtatjeje (reasonable adjustments) për të mundësuar vazhdimin ose rikthimin në punë. |
Shqipëria | Kodi i Punës dhe Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi | Diskriminimi në punësim është i ndaluar dhe pacientët me kancer mbrohen përmes dispozitave të përgjithshme për trajtim të barabartë dhe mosdiskriminim. Megjithatë, kanceri nuk përmendet si kategori e veçantë e mbrojtur dhe nuk ekzistojnë dispozita të posaçme për akomodim të arsyeshëm të pacientëve me kancer në vendin e punës. |
Maqedonia e Veriut | Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi | Diskriminimi në punësim është i ndaluar, përfshirë diskriminimin për shkak të gjendjes shëndetësore dhe aftësisë së kufizuar. Pacientët me kancer mbrohen përmes dispozitave të përgjithshme të trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit, por kanceri nuk përmendet si kategori e veçantë e mbrojtur. |
Mali i Zi | Ligji për ndalimin e diskriminimit dhe Ligji i Punës (Zakon o radu) | Diskriminimi në punësim është i ndaluar, përfshirë diskriminimin për shkak të gjendjes shëndetësore dhe aftësisë së kufizuar. Pacientët me kancer mbrohen përmes dispozitave të përgjithshme të trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit, por kanceri nuk përmendet si kategori e veçantë e mbrojtur. |
Serbia | Ligji për Ndalimin e Diskriminimit (Zakon o zabrani diskriminacije), Ligji i Punës (Zakon o radu) dhe legjislacioni për personat me aftësi të kufizuara | Diskriminimi në punësim është i ndaluar, përfshirë diskriminimin për shkak të gjendjes shëndetësore dhe aftësisë së kufizuar. Pacientët me kancer mbrohen përmes dispozitave të përgjithshme të trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit, por kanceri nuk përmendet si kategori e veçantë e mbrojtur. |
Bosnja dhe Hercegovina | Ligji për ndalimin e diskriminimit (Zakon o zabrani diskriminacije) | Diskriminimi në punësim është i ndaluar dhe pacientët me kancer mbrohen përmes dispozitave të përgjithshme të trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit, veçanërisht kur sëmundja lidhet me aftësinë e kufizuar ose gjendjen shëndetësore. Megjithatë, kanceri nuk përmendet si kategori e veçantë e mbrojtur dhe nuk ekzistojnë dispozita specifike për pacientët me kancer në vendin e punës. |
Kosova | Ligji Nr. 05/L-021 për Mbrojtje nga Diskriminimi; Ligji i Punës Nr. 03/L-212 | Legjislacioni ndalon diskriminimin për shkak të gjendjes shëndetësore dhe aftësisë së kufizuar, por kanceri nuk përmendet specifikisht si kategori e mbrojtur dhe nuk ekzistojnë dispozita të posaçme për akomodim të arsyeshëm të pacientëve me kancer. |
Mbrojtja juridike kundër diskriminimit për pacientët me kancer
Tabela e mësipërme tregon se shtetet evropiane kanë zhvilluar nivele të ndryshme të mbrojtjes juridike për pacientët me kancer në marrëdhëniet e punës. Modelet më të avancuara vërehen në Mbretërinë e Bashkuar, Holandë dhe Gjermani, ku mbrojtja kundër diskriminimit lidhet ngushtë me detyrimin për përshtatje të arsyeshme dhe ruajtjen e pjesëmarrjes së pacientit në tregun e punës.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kanceri konsiderohet automatikisht aftësi e kufizuar sipas Ligjit për barazi (Equality Act 2010), gjë që u garanton pacientëve mbrojtje juridike të menjëhershme që nga momenti i diagnozës. Ky model konsiderohet një nga format më të forta të mbrojtjes në Evropë.
Në shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, mbrojtja kundër diskriminimit mbetet më e përgjithshme dhe zakonisht mbështetet në konceptin e gjendjes shëndetësore ose aftësisë së kufizuar. Megjithëse legjislacioni kosovar ndalon diskriminimin në marrëdhëniet e punës, mungojnë dispozita të posaçme që do ta trajtonin kancerin si kategori specifike të mbrojtur ose që do të obligonin punëdhënësit të ofrojnë akomodim të arsyeshëm gjatë trajtimit dhe rikthimit në punë.
Si rezultat, pacientët me kancer në Kosovë shpesh mbeten të varur nga interpretimi i përgjithshëm i dispozitave kundër diskriminimit dhe nuk gëzojnë nivel të njëjtë të mbrojtjes juridike si pacientët në shtetet me sisteme më të zhvilluara të mbrojtjes sociale dhe të drejtave të punës.
Çfarë tregojnë institucionet dhe punëdhënësit në Kosovë?
Përveç analizës ligjore, komunikimet me institucionet publike, institucionet shëndetësore dhe përfaqësues sindikalë tregojnë se sfidat e pacientëve me kancer në marrëdhëniet e punës janë shumëdimensionale. Ato lidhen jo vetëm me trajtimin mjekësor, por edhe me pasigurinë financiare, mungesën e fleksibilitetit në vendin e punës, vështirësitë administrative dhe mungesën e një sistemi të integruar të mbështetjes sociale e profesionale.
Të dhënat nga praktika klinike tregojnë se trajtimi onkologjik ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e pacientëve për të vazhduar punën. Sipas përgjigjeve nga Klinika e Onkologjisë, shumica e pacientëve me kancer përballen me vështirësi të konsiderueshme gjatë trajtimit, veçanërisht gjatë kimioterapisë dhe radioterapisë, për shkak të efekteve anësore fizike dhe psikologjike. Trajtimi shpesh shkakton lodhje të theksuar, dobësi fizike, nauze, ankth, depresion dhe stres emocional, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e përditshëm dhe profesional të pacientëve.
Këto gjetje konfirmohen edhe nga Ministria e Shëndetësisë, e cila thekson se ndikimi i trajtimit në aftësinë për punë ndryshon nga pacienti në pacient dhe varet nga lloji i kancerit, terapia, faza e sëmundjes dhe gjendja individuale. Ministria thekson se pacientët shpesh përballen me lodhje, ankth, dhimbje dhe vështirësi në koncentrim, ndërsa disa prej tyre mund të vazhdojnë punën vetëm nëse u mundësohet orar i reduktuar, punë nga shtëpia ose përshtatje e detyrave të punës.
Një nga gjetjet më të rëndësishme institucionale lidhet me kohëzgjatjen e nevojshme të pushimit nga puna. Përgjigjet nga Klinika e Onkologjisë tregojnë se pacientët shpesh kanë nevojë për pushim nga puna që varion nga disa muaj deri në mbi një vit, varësisht nga lloji i kancerit, faza e sëmundjes dhe trajtimi. Kjo e bën të qartë se periudha aktuale e pushimit mjekësor të kompensuar në Kosovë nuk i përgjigjet realitetit klinik të trajtimit onkologjik.
Edhe SHSKUK/Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës në Gjakovë vlerëson se trajtimi onkologjik ndikon ndjeshëm në aftësinë fizike dhe psikologjike për punë dhe se pacientët shpesh kanë nevojë për periudha të gjata pushimi deri në përmirësimin e gjendjes shëndetësore. Në përgjigjen institucionale theksohet se pushimi mjekësor aktual nuk është i mjaftueshëm për shumë pacientë me kancer.
Kjo tregon se nevoja për zgjatje të pushimit mjekësor nuk është vetëm kërkesë normative apo krahasim me praktikat evropiane, por del drejtpërdrejt nga përvoja klinike dhe institucionale në Kosovë. Pacientët nuk kanë nevojë vetëm për ditë të kufizuara pushimi, por për mekanizma më fleksibilë që i përshtaten fazave të trajtimit dhe rikuperimit.
Përveç pushimit më të gjatë, institucionet shëndetësore theksojnë nevojën për fleksibilitet në vendin e punës. Në përgjigjet institucionale përmenden kërkesa për orar të reduktuar, punë nga shtëpia, ndërrim të pozitës së punës, detyra më të lehta dhe përshtatje të ngarkesës. Kjo dëshmon se akomodimi i arsyeshëm nuk është koncept abstrakt, por nevojë praktike e pacientëve që përpiqen të vazhdojnë punën gjatë ose pas trajtimit.
Megjithatë, fleksibiliteti në praktikë mbetet i kufizuar dhe shpesh varet nga vullneti i institucionit ose i punëdhënësit. Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se deri më tani nuk ka ekzistuar një mekanizëm i formalizuar koordinimi ndërinstitucional për pushimet mjekësore gjatë trajtimit të pacientëve me kancer, ndërsa mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm mbeten ende në zhvillim. Kjo tregon se Kosova nuk ka ende një model të qartë institucional për menaxhimin e rasteve të punonjësve me kancer.
Në aspektin financiar, përgjigjet institucionale tregojnë se presioni ekonomik është një nga faktorët kryesorë që ndikon në vendimet e pacientëve gjatë trajtimit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, presioni financiar mund të ndikojë në vonimin e diagnostikimit, shtyrjen e kontrolleve, ndërprerjen e trajtimit ose mosmarrjen e terapive në mënyrë të rregullt. Përgjigjet nga Klinika e Onkologjisë po ashtu theksojnë se ka raste kur pacientët detyrohen të vazhdojnë punën gjatë trajtimit kryesisht për arsye financiare.
Në këtë drejtim, mbështetja aktuale sociale në Kosovë mbetet e kufizuar. Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare e orienton mbështetjen ekzistuese drejt Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, duke theksuar se neni 9 përcakton kushtet dhe kriteret për përfitimin e pensioneve përkatëse dhe se këto skema synojnë sigurimin e mjeteve materiale bazë dhe benefiteve sociale. Sipas përgjigjes së ministrisë, përfitimi nga kjo skemë “nuk e cenon të drejtën lidhur me marrëdhënien e punës”. Megjithatë, kjo formë mbështetjeje nuk funksionon si zëvendësim i pagës gjatë sëmundjes afatgjatë, por si ndihmë bazike sociale.
Kjo ndarje ndërmjet politikave sociale dhe politikave shëndetësore bëhet e dukshme edhe në faktin se Ministria për Punë i orienton çështjet që lidhen me trajtimin mjekësor, pushimin mjekësor dhe kujdesin specifik për pacientët me sëmundje serioze drejt Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo tregon se mbështetja aktuale është e fragmentuar dhe nuk funksionon si sistem i integruar për pacientët me kancer.
Në disa institucione publike ekzistojnë forma shtesë të mbështetjes, por ato nuk janë të barabarta për të gjithë punonjësit. Për shembull, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), për dallim nga shumica e institucioneve publike të analizuara, përfshirë SHSKUK-në dhe Komunën e Prishtinës, ofron sigurim privat shëndetësor për punëtorët e saj. Dokumentacioni i sigurimit tregon se paketa përfshin mbulim për shërbime spitalore, analiza laboratorike, radioterapi, kimioterapi dhe teste onkologjike.
Gjatë procesit të konsultimeve me palët relevante, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka ofruar një pasqyrë të praktikave të brendshme që aplikon në mbështetje të punonjësve, veçanërisht në rastet që lidhen me trajtime mjekësore, sëmundje të rënda dhe nevoja të veçanta shëndetësore. Si një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend, KEK ka theksuar se mirëqenia e punonjësve përbën prioritet institucional dhe se mbështetja ndaj tyre nuk trajtohet vetëm si obligim ligjor, por edhe si përgjegjësi humane dhe sociale.
Sipas informatave të ofruara gjatë konsultimit, KEK aktualisht ofron sigurim shëndetësor për punonjësit, kompensim të pushimit mjekësor, mbështetje në rast aksidenti në punë dhe sëmundjesh profesionale, si dhe mundësi për mbështetje financiare për trajtime mjekësore jashtë vendit në rastet kur shpenzimet nuk mbulohen nga sigurimi shëndetësor apo institucionet përkatëse. Po ashtu, përmes Kodit të Punës të KEK-ut, janë paraparë dispozita që synojnë avancimin e mbrojtjes sociale dhe trajtimin më dinjitoz të punonjësve në situata të ndjeshme shëndetësore.
Një aspekt i rëndësishëm i diskutimit ka qenë edhe nevoja për modernizimin e legjislacionit të punës në Kosovë. KEK ka vlerësuar se Ligji aktual i Punës nuk reflekton mjaftueshëm zhvillimet e reja në tregun e punës, format fleksibile të angazhimit dhe nevojat e punonjësve që përballen me sëmundje të rënda ose kronike. Në këtë drejtim, është rekomanduar që legjislacioni të parashohë më qartë mundësinë e punës nga distanca, orarit fleksibil, punës me kohë të pjesshme dhe përshtatjes së detyrave të punës sipas gjendjes shëndetësore të punëmarrësit.
Këto praktika dhe rekomandime tregojnë se, përveç mbështetjes individuale ndaj punonjësve, ekziston nevoja për një kornizë më të qartë ligjore që do t’i obligonte dhe udhëzonte punëdhënësit në trajtimin e rasteve të sëmundjeve të rënda. Përfshirja e mekanizmave të tillë në legjislacion do të ndihmonte në mbrojtjen e dinjitetit të punonjësve, ruajtjen e lidhjes së tyre me tregun e punës dhe zvogëlimin e pasojave ekonomike e sociale që sëmundjet e rënda shkaktojnë gjatë dhe pas trajtimit.
Megjithatë, sipas përfaqësuesve sindikalë, edhe kjo formë sigurimi nuk ofron siguri të mjaftueshme për punëtorët me kancer. Trajtimi onkologjik shpesh zgjat për periudha të gjata dhe shoqërohet me kosto të shumta të drejtpërdrejta dhe indirekte, përfshirë mungesën nga puna, transportin, barnat, kujdesin familjar dhe rikuperimin afatgjatë. Për këtë arsye, sigurimi privat mund të ndihmojë në disa shpenzime shëndetësore, por nuk e zëvendëson nevojën për skemë të qëndrueshme të të ardhurave dhe mbrojtje në vendin e punës.
Gjatë hulumtimit është theksuar gjithashtu se në KEK ka shumë raste të punëtorëve të prekur nga kanceri. Kjo e bën të qartë se çështja nuk është sporadike, por prek sektorë të rëndësishëm publikë dhe kërkon qasje më të strukturuar institucionale.
Sfidat praktike shfaqen edhe në nivelin e menaxhimit të stafit. Sipas nënkryetares së Komunës së Prishtinës, Besiane Musmurati, institucionet dhe kolegët shpesh përpiqen të ndihmojnë punonjësit që përballen me sëmundje të rënda përmes solidarizimit dhe zgjidhjeve të brendshme. Megjithatë, zëvendësimi i punonjësve gjatë mungesave afatgjata është shpesh shumë i vështirë ose i pamundur, sepse Ministria e Financave nuk hap vende shtesë pune për zëvendësim.
Ky problem është veçanërisht i theksuar në sektorë si arsimi dhe shëndetësia, ku pozitat janë specifike dhe mungesa e një punonjësi ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e shërbimeve. Kjo tregon se mbrojtja e pacientëve me kancer nuk mund të shihet vetëm si çështje e të drejtave individuale, por edhe si çështje e planifikimit institucional, buxhetor dhe të burimeve njerëzore.
Një tjetër problem strukturor është mungesa e të dhënave të ndara për punonjësit me kancer. Shumica e institucioneve të analizuara nuk mbajnë evidenca specifike për pacientët me kancer ose për sëmundje të rënda, por i regjistrojnë rastet vetëm si mungesa të përgjithshme shëndetësore ose si “punëtorë të sëmurë”. Kjo e bën të vështirë vlerësimin e numrit real të rasteve, kohëzgjatjen e mungesave, nevojën për zëvendësim dhe ndikimin financiar e institucional të sëmundjes.
Mungesa e të dhënave krijon edhe problem për hartimin e politikave publike. Pa të dhëna të ndara për sëmundjet e rënda, institucionet nuk mund të planifikojnë buxhet, zëvendësime, mbështetje psikologjike, mekanizma rehabilitimi apo politika të rikthimit gradual në punë. Në këtë kuptim, problemi i pacientëve me kancer mbetet pjesërisht i padukshëm në nivel administrativ.
Në tërësi, përvoja institucionale tregon se Kosova ka disa elemente mbështetjeje, por ato janë të shpërndara, të kufizuara dhe të pakoordinuara. Ekziston mbështetje bazike sociale, disa forma fleksibiliteti në sektorin publik dhe në raste të caktuara sigurim privat shëndetësor. Megjithatë, mungon një sistem i integruar që lidh pushimin mjekësor, sigurimin e të ardhurave, fleksibilitetin në punë, mbrojtjen nga diskriminimi dhe rikthimin gradual në punë.
Nga boshllëqet ligjore te nevoja për reforma
Analiza tregon se mbështetja e pacientëve me kancer në vendin e punës nuk mund të kufizohet vetëm në trajtimin mjekësor ose në një periudhë të shkurtër pushimi mjekësor. Në shumicën e shteteve të analizuara, mbrojtja ndërtohet përmes një kombinimi të mbështetjes financiare, mekanizmave të riintegrimit profesional dhe garancive ligjore kundër diskriminimit.
Krahasimi evidenton se Kosova vazhdon të ketë boshllëqe të rëndësishme në secilën prej këtyre fushave. Mungesa e një sistemi funksional të sigurimit të sëmundjes, mungesa e mekanizmave të detyrueshëm për rikthim gradual në punë dhe mbrojtja e kufizuar ligjore për pacientët me sëmundje të rënda e vendosin Kosovën prapa shumicës së vendeve të analizuara. Këto gjetje e bëjnë të domosdoshme kalimin nga analiza e kornizës ligjore te përvojat konkrete të pacientëve dhe mënyra se si këto politika reflektohen në praktikë.
(Vijon nesër)
Pjesa e parë:
Pjesa e dytë:
Pjesa e tretë: