Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pesë të vrarë brenda një jave në Kosovë, Musa: Hetuesia të angazhohet te shitësit e armëve

Skender Musa

Pesë persona janë vrarë vetëm brenda një jave në Kosovë. Këtë shifër po e konsideron alarmante avokati, Skënder Musa. Sipas tij element kyç në të cilin duhet të punohet nga institucionet e sigurisë është hetimi kundrejt shitësve të armëve.

Avokati Musa në emisionin “60 Minuta” në KTV, deklaroi se në Kosovë është shumë e lehtë ta blesh një armë dhe këtë përgjigje Musa thotë se e marrin sa herë që i pyesin edhe të miturit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Avokati Musa ka theksuar po ashtu që nuk duhet harruar as fakti që Kosova është mes dy vendeve si Serbia e Shqipëria të cilat kanë numër të madh të armëve e madje Serbia ka edhe fabrikë të prodhimit të tyre.

“Problemi është që institucionet e hetuesisë nuk i paraqesin shumë rrjetet që shesin armë sepse nuk mund të blejmë armë individuale pa u ndaluar shitësit e tyre. Mos të harrojmë që Kosova është mes Serbisë dhe Shqipërisë, dy vende që kanë numër të madh të armatimit. Serbia madje ka edhe fabrika dhe shumë shitës të armëve. Shumë e lehtë është në Kosovë të sigurosh armë. Të rinjtë kur i pyesim ose të miturit ku e blerë armën, thonë shumë lehtë gjen armë. Ku të duash në Prishtinë gjen armë, ose në Mitrovicë a në Gjilan. Nuk ka pasur asnjë person që ka thënë e kam pasur të vështirë të gjejë armë, në të gjitha komunat e Kosovës. Si është e mundur që institucionet e hetuesisë të mos i zbulojnë ata shitës të armëve dhe të ketë kaq pak të akuzuar për shitjen e armëve”, ka deklaruar Musa.

Sipas avokatit Musa, këto lloj vrasje ndodhin vetëm në Kosovë e Shqipëri, në asnjë vend tjetër të rajonit.

“Nuk mund të themi që numri i vrasjeve është zvogëluar siç pretendohet sepse në bazë të mjeteve të informimit vrasje të tilla të qytetarëve nuk ndodhin në këtë formë në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi. Këto lloj vrasje po ndodhin vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, vetëm kah është kombi shqiptar dhe është elementi kyç edhe numri i madh i armëve. Po më duket të gjithë personat madhor e të mitur kanë armë, sikur çdo shtëpi e banesë ka armë. Çdo konflikt po përfundon me armë”, ka thënë Musa.

Avokati Musa ka thënë se pesë vrasjet brenda një jave në Kosovë tregojnë edhe dështimin e të gjitha hallkave shtetërore të Kosovës. Ai ka theksuar se dënimet që shqiptohen për vrasje në Kosovë nuk janë të ulëta por ato nuk po ulin numrin e tyre.

Sipas avokatit duhet të gjinden strategji nga shtetit.

“Duhet të ngritet çështja edhe në nivel qendror edhe lokal, të ndërtohet një strategji dhe të zbulohen elemente çka i shtyn qytetarët që mjetin e fundit ta zgjedhin të parin, pra vrasjen, para se të lajmërojnë institucionet. Ka qenë shumë e rëndë vrasja në Klinë, madje vrasja në Majac në Podujevë është jashtëzakonisht e rëndë sepse humbën jetën tre persona. Këto tregojnë dështimin e hallkave shtetërore duke filluar nga niveli qendror që janë ministritë përkatëse, pra, ngritja e nivelit arsimor te Ministria e Arsimit. Pastaj te çështjet e gjykimeve te Ministria e Drejtësisë dhe te intervenimi që është Ministria e Brendshme e deri te niveli lokal”, ka thënë Musa.

Avokati Musa ka thënë gjithashtu se në Kosovë duhet ngritur vetëdija dhe një tjetër faktor për numrin e madh të vrasjeve është mentaliteti sepse edhe mënyra e vrasjeve shihet se ndodhë pa u menduar apo pa një arsye të qartë.

“Ka vrasje që ndodhin ad-hoc, nuk kanë sqarim as ata që e kanë kryer vrasjen sepse mund të kenë qenë shokë. Nuk ka as organizim për vrasje në Kosovë sepse në literaturë penale kur bëhet një planifikim për një vrasje, vetë individi e bën planifikimin 3-6 muaj më herët. Shqiptari jo, e vret aty për aty. Si terminologji penale nuk e kam hasur të jesh gjaknxehtë apo temperament më shumë. Janë thjeshtë të padurueshëm. Është mentalitet primitiv, nuk është as me kanun sepse me kanun nuk e vret vëllau-vëllaun. Dënimet nuk janë të ulëta në Kosovë, janë dënime të larta por nuk po ndikojnë. Pra duhet të gjinden metoda të tjera”, ka thënë Musa.

Në Kosovën e paraluftës sipas avokatit Musa, vrasjet kanë qenë zakonisht në pjesën e përparme të trupit, prandaj sipas tij, vrasjet pas luftës nuk lidhen me traditën shqiptare.

“Kjo nuk lidhet me traditën e shqiptarëve sepse te dera nuk është vra as hasmi siç themi në zhargonin popullor. Kjo është një traditë e krijuar pas luftës dhe ndryshon edhe mënyra e vrasjes. Para luftës edhe në shkenca penale kur është studiuar për kriminalistikën e ish-Jugosllavisë, vrasjet në Kosovë kanë qenë zakonisht në pjesën e përparme tash është në të gjitha pjesët. Vrasësi tash nuk e zgjedh ku e godet viktimën”, ka deklaruar avokati Musa në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Një person u vra të shtunën në fshatin Bokshiq të Klinës, ku i dyshuari për këtë rast është vëllai i viktimës.

Ndërkohë një ditë pas, në Majac të Podujevës mbeti i vrarë një burrë dhe dy gra të plagosura. Njëra prej të plagosurave, një 73-vjeçare ka vdekur gjatë trajtimit në QKUK në orët e para të së hënës. Edhe tjetra, që ka edhe qenë e dyshuar për këtë rast, vdiq gjithashtu.

E të hënën e javës që shkoi një person mbeti po ashtu i vrarë dhe një tjetër i plagosur në Gjakovë.