Në episodin e nëntë të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi diskuton me themeluesen e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, për Kosovën, Serbinë, rajonin, si mund të arrihet paqja, protestat e studentëve e çështja të tjera.

Surroi: Deri më 2030, Kosova duhet të jetë pjesë e një ombrelle sigurie që garanton paqen në rajon

4 o. më parë / 4 maj 2025 21:09
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi, në një bisedë me Natasha Kandiqin në podcastin PIKË, ka thënë se skenari më optimist për Kosovën deri në vitin 2030 është të bëhet pjesë e një ombrelle sigurie evropiane dhe euroatlantike që mbulon të gjithë rajonin, si garanci për paqe të qëndrueshme.

Sipas Surroit, siguria nuk duhet të përkufizohet thjesht si mungesë e luftës.

“Duhet të mbërrijmë në një periudhë kur nuk jetojmë vetëm në mungesë lufte, por në paqe të mirëfilltë”, ka thënë ai.

Për të, problemi më i madh në rajon nuk është përdorimi aktual i forcës, por fakti që ideja e luftës është ende e pranishme në mendimin kolektiv të njerëzve.

“Ne duhet ta eliminojmë këtë realitet nga mendjet tona”, u shpreh Surroi.

Surroi shtoi se përballja me të kaluarën, ndërtimi i marrëdhënieve të ndershme ndërmjet shteteve dhe bashkëpunimi ekonomik janë thelbësore për paqen. Por paralajmëroi se ky bashkëpunim ekonomik nuk mund të zëvendësojë proceset e pazgjidhura politike e historike.

“Gjithmonë thuhet se bashkëpunimi ekonomik do ta zgjidhë gjithçka – por kjo nuk ka ndodhur kurrë në 30 vjetët e fundit”, ka thënë ai.

Nëse situata mbetet e pandryshuar, paralajmëroi ai, atëherë edhe nëse Kosova përparon ekonomikisht, do të mbetet e bllokuar në një konflikt të papërfunduar, duke rrezikuar stabilitetin e saj dhe të rajonit.

Në pyetjen e Kandiqit nëse ekziston rrezik real për luftë në Bosnjë ose në Kosovë, Surroi theksoi se rreziku më i madh është vetë pranimi i luftës si mundësi: “Tani, lufta është një mundësi. Dhe kjo është ajo që duhet ndryshuar”.

Surroi: Kosova duhet ta shfrytëzojë momentin nëse përmbyset autoritarizmi në Serbi

4 o. më parë / 4 maj 2025 20:55
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka thënë se Serbia po kalon përmes një procesi të ngjashëm me përmbysjen paqësore të komunizmit në Evropën Qendrore dhe se ky moment historik duhet të shfrytëzohet për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Në një bisedë në podcastin PIKË me Natasha Kandiq, themeluesen e Fondit për të Drejtën Humanitare, Surroi u shpreh se përmbysja në Serbi nuk është vetëm çështje e ndërrimit të pushtetit, por e vetë natyrës së tij – nga një sistem autoritar në një model demokratik të mirëfilltë.

“Kur të ndodhë kjo, serbët e Kosovës, që ende varen në forma të ndryshme nga pushteti në Beograd, mund të çlirohen nga kjo varësi. Do të krijohen raporte të reja”, theksoi ai.

Kandiq ndërkohë vuri në pah se në Kosovë ekziston aktualisht një bllokadë politike dhe se kishte pritur më shumë nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, veçanërisht në drejtim të integrimit të serbëve dhe trajtimit të minoriteteve.

“Kur isha këtë verë në Grackën e Vjetër, serbët më thoshin: 'E donim më shumë Thaçin sesa Kurtin, sepse ai të paktën vinte tek ne'”, tregoi ajo.

Ajo kritikoi gjithashtu presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë se shpreh publikisht urrejtje ndaj studentëve dhe grupeve të caktuara shoqërore, ndërsa institucionet nuk reagojnë.

“Studentët janë të vendosur për ndryshim, kanë arritur deri në artikulim politik, por sistemi thjesht nuk funksionon”, ka potencuar Kandiq.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se ndryshimi i sistemit në Serbi dhe një qasje më e hapur dhe përfshirëse në Kosovë mund të hapin rrugën për ndërtimin e marrëdhënieve të reja ndërmjet shumicës dhe komuniteteve jo-shumicë, si dhe për përballje më të thellë me të kaluarën.

Kandiq: Ringjallja e KOMRA-s do të ndryshonte marrëdhëniet historike Kosovë - Serbi

4 o. më parë / 4 maj 2025 20:39
Natasha Kandiq dhe Veton Surroi

Natasha Kandiq, kryetare e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka thënë se nëse do të ndodhte ringjallja e KOMRA-s – iniciativës për krijimin e një komisioni rajonal për të vërtetën rreth krimeve të luftës – kjo do të ndryshonte rrënjësisht marrëdhëniet historike mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një bisedë me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, Kandiq komentoi një skenar të përfytyruar nga Surroi, ku në vitin 2026 autoritetet e reja në Beograd dhe ato në Prishtinë vendosin bashkërisht të formojnë zyrtarisht KOMRA-n.

“Nëse do të ndodhte, kjo do të ndryshonte vërtet marrëdhëniet historike midis Kosovës dhe Serbisë. Do të kuptohej përmasa e asaj që në të vërtetë ka ndodhur”, ka thënë Kandiq.

Ajo theksoi se, pavarësisht realitetit të shtetësisë së Kosovës që nga përfundimi i luftës, në Serbi ende përdoren terma mohuese si “institucione të përkohshme” apo “i ashtuquajturi kryeministër”, gjë që mohon realitetin politik dhe institucional në Kosovë.

“Jetojmë në dy shtete të ndara, dhe një ditë kjo do të pranohet edhe politikisht dhe publikisht”, ka deklaruar Kandiq, duke shtuar se retorika propagandistike nuk mund të zëvendësojë faktet në terren.

Kandiqi skeptike për ndryshimin e Serbisë ndaj Kosovës edhe nëse vijnë studentët në pushtet

5 o. më parë / 4 maj 2025 20:24
Natasha Kandiq

Në episodin e fundit të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi zhvilloi bisedë me themeluesen e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, mbi mundësinë e një ndryshimi rrënjësor në qasjen e Serbisë ndaj së kaluarës, nëse studentët do të vinin në pushtet.

Surroi ngriti një skenar hipotetik ku presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, largohet nga pushteti dhe vendin e tij e zënë studentët që po protestojnë qe një kohë të gjatë. Ai pyeti nëse një ndryshim i tillë do të sillte edhe një përballje të vërtetë me krimet e së kaluarës, përfshirë çështje të hapura si kamionët frigoriferë me kufoma, rasti i vëllezërve Bytyqi apo ai i familjes Berisha.

Kandiqi u përgjigj me skepticizëm, duke theksuar se ende ka dilema të mëdha nëse një gjë e tillë është e mundur. Ajo solli shembuj konkretë nga një takim me studentë nga ish-Jugosllavia, që nuk ishin në dijeni për Ditën e të Zhdukurve në Kosovë apo për masakrat si ajo e Mejës. Megjithatë, ajo pranoi se një shpresë e vogël ekziston, e nxitur nga kontaktet e reja ndërstudentore që tejkalojnë ndarjet etnike dhe historike.

Një rast i veçantë që përmendi ishte kalimi i studentëve protestues serbë në Kroaci, ku, pavarësisht mungesës së dijes për të kaluarën e dhimbshme të qyteteve si Osijek apo Viroviticë, ata u mirëpritën nga bashkëmoshatarët e tyre kroatë dhe madje edhe nga zyrtarë lokalë. Ky komunikim i ri, siç e quajti ajo, është një dritë shprese për një gjeneratë që mund të ndërtojë marrëdhënie të reja në rajon, larg trashëgimisë së konfliktit.

“Kam frikë të flas për këtë shpresë të vogël, por ajo ekziston”, shtoi Kandiq.