Kronikë

Kërkohet suspendimi i dy policëve për gjuajtje me armë dhe një rreshteri që pengoi hetimin

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK)

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë lidhur me një rast në një lokal në fshatin Rigjevë të Klinës. 

Dy policë dyshohen se kanë shtënë me armë jozyrtare, e rreshteri i Stacionit Policor të Klinës ka penguar hetimin e IPK-së.  

“Nga hetimet e deritanishme të IPK-së dyshohet, se dy zyrtarët policorë kanë shtënë me armë që dyshohet të mos jetë armë zyrtare (në bazë të provave të gjetura në vendngjarje) dhe të njëjtit janë të dyshuar për veprën penale ‘Përdorim i armës’. Lidhur me rastin e njëjtë hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin edhe të një rreshteri policor të Stacionit Policor të Klinës pasi që i njëjti në cilësinë e pronarit të lokalit me veprimet e tij ka penguar hetimin zyrtar të IPK-së, duke ndikuar në zhvillimin e procedurave dhe mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes dhe me këtë rast i njëjti është i dyshuar për veprën penale ‘Dhënia e ndihmës pas veprës penale’”, njoftoi IPK.

Hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.