Zyrtarët komunalë të Podujevës i kanë shpërfillur rregullat e prokurimit publik kur i kanë realizuar dy projekte të ndryshme për asfalt dhe trotuare vitin e kaluar. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj vjetor ka theksuar se asnjë Autoriteti Kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkangjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit.
“Në dy raste për kontratat: Asfaltimi i rrugëve në fshatin Peran në vlerë 176,883€ dhe Ndërtim i trotuareve në fshatrat, Sibofc i Poshtëm, Surkish, Dumnicë, Lupç i poshtëm, Llapashticë e poshtme, Kërpimeh, Pakashticë, Letanc, Konushefc, Gërdofc I, Gërdofc II, Halabak në vlerë 249,273€ Komuna nuk kishte hartuar projekte ekzekutuese, por kishte inicuar procedurat e prokurimit duke përgatitur vetëm paramasën dhe parallogarinë”, thekson raporti i ZKA-së.
Bazuar në këtë dokument, shkaku i mungesës së projekteve ekzekutuese për ndërtimin/asfaltimin e rrugëve sipas zyrtarëve të komunës ishte mungesa e stafit për hartimin e tyre.
“Mungesa e projekteve ekzekutuese dhe inicimi i procedurave për projekte kapitale vetëm me paramasë dhe parallogari, rritë rrezikun që gjatë procesit të ekzekutimit të projekteve të paraqiten pengesa të ndryshme si në aspektin profesional, ashtu edhe në vonesat e punimeve apo edhe në rritjen e kostove të projekteve”, thuhet tutje në raport.
Auditori ka gjetur edhe vonesa në përfundimin e punëve të kontraktuara. Rregulla dhe Udhëzuesi Operativ të Prokurimit Publik, pikat 61.6, 61.19 dhe 61.20 përcaktojnë se “Menaxherët e kontratës janë përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe duhet të sigurojnë se OE kryen kontratën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara në kontratë. Secila kontratë publike ka të përcaktuar afatin kohor të implementimit”.
“Në dy raste, kemi evidentuar vonesa deri në 133 ditë. Vonesat kanë të bëjnë me projektet si në vijim: Kontrata ‘Asfaltimi rrugëve në fshatin Majac’ në vlerë 1,989€, e nënshkruar me datë 01.10.2021, vonesa deri 85 ditë; dhe Kontrata ‘Ndërtimi i bulevardit dhe sheshit të qytetit’ në vlerë 2,269,822€, e nënshkruar më datë 26.11.2019, vonesa deri 48 ditë. Duhet theksuar se në asnjërin prej këtyre rasteve nuk kishte kërkesë/aprovim për zgjatjen e afatit për realizimin e kontratave”.
Zyrtarët komunalë i kanë thënë Zyrës Kombëtare të Auditimit se shkaku i vonesave në punë ishte pandemia COVID-19, megjithatë, vonesat janë reflektuar edhe nga mungesa e kontrolleve të brendshme.
“Vonesat në kryerjen e projekteve ndikojnë në rritjen e obligimeve kontraktuese të cilat mund të kenë implikime buxhetore për buxhetin e vitit pasues. Kjo, po ashtu, ndikon në performancën dhe mos arritjen e objektivave të përcaktuara të Komunës”, thuhet në raport.
Gjatë vitit të kaluar në katër raste Komuna nuk i kishte paguar faturat brenda afatit ligjor.
“Sipas nenit 39.1 të Ligjit nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, kërkohet që secila faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagesë të mallrave dhe shërbimeve të paguhet brenda 30 ditëve kalendarike pas marrjes faturës. Në katër raste, faturat në vlerë total prej 38,112€, nuk ishin ekzekutuar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, vonesat kanë tejkaluar afatin
deri 184 ditë kalendarike. Shkak i mospagesës me kohë të detyrimeve është planifikim jo i mirë i buxhetit dhe inicimi i proceduarve të shpenzimeve pa mjete në dispozicion”, thekson raporti.
Mospagesa e obligimeve brenda afatit ligjor, sipas Auditorit, e rrit mundësinë që furnitorët t’u drejtohen përmbaruesve dhe gjykatave ku krijojnë shpenzime shtesë për buxhetin e komunës.