Arbëri

Policia e Kosovës: Emailet që po qarkullojnë janë të falsifikuara, mos bini pre

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka reaguar pas qarkullimit dhe shpërndarjes së e-maileve kinse në emër të policisë dhe të emërtuara si thirrje gjyqësore. Policia thotë se nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës por e-maile të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

“Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në reagimin e policisë.

Policia e Kosovës gjithashtu njoftoi se po kryen hetime intensive në lidhje me këtë çështje dhe ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

Edhe në fillim të muajit nëntor Policia e Kosovës kishte lëshuar të njëjtin paralajmërim sepse kishte pranuar raportime të qytetarëve për emaile të tilla në emër të këtij institucioni.