Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prej dy muajsh mungon bari që kushton deri në 5 mijë €, QKUK-ja thotë se ka furnizim

Onkologjia

Mungesa e një prej terapive kryesore për trajtimin e kancerit po i detyron pacientët të kërkojnë zgjidhje jashtë QKUK-së. Prej muajsh, terapia me Pembrolizumab nuk figuron në listat e stokut të publikuara nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës. Por nga QKUK-ja nuk e pranojnë mungesën

Pacientët që kanë nevojë për terapinë me Pembrolizumab prej dy muajsh po përballen me mungesë të saj, pasi kjo terapi nuk po u ofrohet në Klinikën e Onkologjisë.

Ky është ilaç kundër kancerit që i përket grupit të imunoterapisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në listën e stokut për klinikën e onkologjisë, të publikuar në faqen e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës më 3 shkurt, gjendja për këtë terapi rezultonte 66 copë.

Por kjo lloj terapie nuk ka figuruar fare në publikimet e tjera që nga 15 shkurti e tutje, përfshirë edhe atë të publikuar vetëm dy ditë më parë.

KOHA ka biseduar edhe me pacientë, të cilët në kushte anonimiteti, janë shprehur se për këtë terapi janë detyruar të bëjnë zgjidhje vetë.

Pacientët që kanë nevojë për këtë terapi e marrin atë çdo tri javë, ndërsa çmimi në barnatore varion nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.

Por në një përgjigje që Barnatorja Qendrore ia ka dhënë KOHËS në fillim të këtij muaji, thuhej se kjo klinikë është furnizuar vazhdimisht.

“Klinika e Onkologjisë është furnizuar sipas planifikimit gjatë vitit që lamë pas si dhe ka vazhduar të furnizohet në vazhdimësi edhe gjatë këtij viti”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë mungesën e kësaj terapie e kanë konfirmuar edhe burime të KOHËS brenda QKUK-së.

“Jo, ka kohë që s’ka, para një muaj e kanë sjellë terapinë sa për dy pacientë”, ka thënë burimi.

KOHA i është drejtuar sërish Barnatores Qendrore, dhe drejtorisë së SHSKUK-së dhe QKUK-së për të sqaruar pse, nëse furnizimi ka qenë i vazhdueshëm, pacientët nuk po arrijnë ta marrin terapinë dhe pse ky ilaç nuk figuron në listat e stokut të publikuara në faqen e këtij institucioni.

Por, që nga java e shkuar nuk kanë kthyer përgjigje.

Kjo nuk është hera e parë që drejtuesit e SHSKUK-së bien ndesh me situatën reale në terren.

KOHA ka raportuar disa herë edhe se si ky institucion publikon të dhëna të cilat po kontestohen nga vetë klinikat.